Politika në Shqipëri e kalon kufirin e absurditetit për sa i përket artikulimit të kauzave të saj për të “joshur” qytetarët dhe për të thithur sa më shumë elektorat.
Një ndër elementët më absurdë që dëgjojmë rëndom nga politikanët shqiptarë, pa dallim të majtë dhe të djathtë, në pushtet dhe në opozitë, është “vajtimi” për varfërinë e shqiptarëve.
Në krye të herës janë këta politikanë që në 28 vite me radhë e kanë varfëruar këtë vend dhe shqiptarët në përgjithësi, deri në limitet e mbijetesës, duke qënë ata përgjegjësit kryesorë.
Dhe për të qënë më konkretë, mund të themi se është e paimagjinueshme që të flasë për varfërinë Sali Berisha dhe familja e tij, dhe për më tepër të flasë nga vila supermoderne në Gjirin e Lalzit.
Të flasë për varfërinë Shkelzen Berisha, nga ishujt e paqësorit ku bën gjatë gjithë vitit pushime turistike bashkë me bashkëjetuesen Armina Mevlani, është fundi i botës! Apo familja Berisha të flasë për paratë e krimit, kur janë pasuruar përmes punishtes së vdekjes në Gërdec, vjedhjes së rrugës së Kombit, “CEZ” dhe një sërë aferash të tjera kriminale, për të cilat me shpresë të zotit dhe ndihmën e SHBA, do japin një ditë llogari para drejtësisë.
Eshtë e paimagjinueshme që Ilir Meta e Monika Kryemadhi të flasin për varfërinë dhe paratë e pista të kundërshtarit nga vila në Gjirin e Lalzit, nga pallati në Bllok apo tjetri në Kodrën e Diellit. Të flasin për investimin e parave të krimit nga guroret dhe mermeret e Malit të Tomorrit, Dajtit e Fushë- Krujës, apo nga resortet turistike prej Sarandës e deri në bregdetin Dalmat.
Eshtë jashtë të gjitha parametrave njerëzorë që Edi Rama të flasë për varfërinë dhe paratë e krimit të kundërshtarëve të tij politikë nga vila që ka në Surrel, apo teksa firmos koncesionet e famshme përmes PPP-ve që pasuron oligarkët klientë të tij dhe veten.
Ndërsa duhet të fërkosh sytë mirë kur dëgjon Lulzim Bashën të flasë pikërisht për varfërinë dhe paratë e pista, teksa ecën nëpër Rrugën e Kombit, prej të cilës vodhi 230 milionë euro me një dorë, apo teksa sjell në mendje maskarallëqe të tjera të tij.
Ndaj shqiptarët, në vend që të protestojnë ditën e enjte para Kuvendit, duhet që të protestojnë me radhë para vilave të shtetarëve shqiptarë në Gjirin e Lalzit, Surrel, Kodrën e Diellit, para tunelit të Rrugës së Kombit e deri në resortet turistike dhe Utreht, Holandë. Pa harruar edhe Parlamentin natyrisht.