Taksa e re për profesionet e lira, Erisa Xhixho: Nuk janë studiuar efektet

0

Partia e Lirisë do të depozitojë në Kuvend një amendament për mosmiratimin e projektligjit për shtimin e tatimit 23% për profesionet e lira dhe shtyrjen e tij deri në kapërcimin e krizës.

Nga Kryesia e Kuvendit, deputetja Erisa Xhixho tha se kategoria që preket nga ndryshimi i ligjit gjenden të papërgatitur dhe janë potencial për emigrim dhe punësim jashtë vendit. Ajo theksoi se efektet e mundshme të ligjit nuk janë studiuar paraprakisht.

“Projektligji për shtimin e tatimin 23% mbi të ardhurat për profesionet e lira dhe të vetëpunësuarit, i propozuar nga qeveria, do të rëndojë mbi avokatët, kontabilistët, mjekët e dentistët, të cilët gjenden të papërgatitur për këtë vendimmarrje, në këtë kohë krize të rëndë ekonomike. Partia e Lirisë shpreh bindjen se ky taksim i pastudiuar është prova e radhës se sa të paqëndrueshme janë politikat e taksimit, të cilat godasin bizneset që pasi kanë bërë një planifikim për ecurinë e tyre u ndryshohet tatimi. Le të sjellim në vëmendje se kjo qeveri e ka ndryshuar 4 herë mënyrën e deklarimit brenda 4 vitesh”.

Xhixho theksoi se më shumë se një politikë e re tatimore, ky ligj është një përpjekje për të përfituar të ardhura nga profesionistët e lirë, një praktikë kjo që kundërshtohet nga organizmat ndërkombëtarë.

“Qytetarët shqiptarë nuk mund të paguajnë sa herë qeverisë nuk i dalin llogaritë dhe i duhen para për të mbyllur aferat e saj. Partia e Lirisë shpreh bindjen se një sistem i pandershëm, i padrejtë dhe në ndryshim të vazhdueshëm është arsyeja e mungesës së stabilitetit dhe të garancisë për të ardhmen si dhe mungesës së investimeve të huaja”.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu