Aksioni opozitar pritet të vijojë edhe gjatë ditës së sotme ku janë parashikuar të mbahen 5 komisione.
Në rendin e ditës janë parashikuar 5 komisione parlamentare, ai i Ekonomisë, Ligjeve, Shëndetësisë, Politika e Jashtme dhe Veprimtaria Prodhuese ku kryefjalë do të jetë projekt-buxheti i vitit 2024.
Por sic ka ndodhur edhe në javët e fundit, pritet që opozita të mos lejojë mbajtjen e tyre derisa të plotësohen 3 kërkesat e tyre: mos-përfshirjen e PS në punët e brendshme të grupit të deputetëve të PD, zëvendësimin e anëtarëve dhe bashkë-kryetarit të Komisionit të Reformës Zgjedhore dhe ngritjen e komisioneve hetimore parlamentare.
Megjithatë socialistët e kanë gati skenarin “B”, që mbledhjet t’i zhvendosin online, pavarësisht se kjo mënyrë parashikohet vetëm në situate të jashtëzakonshme.
Komisioni i Ekonomisë njoftoi se mbledhja do të zhvillohet online, në orën 9:30.
Për shkak të përplasjeve, janë në total 8 deputetë të opozitës të përjashtuar nga punimet e Kuvendit. Kujtojmë se ditën e premte nga Kuvendi u përjashtuan me 10 ditë Ervin Salianji që ndezi tymuese rozë e mavi në seancë plenare, Petrit Doda dhe Edmond Spaho, ndërsa pas seancës me përplasje fizike të 30 tetorit u përjashtuan kreu i grupit Gazment Bardhi, Bledion Nallbati, Edi Paloka, Flamur Noka, Albana Vokshi ndërsa Saimir Korreshi me 3 ditë.