Ditën e sotme Kuvendi do të zhvillojë seancën plenare. Gjatë seancës është parashikuar të zhvillohet një interpelancë me ministren e Shëndetësisë Albana Koçiu, e kërkuar nga Tritan Shehu për surrogacinë, por që debati pritet të zhvendoset për skandalin e mjekëve të Onkologjikut.
Qeveria deklaroi se do të forcohet ligji ndaj mjekëve që shkelin të drejtat e pacientëve dhe po hetohet gjithë stafi i spitalit.
Prokuroria e Tiranës zbuloi skemën e mashtrimit dhe zhvatjes së pacientëve të sëmurë me tumor në spitalin e Onkologjikut në QSUT. Ndërsa pacientët të diagnostikuar me tumor shkonin në spitalin shtetëror të Onkologjikut në QSUT, për të marrë shërbimin shëndetësor publik, orientoheshin që shërbimet t’i merrnin në klinikën mjekësore “Megis” në pronësi të mjekut Edmond Gashi, që e kishte në zonën e Astirit në Tiranë.
Jo vetëm kaq, telefonat e mjekëve dhe koordinatorëve të shërbimit të mbajtur në vëzhgim për një kohë të gjatë kanë rezultuar biseda e pazare të mirëfillta si në shitjen e medikamenteve citostatike me vlera të konsiderueshme që nxirreshin jashtë spitalit Onkologjik apo bliheshin me vlera të konsiderueshme për kimioterapi nga farmaci, si dhe tarifat që merreshin për ndërhyrje kirurgjikale.
Gjithashtu aparatura e vetme ‘Kobalto Terapinë’ e cila shërben për radioterapitë u la jashtë kushteve teknike me qëllim që pacientët të mos e merrnin shërbimin tek Onkologjiku por në klinika të tjera private, duke u kthyer në burim rreziku jo vetëm për mjekët që punonin por dhe pacientët
Skema
Prokurori i Tiranës Bledar Valikaj ka marrë të akuzuar zv/drejtoresha e QSUNT-së,Brikena Qirjazi, 2 mjekë të spitalit të Onkologjikut, Edmond Gashi e Alketa Ymeri (Pere) Koordinatorin pranë këtij spitali, Emiljano Lela, administratorin e klinikës ‘Megis’, Halil Gashi dhe administratori i farmacisë Florian Marku. Ndaj tyre Gjykata e Tiranës ka dhënë masën e sigurisë arrest shtëpie, detyrim me paraqitje
Sipas prokurorisë së Tiranës ‘në bashkëpunim me njëri-tjetrin mjekë, specialistët dhe administratori i spitalit të Onkologjikut orientonin pacientët e diagnostikuar me sëmundje tumorale në klinika private me qëllime përfitimi, duke mos u ofruar shërbimet në spitalin Onkologjik në QSUNT”
Për çfarë akuzohen
“Këta shtetas kanë qenë të punësuar në spitalin shtetëror “Nënë Tereza” si mjekë onkologë dhe duke përdorur detyrën e vetë nuk jepnin shërbimin e duhur në spitalin shtetëror por i orientonin pacientët në spitale private për të marrë shërbimin që kërkohej nga ana e atyre. Gjithashtu në spitalin “Nënë Tereza” ka qenë i vendosur dhe burimi i kobaltit që shërbente për radioterapinë por nuk vendosej në punë dhe ishte jashtë kushteve të përdorshmërisë duke u kthyer në një burim rreziku për pacientët. Gjatë hetimit është bërë e mundur që ky burim të zhvendosej dhe të vendosej në dhomën adapte” thuhet në dosje.