Sindroma e Demiurgut

0
Shkruan Zija Vukaj

Në traditën tonë rurale e, mbase edhe në çdo traditë tjetër rurale, deri para vdekjes së fshatit, thuajse për çdo fshat ka pasur një lloj demiurgu popullor të pajisur me shumë cilësi. Ky ka qenë pak kovaç, sepse ka ndërtuar e ndrequr veglat e punëve bujqësore, kazmat, lopatat, sopatat, kmesat, kosat, kizat etj., pak berber, sepse ka qethur e rruar të gjallë e të vdekur, pak ortoped, sepse ka lidhur kockat e gjymtyrëve të thyera të gjindjes e të gjësë së gjallë, pak meteorolog, sepse, duke qenë i pajisur me dhuntinë e parashikimit të kohës jepte për të gjithë fshatarët prognozën afatshkurtër e afatgjatë të motit, pak dentist, sepse në arkën e veglave të tij kishte gjithmonë një palë darë të ndryshkura me të cilat i lironte nga dhimbja e tmerrshme e dhëmbëve bashkëfshatarët, duke ua hequr në çast, pak shkrues e lexues letrash që vinin nga larg (kjo është kohë e largët); dhe në këtë pikë ai mund të ishte demiurgu i disa fshatrave, sepse aftësia e shkrim/ këndimit ishte si uji në shkretëtirë, pak gjykatës, pasi intuita e tij e lartë dhe reputacioni i krijuar nga gjithëdija i kishin dhënë statusin e të pagabueshmit, pak opingar, sepse zgjidhte me veglat e tij të këtij zanati një nga problemet më të shpeshta të njerëzve, të cilët, në luftën e përditshme me natyrën për të siguruar mbijetesën mes dheut e gurëve, ktheheshin në mbrëmje me opinga të shkalafitura e të dala jashtë loje, pak murator, sepse i duhej të ishte i pranishëm jo vetëm në hedhjen e themeleve, por edhe në ndërrimin e tjegullave të shtëpive, pak marangoz, për të gjitha motivet që çojnë në përdorimin e sharrës, zdrukthit, qeserit, çekiçit, gozhdës, limës së drurit etj., pak armëtar, sepse siç thotë poeti, pushka ishte atavizmë krenare e kohëve të para, prandaj ky zgjatim i shtyllës vertebrore të shqiptarit kishte nevojë hera- herës të kapej në dorë, pak veteriner, që nga planifikimi i lindjes së gjësë së gjallë e deri tek çdo shërbim shëndetësor, me kompetencën e specialistit tepër të saktë popullor, pak akshi (kuzhinier), kjo vetëm kur akshillëku i taksej një grupi të madh njerëzish, si në dasma apo dreka të përmortshme, pak opinionist, sepse fjala e tij zinte vend për shkaqet që përmendëm më lart pak parashikues, për shkak të të qenit opinionist etj., etj.
Gjithë kjo praktikë rurale, e ardhur nga kohërat më të mugëta të historisë etno- gjenetike të popullit tonë, ka formësuar dora- dorës me kalimin e shekujve një tipar tonin kombëtar, që zor se mund të zhbëhet ose, së paku, deri tani rezulton i pathyeshëm dhe është kthyer në sindromë: sindroma e demiurgut kombëtar. Kjo dukuri është pasqyruar në dy drejtime: 1) Tek personalitetet dhe 2) Tek mendësia e popullit tonë.
E para, personalitetet që formuan dhe përbëjnë historinë e kulturës sonë kombëtare, kanë qenë figura poliedrike. Dhe kjo u bën nder këtyre individëve të çmuar dhe krejt kulturës sonë. Të tillë kemi që nga Gjon Buzuku e këtej, të cilët mbartën mbi supe më shumë se një mision apo disiplinë dijeje. Kujtojmë Nolin e madh: prift, poet, përkthyes, historian, kryeministër, muzikolog, orator, dramaturg, aktor, sufler. Koliqi me kalibrin e tij të lartë ishte poet, prozator, estet, publicist, përkthyes, ministër etj. Fishta, poet, publicist, akademik, dramaturg, deputet etj. Sami Frashëri, filozof, publicist, eseist, dramaturg, leksikograf etj. Konica, kritik, prozator, publicist, përkthyes, stilist, teoricien, antropolog, muzikant, poliglot, historian, ambassador etj. Mit’hat Frashëri, shkrimtar, politikan, diplomat et. Mustafa Kruja, mësues, kryeministër, studiues, publicist etj. Këto personalitete dhe të tjerë, janë investuar dhe kanë derdhur energjitë e tyre në shumë fusha dhe disiplina, jo thjesht nga egoizmi, por duke parë boshllëqet që kombi i tyre kishte në shumë sfera të kulturës, kuptuan domosdoshmërinë për të ndriçuar mendjet e bashkëkombasve të tyre, me moton “më mirë pak se aspak”. Kuptohet, secili prej tyre ishte i shkëlqyer tamam vetëm në një fushë. Por duhet të pranojmë se deri në kohën e tyre ishte moda e intelektualit të gjithëdijshëm edhe nëpër botë. Të gjithëdijshëm, por jo multifunksionalë në jetën e një kombi.
E dyta, mendësia jonë kombëtare rurale pret nga një personi i cili ka shkëlqyer në një fushë të caktuar, të bëjë edhe ato gjëra që ai i ka ushtruar kalimthi, por pa vokacionin e plotë. Dhe pasoja ka qenë: poeti- politikan dhe politikani- poet, akademiku- president dhe filantropi- deputet, këngëtari- ambasador dhe ambasadori- biznesmen, këngëtarja mediokre- shefe kabineti etj. Vite më parë mendohej e propozohej Kadareja për president e kështu me radhë. Kjo sindromë demiurgu është e popullit. Simptoma më e madhe e kësaj sindrome është prirja e popullit për të diskutuar “me kompetencë” për gjithçka: për politikën, për historinë për gjuhësinë, për filozofinë, për letërsinë etj. Dhe diskutimet e popullit janë amatoreske; dhe politika jonë është diletante. Një tjetër simptomë e kësaj sëmundjeje është edhe kujdestaria e moralit. Kërkesa deri në rreptësi, që shfaq populli në lidhje me pastërtinë morale të figurave përfaqësuese, sidomos në fushën e artit. Por, a ka mundësi që një artist të jetë i shkëlqyer, por edhe i vesnuar? Mund të kujtojmë shumë syresh- nëpër historinë e kulturës botërore dhe shqiptare. Se sa pa vlerë është hulumtimi i jetës së autorëve, na e tregon shembulli i dy shkrimtarëve: Homerit dhe Shekspirit. Polemikat mbi ekzistencën ose jo të tyre janë gjëja më e shpifur dhe e pabereqetshme. Ndërsa vepra e tyre përbën fondamentin e vlerave botërore të artit të fjalës. Ne kemi nevojë të rritemi kulturalisht dhe kjo ndodh kur të kuptojmë se sëmundjet tona, të cilat në gjenezën e vet nuk kanë qenë sëmundje, por alternative ekzistence, sot kohët moderne dhe dinamikat e zhvillimit i kanë kthyer në rudimente.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu