Shkruan Jani Malo
Më kot qenkam mburrur se bëkam humor, ironi, madje ndonjëherë edhe sarkazën therëse deri në cinizëm.
Historia që do t’ju tregoj dëshmon se edhe njerëz që nuk kanë asnjë lidhje farefisnore, qoftë edhe të largët, me humorin, të bëjnë t’i vësh gishtin kokës para se të ulesh për të shkruar. Ose së paku të detyrojnë të mos shtosh apo të heqësh as edhe një presje nga rrëfimi i tyre.
E takova në rrugë. Ishim njohur rastësisht gati gjysmë shekulli më parë. Rrethanat nuk kanë fare rëndësi. Madje do të rezultonin ujë i tepërt ku do të hollohej shumë esenca e rrëfimit të tij.
Deri atë ditë, sa herë shiheshim, thuajse gjithmonë, e kisha parë të veshur me një kostum të dalë mode, me një këmishë fanellate me kuadrate dhe me një kollare me vija të gjera. Dhe përherë me një dosje kartoni me ngjyrë jeshile në sqetull. Kisha dëgjuar se ishte kryetar i një partie të vogël, fantazmë, dhe kjo, falë neverisë time për politikën, më bënte t’i qëndroja larg si një të zgjebosuri. Përshëndeteshim me një tundje të lehtë të kokës, po asnjëherë nuk kishim pirë qoftë edhe një kafe bashkë.
Edhe atë ditë bëra sikur nuk e pashë, njëlloj siç veprojmë kur shkojmë në një hotel dhe bëjmë sikur nuk e vëmë re që çarçafët janë të pa ndërruar. Krahasimi im në këtë rast nuk shkon fare, sepse i njohuri im ishte ndërruar tërësisht. Kostumin të ri shik, kravatë të modës, këpucë llustrafinë me majë, çantë të shtrenjtë lëkure, por mbi të gjitha flokë të lustruara më mirë se këpucët. Ndaloi, si për të ma dëshmuar ndryshimin e tij.
-Ku je, mik i vjetër? – nisi bisedën.
-Siç më sheh, në rrugë, – thashë fare indiferent dhe bëra të ikë.
-Prit, – tha dhe më zuri rrugën duke qeshur, duke nxjerrë në pah ca dhëmbë të bukur, – e meriton një kafe. Je njohja ime e vjetër. Kam sebep. Jam deputet.
-Ti deputet? Ç’ne? – më shpëtoi padashur, po aty për aty e mblodha veten.
-Urime! – i thashë instiktivisht dhe, si për të korrigjuar gabimin e pak çasteve më parë, shtova, – Kafenë patjetër që do ta pimë, sepse ky nuk është sebep dosido…
U ulëm.
(Të kërkoj ndjesë i nderuar lexues se deri tani isha unë që rrëfeva, nga ky rresht e më pas rrëfen ai, deputeti. Prandaj kërkoj vëmendjen tënde maksimale.)
-Ku paskam qenë, – nisi ai. – Rroga rrogë, privilegjet privilegje. Ndere pa hesap. Dyer të hapura gjithandej. Fol sa të duash e si të duash. Bile edhe gruaja të sheh me sy tjetër…
– Deputet hesapi, – fola dhe, si për të shprehur hapur kurreshtjen time, e pyeta, – si ia arrite kësaj dite?
-Isha në listën e opozitës, – nisi ai. – Nga fundi isha vërtet, si kryetar i një partie pa peshë, siç e di edhe ti, dhe nuk më pati shkuar fare në mendje se do vinte një ditë që lista do fironte. Dhe erdhi rradha ime.
Në moment u bashkuan në mendjen time kryetarllëku i tij dhe “Lista e Marrëzisë” e LuleMonës.
-Dhe fap, një mëngjes u gdhive deputet…
-Jo dhe aq kollaj, i dashur. Derisa pranova, derisa mora mandatin, u rropata ca. Nuk pushonin telefonat. Nga e majta dhe nga e djathta. Merre thoshin të majtët. Mos e merr thoshin të djathtët. Të parëve nuk do t’ua vija veshin po të mos ma donte midea. Të djathtët edhe mund t’i dëgjoja, se ata ishin të mite, po pse ta fsheh, qejfi ma kishte deputetllëkun…
E ndërpreva. Që të jem i sinqertë nuk gjeta asgjë interesante në rrëfimin e tij. Gjella e zakonshme e politikës, mendova.
-Më duhet të shkoj, – i thashë.
-Prit! – këmbënguli ai. Në fakt duarnguli, se më vuri të dyja duart mbi supe dhe nuk më la të çohem.
Dhe vazhdoi pa e prishur terezinë:
-Kështu derisa më telefoni një deputet i vjetër. Mik i mi. Emër shumë i njohur. Mos ma kërko, se nuk ta them. U ulëm në kafene. Si tani bashkë. Folëm gjerë e gjatë. Dëgjo, më tha në fund, ti dhe unë jemi e djathta e vërtetë, prandaj mos e prano mandatin e deputetit. Do digjesh. Morën fund këta. Dëgjo mua. I kanë ditët të numëruara. Na e morën të keqen!
Ika me mëdyshje. Rrugës numëroja hapat. Hidhja këmbën e majtë dhe thosha “ta marr!”, hidhja të djathtën dhe thosha “mos ta marr!”. Me cilën këmbë do hyj në shtëpi për atë do të vendos, i thashë vetes. Po kur isha fare afër derës m’u kujtua babai. Se, që ta dish ti, jam nga familje kulakësh unë. Në kohën e komunizmit im atë rrinte gjithë kohën me radio në vesh. Dëgjonte Vatikanin, Zërin e Amerikës… Unë isha i vogël atëherë. Çdo darkë fërkonte duart dhe më thoshte: “Dëgjo mua. Morën fund këta! I kanë ditët të numëruara. Na e morën të keqen!” Vinte e nesërmja dhe i njëjti avaz. Kështu kaluan ditë, muaj, vite. U bënë 50 vjet dhe komunistët nuk ikën…
Unë e shihja me habi. Më dukej vetja në ëndërr. Sikur shihja një film të viteve të para të pasçlirimit, ku të mundurit ëndërronin ditë më të mira pa pyetur fituesit
Edhe ai, pa pyetur për përhumbjen time, vazhdoi:
-Nuk isha budalla të prisja. E mora mandatin. Kështu ti po e pi kafenë me një deputet…
Dhe fytyra e deputetit shkëlqeu nga lumturia.
Unë qesha.
Ai ndoshta u habit pse unë qesha, sepse nuk mund ta mendonte se si lumturia e tij më bënte të shqyesha gazit.