Një shumicë e madhe po vuan si Krishti se nuk ka lekë, një pakicë e vogël po vuan si Harpagoni, se nuk gjën vënd ku t’i fshehin lekët! Përfytyroni Jezu Krishtin para Harpagonit. Përfytyroni edhe Harpagonin para Jezu Krishtit në ditën e gjykimit. Nuk është gjyqtar Gjin Gjoni, është Shën Pjetri. Por aty janë edhe Gjin Gjoni, edhe Xhezair Zaganjori, edhe Saliu, edhe Rama, edhe Meta çift, edhe Basha e deri tek Taulanti.
Shkruan Sokol Pepushaj
Nuk e largoi Rama jo, iku se i erdhi koha të ikë.
Mori pak viktima?
Jo, mori aq sa mundi të marrë dhe trëmbi aq sa mundi të trëmbë.
Coronavirusi erdhi si mashtrues dhe iku si tinzar. Erdhi si mashtrues, se fillimisht u paraqit me “program” sikur do të merrte vetëm të moshuarit. Edhe ndër ata, do “përzgjidhte” më të dobëtit. Por nuk i mbajti “prëmtimet”. Si Rilindja.
Edhe Rilindja, në vitin 2013, erdhi me platformë se do t’ua merrte pasuritë e vjedhura të pasurve dhe do t’ua jepte të varfërve. Nuk e bëri. Sulmoi pikërisht të vetët, të varfërit. Sulmoi ata që e sollën në pushtet. U mori atyre edhe kacillen e vetme që kishin, edhe kafshatën e vetme që kishin. Ua grabiti atyre dhe ua kalojë bosëve, milionerëve.
Sot kemi coronavirus dhe coronarilindje.
Coronavirusi iku, Coronarilindja nuk e ka ndërmënd të ikë.
Virusi në fakt, na ka lajmëruar se po largohet përkohësisht dhe, mund të na vizitojë sërish. Edhe vesin edhe vëndin ja dimë. Do të qëndrojë nëpër ajër, nëpër tokë, nëpër objekte, nëpër ujë, nëpër… e dimë se ku.
Pra, në një farë mënyre duhet të bashkjetojmë me të dyja.
Edhe qeverisë ja dimë, si veset që ka, si vëndet ku mrizon e dimëron. Ka ves vjedhjen, pabesinë, hakmarrjen. Vëndet që i pëlqejnë më shumë të gjezdisë janë Surreli, Kodra e Diellit, Gjiri i Lalzit, tenderat, doganat, investimet, projektet, donacionet, plantacionet me drogë, pazaret e krimit, ekranet televizive, sallonet e modës, shëtitjet në vëndet ekzotike, Hotelet e shtrenjta e deri xhepat tanë.
Ky dreq virusi, na i bëri “gjellët” pa shije fare. Ky dreq virusi, ja ngushtoi shumë rrugën këtij populli drejt lirive e jetesës më të mirë. Kjo është pranvera ku pritej peshk i madh.
Pikërisht pse peshku është fshehur, do jetë pranverë e Peshqve të Mëdhenj.
Ky dreq virusi na “trëmbi” edhe peshqit edhe OFL-në, organizatën Forca Ligjit. Ky dreq virusi u krijojë komoditet hajdutëve dhe u bëri shumë të thjeshtë përdorimin e dajakut mbi popullin, kur ai nuk e mbyll gojën.
Goja e mbyllur nuk mundet t’i japë zë fjalës hajdut. Ngjan kështu, pikërisht se nuk është kështu. E provoi Enveri dhe nuk i funksionoi.
Vjedhjet, nënshtrimet, pushtimet e shtresave të varfëra shoqërore, nuk qëndrojnë dot mbi karroceri te blinduara në Lindjen e Largët. Atje, kur ndihet erë diktature, çelin lulet nëpër Pranverat Arabe. Lëvizjet civile kanë tundur e do të tundin juntat.
Edhe ne kemi juntë, kemi pranverë, kemi lule, kemi edhe arabë. Thjeshtë, na mungon Lëvizja Civile.
Mungon, pikërisht se nuk mungon.
Shoqërive civile ndër shqiptarë, dikush ua ka marrë topin.
Në Shqipëri, topi ka rënë në bahçe të Edi Ramës.
Edhe në Kosovë po kështu. Në ndeshjen Albin Kurti-Isa Mustafa, topi ka fluturuar në bahçe të Presidenti të Serbisë, Aleksandër Vuçiç.
Po Lul Basha ku e ka topin?
Luli nuk ka fare top. Edhe kur luan, luan me top të Berishës.
Po Berisha a luan ndonjëherë?
Berisha dhe Meta nuk luajnë me top prej lëkure. Ata luajnë me topa kundra tank, kundra ajror, dhe më të lehtin top që përdorin, është një tip kundra-ajror, 12.7 mm. Njëlloj si ai kundra-ajrori i Agushit tek “Njeriu me Top” i Dritëroit. Agushi, kur një nënë shqiptare e pyeti në është mysliman, bëri budallain. U shtir si budalla se nuk ishte budalla.
-Jo nënë jo, nuk jam mysliman, jam më shumë se mysliman, jam partizan.
Pra, si Agushi, edhe Berisha e Meta, nuk janë lojtarë, janë superlojtarë.
E harruat 1997-ën?!
Kanë shumë të drejtë njerëzia që i lakojnë me frikë e urrejtje emrat e Berishës e Metës.
Berisha ka fshehur çelësin e arkës së Noas , si me thënë, në Malin Ararat” të Turqisë së sotme, ose prapë si me thënë, në Malin me Gropa të Shqipërisë së sotme. Berisha ka aty sekrete shtetërore, pasuri përrallore, tragjedi njerëzore. Berisha ka në grusht shpresën e një pjese shqiptarësh. Ka në atë arkë edhe Lulzim Bashën. Edhe opozitën e fundlistave aty e ka.
Po Meta?
Meta mban peng shpresën e pjesës tjetër të shqiptarëve. E bën thjeshtë, përmes Edi Ramës. Nuk është skraparli budalla jo. Po përdor formulën e titanit Promete, atë të 700 viteve përpara Krishtit.
E njohur, e dhimbshme. Kush del nga rruga e përcaktuar, atëherë nga Perendia, sot nga hajnia, do të lidhet i zhveshur në një shkëmb, si me thënë, tek Shkëmbi i Kaukazit, apo, prapë si me thënë, tek Shkëmbi i Kavajës.
Në legjendë, shqiponja shkonte e hante në mëlçinë e Promete-ut.
Kjo e tmerron Edi Ramën. Mëlçia.
Edhe coronavirusi ka oreks e shije si shqiponja. Mëlçi han.
Prandaj është mbyllur në bunker dhe nuk ka dreq që e nxjerr prej andej, edhe pse të gjithë bota po i kthehet normalitetit.
Gjithkush kërkon të kafshojë gjikthkënd
Besimi është fshehur, nuk dihet se ku. Ekonomia është fshehur, dihet se ku. Qeveria është fshehur, shihet se ku.
Në fushë të lojës janë tre lojtarë të çuditshëm që luajnë me një portë.
1-Populli.
2-Rilindja.
3-Fajin e ka Berisha
Loja vazhdon, por syri e shpirti i këtij populli janë tek leku.
Një shumicë e madhe po vuan si Krishti se nuk ka lekë, një pakicë e vogël po vuan si Harpagoni, se nuk gjën vënd ku t’i fshehin lekët!
Përfytyroni Jezu Krishtin para Harpagonit. Përfytyroni edhe Harpagonin para Jezu Krishtit në ditën e gjykimit.
Nuk është gjyqtar Gjin Gjoni, është Shën Pjetri. Por aty janë edhe Gjin Gjoni, edhe Xhezair Zaganjori, edhe Saliu, edhe Rama, edhe Meta çift, edhe Basha e deri tek Taulanti.
Gjyq do bëhet, se kështu thotë “Shën” Donald Trump-i.
I trëmbet gjyqit Kina, Meksika, Koreja e Veriut, Kim Jong Un që është rëndë në spital…
Trëmbur janë, edhe hajdutët shqiptarë./Pamfleti