Shkruan Zef Ndreka
(Në mungesë të asaj që nuk bën Kosova).
Çdo të thotë kjo?
Për ta analizuar, sëpari duhet të kemi të qartë çfarë është garancia shtetërore si deklarim zyrtar i një shteti, drejtuar një gjykate ndërkombëtare.
Në garancinë shtetërore , qeveria e Shqipërisë duhet të marr konkretisht përsipër përgjegjësi se Hashim Thaqi dhe tre të akuzuarit e tjerë nuk do të arratisen, se do të respektojë kushtet e lirimit, se do ta kthejë personat para gjykatës sa herë të kërkohet dhe se do të monitorojë sjelljen e tyre gjatë kohës së lirimit.
Kjo lloj garancie është përdorur shumë herë nga vende të ndryshme për persona të gjykuar në tribunale ndërkombëtare.
A mund ta bëjë ligjërisht Shqipëria?
Sigurisht që e ka edhe të drejtë juridike sepse
sipas standardit të tribunaleve ndërkombëtare çdo shtet sovran ashtu si Shqipëria, mund të ofrojë garanci për të pandehurit përfshirë Hashim Thaçin dhe tre të akuzuarit e tjerë.
Për këtë, shteti ynë mundet dhe duhet të japë deklaratën zyrtare për këtë rast dhe gjykata (Dhomat e Specializuara në Hagë) ta pranojë si të besueshme dhe të mjaftueshme.
Garancia shtetërore është veç të tjerash edhe një e drejtë politike dhe diplomatike e Shqipërisë, e pandaluar nga asnjë lloj ligji ndërkombëtar.
Pavarësisht se sa i mjaftueshëm do të ishte vetëm vullneti i Shqipërisë me gsrancinë që mund të japë, sigurisht që vendimin final e merr Gjykata Speciale në Hagë e cila vlerëson disa faktorë që lidhen me rrezikun e arratisjes, me ndikimin e mundshëm në dëshmitarë, me sigurinë publike dhe seriozitetin e garancisë së shtetit.
Kjo do të thotë se garancia shtetërore nuk e detyron gjykatën, por i jep një bazë ligjore që të shqyrtojë lirimet me kusht deri në përfundim të vendimeve.
Pse Shqipëria mund dhe duhet të japë një garanci të tillë?
Shumë e thjeshtë, sepse kemi marrëdhënie shumë të ngushta politike me Kosovën dhe kemi interes strategjik për stabilitetin rajonal.
Sepse shteti shqiptar mund të argumentojë se është e aftë të sigurojë mbikëqyrjen e kushteve të lirimit kur ekzistojnë tashmë tradita të tilla në çështje ndërkombëtare gjyqësore.
Nga ana tjetër, ky do të ishte një akt politik i fortë që kërkon vullnet të qeverisë dhe pëlqimin e institucioneve ligjore të vendit.
Eshtë momenti që kërkon guxim dhe koordinim të lartë shtetëror.








