“Shpërthen” gazetarja Xhunga: Kush vjedh pasurinë kombëtare, t’i merret pasuria personale!

0

Ngjarjet e fundit por edhe intervista e historianit Marenglen Kasmit, për vjedhjen e floririt të shtetit nga mbreti Zog, sipas gazetares Rudina Xhunga, tregojnë se sëmundja e korrupsionit në vendin tonë është e vjetër dhe nuk është shpikur në kohën e tranzicionit. Por përsa kohë nuk ka ndëshkime për politikanët, historia ka të ngjarë do të përsëritet.

“Çështja Çez-Dia është një çështje që i ka shkaktuar shtetit shqiptar 414 milion dollar humbje që kanë ikur nga buxheti i shtetit. Që i ka marrë kush?

Kjo është ajo që duam të dimë. Ka një të dënuar, Kastriot Ismailaj, por një gjë është e sigurt që ai nuk i ka marrë të gjitha vetëm. Kush i ka marrë do mundohemi ta mësojmë kur SPAK t’i shkojë deri në fund kësaj çështje.

Shqiptarët e trajtojnë herë pas here si Big Brother, si shoun e radhës, si shoun për konsum, faktin që politikanët shkojnë në SPAK dhe dalin.

Meta dhe Mediu nuk mu dukën të buzëqeshur, gjithsesi uroj të mos buzëqeshin kaq shumë sepse nuk është vendi i një parade, por është vendi ku përcaktohet fati i një karrierës tënde politike dhe uroj që në vende të varfra si i yni jo vetëm të karrierës politike, por edhe të financave.

Pasi në një vend si i yni ia del të riciklohesh, por nëse t’i marrin të gjitha paratë s’ka si t’ia dalësh. Në vende të vogla dhe të varfra si i yni paratë fatkeqësisht janë thelbi, janë fillimi dhe fundi.

Dje kishim një emision të rëndësishëm me Mareglen Kasmin, ku folëm për deklaratën, që tregonte se sa shumë para ka marrë Mbreti Zog. Është një denoncim i një personi me emër dhe mbiemër që i drejtohet, besohet Jakomonit ku i thotë se sa flori ka marrë me vete ish-mbreti i shqiptarëve Zogu.

Historiani e shpjegoi qartë dhe më bëri të kuptoj që sëmundja e korrupsionit këtu është e vjetër nuk është shpikur në kohën e tranzicionit. Është e hershme dhe vjen nga vendet që na kanë pushtuar.

Sipas historianit, Zogu nuk ka marrë sasinë në të cilën bëhej fjalë në atë letër denoncuese, por ka marrë një tjetër shumë, me kursin e këmbimit të sotëm 268 milionë dollarë.

Zogu i ka marrë të gjitha të futura në 13 thasë të vegjël dhe ka ikur. I la shqiptarët në mëshirë të fatit. Marenglen Kasmi shpjegoi që paratë e Zogut nuk ishin para të ardhura nga një aktivitet prodhues apo shpikje që mund të kishte bërë, por vinin nga marrëveshje të fshehta që më pas u bënë të hapura.

Historianë të ndryshëm thonë se Zogu i kishte paratë e veta, të pasurisë së tij, por jo në fakt, zoti Kasmi tha se ato para nuk ishin të tij por të shqiptarëve, e tokave të këtij vendi, deteve dhe diellit të këtij vendi, i cili nuk u shit për herë të parë nga Zogu.

Fatkeqësisht ne kemi pasur herë pas herë njerëz që na kanë drejtuar duke na vjedhur dhe kanë ikur për të bërë një jetë të tyre jashtë shteti. 3 milionë dollarë vlerësohej vila e Zogut në atë kohë në Amerikë, thotë Kasmi.

Interesante është që gjithçka është e faktuar dhe paratë që mori janë të faktuara. Një ditë para, Zogu kërkoi të dinte se sa para kishte në arkën e shtetit shqiptar të themeluar vonë, ndërsa të nesërmen ai dërgoi njerëzit e tij dhe i morën të gjitha paratë, i futën në 13 trasta.

U kërkua letra që u morën prej tij, por që nuk u dha nga njerëzit e Zogut. Ditën që Zogu u arratis nga Shqipëria njëri nga punonjësit e bankës me emër dhe mbiemër e ndoqi deri në fund Zogun për t’i marrë firmën për lekët që ishin tërhequr, sepse ato ishin në juridiksionin e tyre.

Kjo tregon që ka pasur dhe punonjës të ndershëm shteti shqiptar dhe ka akoma. Ka akoma punonjës në administratë që e duan punën dhe e vlerësojnë punë. Që e duan firmën dhe e dinë vlerën e një firme. Ka njerëz që nuk e shesin firmën.

Ka njerëz që e kanë respektuar dhe dashur shtetin që në krijim. Ne e dimë të gjithë se kush është Zogu dhe i kemi ndërtuar edhe shtatoren mes Tiranës, por problemi është që ky mbret vodhi shtetin shqiptar.

Por në fakt shtatore duhej t’ i ishte bërë atij punonjësi të administratës që kërkoi firmën, që kërkoi të mbronte shtetin. Administrata shqiptare nga njerëz të tillë duhej të ishte bërë.

Por fatkeqësisht ne kemi nderuar të keqen, primitive, banalen, kemi nderuar atë që na vjedh, edhe na bën të ndjehemi budallenj dhe pastaj na bën të themi që ‘bravo i qoftë na e futi ai’.

Mendohuni se sa punonjës të administratës shqiptare, drejtorë institucionesh janë jashtë. Me çfarë parash jetojnë ata. Me paratë tona, me paratë që na mungojnë neve, jetojnë ata.

Kjo është historia e moralit që të kuptojnë se kur janë të vjedhur nuk mund të nderojnë vjedhësin, duhet ta dënojnë vjedhësin. Dhe kjo nuk ka të bëjë me politikën, kjo ka të bëjë me moralin, me etikën.

Ndërkohë po të krahasosh, Zogu i ka vjedhur shtetit 268 milionë dollarë ndërkohë një marrëveshje e CEZ-DIA-s i ka shkaktuar shtetit 414 milionë euro. Sot që shteti ka ndryshuar dhe ka më tepër të ardhura, nuk ka ndryshuar asgjë vetëm sa është rritur në proporcion vjedhja.

Shumë prej marrëveshjeve që janë bërë për pasurinë kombëtare shqiptare siç është për shembull marrëveshja e TAP-it, e cila është një nga marrëveshjet më diskriminuese, duhen rishikuar sepse njerëzit që kanë firmosur kanë marrë para”, u shpreh gazetarja Xhunga.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu