Qytetarë dhe aktivistë u mblodhën në Beograd për të tretën mbrëmje me radhë para selisë së Komisionit Republikan të Zgjedhjeve (RIK) duke kërkuar anulimin e zgjedhjeve në kryeqytetin e Serbisë.
Sipas mediave serbe demonstruesit u mblodhën me ftesë të koalicionit më të madh opozitar “Serbia kundër dhunës”.
Bëhet fjalë për koalicionin i cili më 18 dhjetor i paraqiti kërkesë RIK-ut për anulimin e zgjedhjeve në kryeqytet, duke pretenduar se fitorja e Partisë Progresive Serbe (SNS) në pushtet në Beograd ishte rezultat i vjedhjes së zgjedhjeve.
Rruga ku ndodhet Komisioni Republikan i Zgjedhjeve në Beograd është e bllokuar për qarkullim dhe protestuesit e mbledhur thërrasin “Hajdutë” dhe “Zgjedhje”.
Dy liderët e koalicionit “Serbia kundër dhunës”, Marinika Tepiç dhe Miroslav Aleksiç, janë në grevë urie që nga 18 dhjetori në ambientet e RIK-ut.
Ata kanë thënë se do të vazhdojnë me grevën e urisë deri në plotësimin e kërkesave.
Ndërkohë kryetari i Komisionit Republikan të Zgjedhjeve, Vladimir Dimitrijeviç ka përsëritur në seancën e mbajtur më 20 dhjetor se ky institucion nuk është kompetent për anulimin dhe përsëritjen e zgjedhjeve në Beograd.
Kujtojmë se Zyra e OSBE-së për Institucione Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (ODIHR) njoftoi më 18 dhjetor se zgjedhjet u shënuan nga parregullsi të rënda, keqpërdorime të fondeve publike, dominim mediatik i presidentit Aleksandar Vuçiç, një fushatë negative dhe përhapje frike.