Shembja e karburantit të“Gega Oil”! Edi Rama deklaron: Kush firmosi, në burg

0

Kryeministri Edi Rama akuzoi kryebashiakët e mbledhur sot në kryeministri se japin leje të paligjshme për ndërtimin e karburanteve në rrugët kombëtare, e ndërsa për pastrimin e këtyre rrugëve nuk kujdeset askush.

Rama tha se asnjë kryebashkiak nuk ka të drejtë të japë asgjë në rrugët kombëtare, teksa shtoi se në bashkiën e Lushnjes do të shkojnë në prokurori të gjithë ata që firmosën lejen e ndërtimit të karburantit “Gega Oil” që u shemb nga IKMT një ditë më parë.

“Panorama është e qartë, asgjë e re nuk u tha në kuptimin që nuk ka shqiptarë që nuk ngacmohet nga këto pamje, të cilave duhet t’u japim fund me sezbën. Nëse kthejmë kokën pas, ka ndodhur një ndryshim i rëndësishëm, por populli nuk pyet si ke qenë dje, por si je sot dhe sot situata është në udhëkryq dhe duhet ët dalim tani, jo pas disa vitesh. Duhet vetëm qartësi dhe vullnet. Kemi bashkitë që sot kanë përgjegjësi për një territor që mbulon qendrën, periferinë dhe zonë rurale. Për fat të keq kemi në Shqipëri një numër të papranueshëm venddepozitimesh abuzive, të paligjshme, kriminal në raport me mjedisin dhe në shkelje të detyrimeve ligjore që çdo ditë përdoren nga ju. Kemi pastaj pirgjet e plehrave lart e poshtë, kemi rrugët kombëtare që janë problem më vete, për të dhënë leje të paligjshme për karburante hyni edhe te rrugët kombëtare, kur vjen puna te pastrimi as nuk hyni në rrugën kombëtare dhe as jua kërkon kush. Për atë karburantin e prishur dje, do të shkojnë në prokurori të gjithë ata që kanë firmosur në bashkinë e Lushnjes. Bashkitë nuk kanë të drejtë të japin asnjë leje për asgjë në rrugët kombëtare”, tha Rama.

Çfarë ndodhi ditën e djeshme:

Ditën e djeshme karburanti e “Gega Oil” ngritur pa leje përgjatë aksit rrugor Fier-Lushnje u shemb nga Inspektoriati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit.

Fadromat e IKMT rrëzuan konstruksionin metalik dhe gjithë ndërhyrjet e tjera të paligjshme të bëra nga subjekti, i cili gjithashtu u ndëshkua me gjobë në vlerën rreth 3.8 milionë lekë të reja.

Operacioni për shembjen e ndërtimeve pa leje nisi në qershor të këtij viti dhe rifilloi në shtator përgjatë gjithë vijës bregdetare.

Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi, ka përsëritur vazhdimisht se nuk kemi të bëjmë thjesht me një aksion, por me një proces të vazhdueshëm për kontroll të plotë të territorit. Në funksion të kësaj së fundit, pritet që Shqipëria të blejë edhe dronë inteligjentë.

Shembja e karburantit pa leje “Gega Oil”! Rama paralajmëron

Shembja e karburantit pa leje “Gega Oil”! Rama paralajmëron

Problemet e kompanisë “Gega Oil” me ligjin:

Kujtojmë se më 10 Gusht 2019, policia e Shtetit dhe organet tatimore kanë bllokuar për evazion fiskal kompaninë “Gega Oil” ndërkohë që është shpallur në kërkim administratori i saj, Paulin Gega, i cili rezulton se është larguar jashtë shteti

Në njoftim te policisë thuhet se gjatë një kontrolli tatimor të ushtruar në datën 7 Gusht në subjektin “Gen Klaudis ShA”, që njihet me emrin tregtar “Gega Oil” , u gjetën pompa, të cilat në shkelje të ligjit, funksiononin në regjim manual. Pikërisht për këtë arsye u bë edhe bllokimi i aktivitetit për këtë firmë karburantesh, thuhet në njoftimin për mediat. Hetimet e mëtejshme, sipas policisë, treguan se administratori i kompanisë, Paulin Gega, përmes subjektit që ai drejton “Gega Oil”, ka kryer evazion fiskal në përmasa të konsiderueshme.

Gega edhe më herët ka pas probleme me organet tatimore. Ndaj tij nisi një procedim rreth katër vite më parë nga Drejtoria e Policisë Shkodër, për veprën penale fshehje e të ardhurave, por hetimet u pushuan për mungesë provash. Urdhër-ndalimi për Paulin Gegën e ka nxjerrë prokuroria e Tiranës për veprat disa penale, si; “Fshehja e të ardhurave”, “Ndryshimi në aparatet matëse” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale”. Ne njoftimin e uniformave blu thuhet se administratori i Gega Oil rezulton të jetë larguar jashtë vendit më datë 9 gusht, duke bërë shpalljen në kërkim të Paulin Gegës./Gazeta Shqip

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu