SHBA – Betejë e hapur në shtetet kritike, Trump ka shanse Nevadën me pak diferencë, Uiskonsin apo Miçiganin që do rinumrohen

0

Amerikanët votuan më 3 nëntor për të zgjedhur presidentin që do të qeverisë vendin për 4 vitet e ardhshme. Teksa rezultatet e zgjedhjeve priten me padurim, fituesi nuk është qartësuar ende për shkak se procesi i numërimit të votave nuk ka përfunduar në shtetet kritike.

Në këto zgjedhje, ku garuan republikani Donald Trump dhe demokrati Joe Biden, asnjë prej kandidatëve nuk ka fituar 270 delegatët e nevojshëm për të marrë drejtimin e Shtëpisë së Bardhë.

Bazuar në rezultatet jozyrtare të zgjedhjeve presidenciale në SHBA, të njoftuara nga agjencia e lajmeve “Associated Press” (AP), Trump ka fituar 48,1% të votave dhe 214 delegatë, ndërsa Biden 50,3% të votave dhe 264 delegatë deri tani.

Rezultatet nuk janë ende të qarta në shtete kritike si Alaska, Nevada, Pensilvania, Karolina e Veriut dhe Gjeorgjia.

Ndërkaq, Bill Stepien, menaxher i fushatës elektorale të Presidentit Trump, tha se do të kërkojë rinumërimin e votave në Uiskonsin.

“Presidenti është brenda kufirit të lejueshëm për të kërkuar rinumërimin dhe do ta bëjmë këtë menjëherë”, u shpreh ai.

Gjithashtu ekipi elektoral i Trump njoftoi se ka paraqitur ankesa ligjore në shtetet e Pensilvanisë dhe Miçiganit, të cilat mund të shërbejnë si bazë për të kundërshtuar rezultatin në këto shtete ende pa rezultat përfundimtar dhe që mund të jenë përcaktuese nëse presidenti do të sigurojë edhe një mandat të dytë.

Ankesat në të dy shtetet kërkojnë qasje më të mirë të vëzhguesve në qendrat ku përpunohen dhe numërohen votat.

Ekipi elektoral i presidentit amerikan po ashtu kërkon të jetë pjesë e një ankese tjetër në Pensilvani, e cila po shqyrtohet në Gjykatën e Lartë dhe ka të bëjë me numërimin ose jo të votave që mbërrijnë në qendrat e numërimit tre ditë pas mbylljes së votimeve, sipas Justin Clark, ndihmësmenaxher i fushatës elektorale të Presidentit Trump.

Avokatët e presidentit po kërkojnë ndalimin e përkohshëm të numërimit në këto dy shtete derisa vëzhguesve t’u krijohet një qasje “domethënëse” në shumë qendra ku numërohen votat dhe të lejohen të shikojnë fletëvotimet që janë nxjerrë nga zarfet dhe janë përpunuar.

Presidenti Trump është në disavantazh të lehtë ndaj rivalit demokrat Biden në Miçigan. Ai vazhdon të kryesojë në Pensilvani, por diferenca po shkurtohet sa më shumë vota që numërohen.

Nga ana tjetër, demokrati Joe Biden tha se çdo votë duhet të numërohet.

“Pas një nate të gjatë numërimi, është e qartë se jemi duke fituar mjaftueshëm shtete për të arritur 270 vota elektorale të nevojshme për të marrë presidencën. Unë nuk jam këtu për të deklaruar se kemi fituar, por jam këtu për të raportuar se kur të përfundojë numërimi, ne besojmë se do të jemi fituesit”, tha ish-ndihmëspresidenti amerikan.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu