Sali Berisha spiun i Sigurimit të Shtetit Komunist, internoi në vitin 1982 kardiologët Milto dhe Margarita Kostaqi

0

Për herë të parë, emisioni investigativ, hedh dritë mbi dëbimin nga Tirana të mjekëve të njohur Milto dhe Margarita Kostaqi në vitin 1982. Dëshmia e mjekes (e ndarë nga jeta në 2011-ën) dhe 9 personave të tjerë, zbulon veprimet e Sali Berishës, asokohe sekretar partie, i cili i shikonte çiftin e mjekëve si kundërshtarë të tij

Nga FIKS FARE

Emisioni Investigativ “Fiks Fare” hedh dritë mbi një nga ngjarjet më të bujshme të viteve ’80, me protagonist kryesor Sali Berishën, në atë kohë sekretar partie, i cili me veprimet e tij ka arritur që të internojë një nga mjeket më të njohura të asaj kohe, znj. Margarita Kostaqi dhe bashkëshortin e saj mjek, Milto Kostaqi. Për herë të parë, me zë dhe figurë, “Fiks Fare”, publikoi mbrëmjen e së martës (7 dhjetor 2021) dëshminë e mjekes, të ndarë nga jeta në vitin 2011, e cila tregon se njeriu kryesor për dëbimin e saj ka qenë ish-kolegu Sali Berisha, me të cilin në atë kohë kishte edhe një raport njerëzor. Ndërkohë, 9 kolegë dhe të njohur të saj, kanë treguar ndër vite për kamerën e emisionit investigativ të gjithë historinë, ku e përbashkëta e tyre ka qenë vetëm një emër; ish-Presidenti dhe ish-Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha.

Lexo edhe :  Publikohen fotot e Berishës në shtëpinë e Enver Hoxhës/ Ish-kryeministri deklaronte se nuk e kishte takuar asnjëherë diktatorin

Historia e Margarita Kostaqit, dhe bashkëshortit të saj Milto Kostaqit, fillon në ish-vilën qeveritare nr.30, atje ku në vitet ’80 banonte kryeministri i atëhershëm i Shqipërisë, Mehmet Shehu, dhe familja e tij. Mbrëmjen e 18 dhjetorit të vitit 1981, ish-kryeministri Mehmet Shehu gjendet i vrarë në dhomën e gjumit. Pas këtij fakti, gjithë njerëzit që punonin me të kaluan në sitën e partisë dhe të Sigurimit të Shtetit. Të njëjtin fat pati dhe grupi i mjekëve që punonte pranë kryeministrit. Ata u larguan. Midis tyre edhe mjeku Milto Kostaqi, burri i Margarita Kostaqit.

Fiks Fare / Sali Berisha internoi në vitin 1982 kardiologët Milto dhe

Për çudinë e të gjithëve, në vend që të përjashtohej nga partia Milto Kostaqi, u përjashtua bashkëshortja e tij, Margarita, e cila punonte si mjeke kardiologe në Spitalin nr.1, Tiranë, sot QSUT. Margarita Kostaqi kishte mbaruar shkëlqyeshëm Fakultetin e Mjekësisë dhe ishte e specializuar në Francë për kardiologji. Ajo gëzonte një autoritet të padiskutueshëm, falë aftësive profesionale dhe karakterit të saj.

Vdekja e kryeministrit shqiptar dhe largimi i Milto Kostaqit nga klinika e bllokut, ku ai punonte si mjek i Mehemet Shehut, ishte rasti më i mirë për të hequr qafe gruan e tij, që kontrollonte pavijonin e kardiologjisë, ku punonte edhe Sali Berisha.

Margarita në 2010-ën: Ishim shokë me Berishën, tani e kam shumë frikë!

Në vitin 2010, Margarita Kostaqi, ka dëshmuar kalvarin e saj të jetës, uljet dhe ngritjet në karrierë, ku në fokus ka qenë vendimmarrja e vitit 1981. Në momentin e kësaj dëshmie, në krye të qeverisë ishte Sali Berisha, për të cilin tha se “atë e kam frikë, atëherë jo se ia përmblodha të tëra, por unë tani kam frikë, nuk dua të përzihem”.

Fiks Fare / Sali Berisha internoi në vitin 1982 kardiologët Milto dhe

Kardiologia, e cila ka ndërruar jetë në vitin 2011, ka treguar me detaje jetën e saj, ndërsa tha se ka dy fëmijë një vajzë dhe një djalë. Në 2010-ën tregoi se, edhe pse mjekë të njohur, nuk kishte një shtëpi, të cilën e kishin shitur në kohën e fajdeve shumë lirë. Ajo tregoi se ka qenë e dëbuar, të padëshirueshëm, ku fillimisht kanë tentuar që ti çojnë në Kryevidh, por më pas shkuan në Durrës, me “ndihmën” e Muho Asllanit, i cili në atë kohë ka qenë Sekretar Partie në Durrës.

“Pas 2 vitesh na dhanë shtëpi, se venim e vinim çdo ditë në Tiranë. Për ne ishte ndryshim i madh, por njerëzit na pritën jashtëzakonisht mirë. Njerëzit na kanë mbajtur në pëllëmbë të dorës, prandaj kemi qëndruar gjithë kohën” ka dëshmuar Margarita, teksa thotë se marrëdhënia me njerëzit ishte shumë e mirë, ndërsa me partinë shumë e diferencuar. “Të partisë lanë djalin 4-5 vjet pa shkollë.

Populli, po të hynim ne në një kafene, ngriheshin në këmbë” pohon ajo, ndërsa tregon se edhe pas ’90-ës kanë vijuar që t’i shohin “si të persekutuar”. “Deputetët e PD-së kanë qenë të diferencuar, meqenëse sekretar ishte Saliu dhe ne u dëbuam nga Saliu, edhe ushqehesh urrejtja” vijon mjekja, e cila hezitonte që të fliste në publik.

Fiks Fare / Sali Berisha internoi në vitin 1982 kardiologët Milto dhe

“Nuk dua. Pse të flas? Është një gjë e kotë, fëmijët u rritën, u martuan. Unë po të përmend do të më ngrihet tensioni, do të vdes. Nuk e kam takuar asnjëherë që atëherë. Nuk më ka kërkuar dhe nuk e kam kërkuar. Përse ta kërkoj? Që ti më ke çuar atje?! Shumë gazetarë më kanë kërkuar për të shkruar dhe i kemi përzënë. Është pemë pa kokrra, njerëzit e dinë se kush është fajtori.

U bënë 9 mbledhje partie për të na përzënë. Motivacioni ishte për Milton, kur vrau veten Mehmet Shehu. Unë dola se isha mendjemadhe, kryelartë, hedh hapin me forcë, egoiste, karrieriste, këto budallallëqe. Por themeli ishte Milto. Bëja ekon dhe filloja t’i përjashtoj nga diagnozat. Sepse të bëje ekon atëherë, diagnozat paloseshin me vesh. Përkrahje gjeti tek Ylli Popa, i cili tani kërkon falje. Por nuk ka kuptim më. Ky qe sekretar i Byrosë së Fakultetit, unë isha pedagoge dhe isha në organizatë” pohon mjekja, teksa kujton se me Salin ka qenë koleg dhe shok. “Punonte me mua. Ç’do fitoj? Mjeke jam, e qetë jam, me punë të mirë jam. U ndjeva keq kur u bë rehabilitimi. Jo i përndjekur, i internuar. Kur doja të çoja djalin që të vazhdonte juridikun, nuk iu dha as me demokracinë.

Fiks Fare / Sali Berisha internoi në vitin 1982 kardiologët Milto dhe

Desha një vërtetim që ishim të dëbuar, shkova në Ministrinë e Brendshme dhe më thanë se nuk jeni të regjistruar, pasi ishte shkruar ‘largoheni me dëshirën e vetë’. Nga pedagoge e parë, Shefe Katedre unë isha e larguar me dëshirë?! Çdo gjë e piketuar, e rregulluar. Kështu që unë nuk kam të drejtë asgjë. Shqetësohem kur e kujtoj. Ashtu më kanë dëbuar me kamionët e Gardës. Mblidh plaçkat një orë e më parë me urdhër të Hekuran Isait. Fillimisht më kanë përjashtuar mua, pastaj Milton. Tre herë e kanë kthyer përjashtimin tim. Herën e katërt u ngrit Tafaj, ‘po mirë’ – më tha – ‘duhet të ishte edhe ti një çikë vigjilente për burrin’. I thashë pse nuk del tamam, urdhëro teserën, e dija se çdo të hiqja për fëmijët dhe hoqa dorë” tregon kardiologia, teksa kujton se fëmijët kanë vuajtur shumë, por ajo bashkë me burrin jo, pasi “populli na respektonte, kishim një kënaqësi të jashtëzakonshme”.

Fiks Fare / Sali Berisha internoi në vitin 1982 kardiologët Milto dhe

Më tej thotë se nuk ka arritur që të mbrojë dizertacionin.

“Do ta mbroja në 20 tetor dhe në 2 tetor më sollën në Kavajë. E kam në kuti. Ia kam lënë këtij të ma vërë me vete në varr” pohon ajo, ndërsa thotë se me Berishën “talleshin shokët me të”. “Nuk e di sesi mbijeton ai njeri. Qenka i plotfuqishëm. Nuk e di, e ka nga Zoti ai fuqinë. I kam mjekuar vjehrrën, të shoqen, kemi ngrënë dreka, darka, shoqërinë e ngushtë. Ka pasur ego. Nuk mund të më shihte mua që të mbijetoja. I mjekoja babën me mustaqe, kur vinte nga Tropoja. Se më vinte si mjeke e mirë, nuk më hodhi poshtë nga profesioni mua, si karrieriste”, shton Kostaqi.

Më tej pohon se Saliu thotë e bëri partia, nuk e bëra unë.

“Por po ta bënte partia, duhet të më thërriste kur u bë President e kur u bë kryeministër. Më fal të thoshte. Të kërkonte falje. Më urdhëruan. Dhe unë jam dakord që e urdhëruan. Për një moment jam dakord, jo për logjikën, për një moment jam dakord, por do shtëpi? Se nuk kemi as shtëpi, e as katandi, ku e do punën ti dhe Milto? Po, jo, pu, pu, pu.

Unë nuk dua të di që ai e di që unë ekzistoj megjithë fëmijë. Nuk dua. Kam frikë, tani unë atë e kam frikë. Atëherë jo, se ia përmblodha të tëra. Zhduku procesverbalet se ishin histori, por unë tani kam frikë, nuk dua të përzihem. Në atë kohë po, kam folur, të gjitha. Ai më tha kështu mua; ‘ke shkuar në Itali, ke takuar motrën të martuar me gjeneral Italian. Unë as që kisha njeri në Itali. Motra ishte në Durrës.

Ka metoda e metoda kërcënimi. Është një liri e kërcënuar, nuk është një liri e plotë. Tani kam frikë nga e vërteta, e pësova një herë. Thashë të vërtetën dhe e pësova. Tani e kemi mbyllur burrë e grua, gjëja më e madhe është respekti i njerëzve. Ju lëmë një emër shumë të mirë fëmijëve, sa të merremi me këto cicmice. Më mirë të jemi të qetë. As rregullon, as prish punë. Mua më janë bërë mbledhjet në korrik të 1982 – shit, në tetor kam ardhur këtu. Nuk ekziston asnjë procesverbal.

Nëpërmjet të tjerëve kam marrë vesh që nuk ekzistojnë. Janë me skena të studiuara, jo kot, me lëvizje të matura. Neve na pëlqen që heshtim. Pse të kërkoj? Nuk kam pse, çfarë do të fitoj? Jam 70 vjeç, nuk më duhet asgjë. Më duhet gjithë gëzimi i njerëzve, si jeni? Ku i keni kalamajtë?”, përfundon Margarita Kostaqi.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu