Pas ish-kryeministrit Sali Berisha një prononcim për mediat ka dhënë kreu i grupit Parlamentar të PS, Taulant Balla.
Berisha para gazetarëve kërkoi largimin e ambasadorit rus nga Tirana dhe tërheqjen e ambasadorit shqiptar në Moskë. Lidhur me këtë deklaratë të tij, Balla tha se Berisha nuk ekziston për të dhe se nuk i jep vlerë tollumbaceve që lëshon Berisha.
“Mendoj se Kuvendi kishte një seancë të posaçme dhe për të gjithë ishte i qartë pozicioni i Ramës dhe vlerësimi i Zelensky-t për mbështetjen e ofruar nga Shqipëria. Në këtë aspekt, kashtë mbi tjegulla mund të vendosë gjithkush. Politikanë që e kanë mbyllur kapitullin e tyre nuk mund të vijnë me propozime që nuk kanë vlerë. Agresioni i Rusisë ka bashkuar botën dhe Shqipëria do të ndërmarrë të gjitha hapat. Unë kërkoj të merremi me gjëra serioze dhe jo deklaratat e një politikani që i ka mbaruar koha. Për mua, Berisha nuk ekziston më”, tha Balla.