Rrethimi i Politikës nga Drejtësia

0

Shkruan Zef Ndreka

Shqipëria sot ndodhet në provën e fortë dhe të fundit të shtetit, ku SPAK-u është shndërruar përkohësisht në qendrën reale të gravitetit të pushtetit, që përbën një paradoks, ndërkohë që drejtësia duhet të jetë shtyllë, jo bosht politik.
Ta analizojmë.
Shqipëria ndodhet sot në një nga momentet më të tensionuara dhe më domethënëse të historisë së saj postkomuniste. Për herë të parë që nga viti 1991, e gjithë klasa politike qeveri dhe opozitë njëkohësisht, ndodhet nën presionin real të drejtësisë.
Rrethimi institucional sot nga SPAK-u nuk shihet vetëm si një valë hetimesh, por më tepër, është shenjë qartë e një përplasjeje të madhe mes dy realitetëve, asaj të pandëshkueshmërisë së trashëguar prej më shumë se 30-vitësh dhe përpjekjes së vonuar për shtet të vërtetë ligjor.
Për dekada me radhë, politika shqiptare ka ndërtuar një sistem imuniteti të padukshëm, ku pushteti prodhonte siguri penale dhe drejtësia shërbente si dekor duke iu servilosur politikës. Por sot, ky ekuilibër i kalbur është thyer. SPAK-u, i lindur nën presionin ndërkombëtar dhe pritshmërive të një shoqërie të lodhur, ka hyrë tani në territorin e ndaluar, bash në zemrën e elitës politike. Pikërisht këtu nis paniku.
Qeveria, e cila deri dje e përmendte drejtësinë si arritje të saj, sot përpiqet të mbajë distancë taktike, duke ruajtur fasadën e mbështetjes, por duke llogaritur me frikë koston politike. Opozita, kryesisht përmes Berishës nga ana tjetër, flet me zë të lartë për drejtësi, por e bën këtë më shumë si armë kundër pushtetit sesa si akt pastrimi moral, pasi edhe ajo vetë mbart barrën e dosjeve të vjetra dhe të reja.
Në këtë vakum besimi, SPAK-u është shndërruar përkohësisht në qendrën reale të gravitetit të pushtetit. Kjo është një situatë paradoksale, pasi në një demokraci funksionale, drejtësia duhet të jetë shtyllë, jo bosht politik. Por Shqipëria nuk është ende një demokraci e tillë. Shqipëria është një shtet në pastrim, dhe pastrimi, si çdo proces i vonuar, është i dhimbshëm dhe shpesh destabilizues.
Rreziku më i madh nuk është hetimi i politikanëve, por politizimi i drejtësisë.
Kur politika ndihet e rrethuar, instinkti i saj i parë nuk është reflektimi, por mbijetesa. Sulmet ndaj SPAK-ut, viktimizimi publik, përpjekjet për ta paraqitur drejtësinë si selektive apo të komanduar, janë shenja të një klase politike që nuk pranon të humbasë privilegjin e paprekshmërisë.
Fundi i kësaj gjendjeje mbetet i hapur dhe varet nga një ekuilibër i brishtë. Nqs SPAK-u arrin të ruajë integritetin dhe profesionalizmin, edhe duke paguar kosto politike e mediatike, Shqipëria mund të dalë nga kjo fazë me institucione më të forta dhe me një elitë politike të detyruar të rigjenerohet.
Por nqs drejtësia kapet nga pazaret, atëherë ky rrethim do të mbetet vetëm një episod i fortë i përkohshëm në historinë e pandëshkueshmërisë shqiptare.
Kështu rrethimi nuk është betejë mes SPAK-ut dhe politikës. Është një betejë mes ligjit dhe zakonit të vjetër mes shtetit dhe kapjes së tij. Shqipëria tani po kalon në provën e fundit për tu bërë shtet normal. Dhe si çdo provë e tillë, ajo nuk do të ketë as fitues të pastër, as humbës pa pasoja, por do të përcaktojë se kush do ta shkruajë rregullin, dhe kush do ti nënshtrohet atij.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu