Është regjistruar zyrtarisht kandidatura e parë për garën për kreun e ri të Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK).
Është prokurori aktual i SPAK, Adnan Xholi ai që ka dorëzuar sot kërkesën në Këshillin e Lartë të Prokurorisë.
Aplikimet për drejtuesin e ri të SPAK mbeten të hapura deri në 18 dhjetor të këtij viti, kur edhe përfundon mandati i kreut aktual të SPAK, Arben Kraja.
Kush është Adnan Xholi
Xholi njihet si prokuror “i besuar i amerikanëve”, pasi është ndër të paktët prokurorë shqiptarë të nderuar me certifikatë mirënjohjeje nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Xholi ka mbajtur më parë detyrën e Drejtorit të Drejtorisë Gjyqësore në Prokurorinë e Përgjithshme, ka ushtruar prej më shumë se 5 vitesh funksionin e Drejtorit të Kontrollit të Hetimit në institucionin qendror të akuzës.
Më herët, prokurori Adnan Xholi ka mbajtur poste drejtuese në prokurori lokale, dhe për shumë vite ka qenë prokuror pranë ish-Prokurorisë për Krime të Rënda.
Në krye të Drejtorisë së Hetimit në Prokurorinë e Përgjithshme, tre muaj pasi kishte marrë këtë detyrë, bashkë me disa oficerë gjyqësorë të Policisë së Shtetit ai punoi me autoritetet amerikane për zgjidhjen e një çështjeje të trafikut të drogës dhe pastrimit të parave, ku ishte i përfshirë një shtetas shqiptaro-amerikan.