Një emër i njohur i kronikës së zezë, personazh dënimesh dhe lajmesh gazetash, ai është arrestuar sot në një përpjekje për t’u larguar nga Shqipëria, nën akuzën e organizimit të atentatit ndaj prokurorit Arjan Ndoj. Ai është 34 vjeçari nga Nikla e Krujës, Redjan Rraja, nipi i deputetit të PS, Rahman Rraja.
Mësohet se Redjan Rraja është arrestuar teksa ishte duke u larguar në drejtim të Malit te Zi. Policia dhe prokuroria kanë kërkuar arrestimin për shkak se kanë zbuluar gjurmët e ADN-së së tij në makinën që u gjet e braktisur në zonën e Shkafanës dhe që dyshohet se mund të ketë lidhje me atentatin e Shkozetit.
“Provat e sekuestruara po i nënshtrohen një analize të hollësishme nga grupi hetimor dhe një pjesë e tyre u dërguan në Laboratorin Shkencor për ekzaminim të mëtejshëm. Nga tërësia e provave të sekuestruara dhe bazuar në dyshimet e arsyeshme, u bë ekzekutimi i urdhër- ndalimit të lëshuar nga Prokurori i Krimeve të Rënda për shtetasin R. Rr, 34 vjeç, lindur e banues në fshatin Nikël, Fushë- Krujë, i dyshuar si një nga autorët e mundshëm të plagosjes me armë të prokurorit dhe dy shtetasve të tjerë”, u tha në njoftimin e policisë.
Ndërkohë reporterët e kronikës pohojnë se në një prej maskave të lëna në makinë është gjetur përshtyma e tij, e cila përputhet plotësisht më atë që ndodhet në arkivin e Policisë pas rindërtimit të profilit gjenetik.
Deri më tani raportohet se vetë Rraja nuk e ka pranuar që të ketë qenë pjesë e atentatit dhe as të ketë dijeni në lidhje me të.
Redjan Rraja, me profesion dentist, rezulton të jetë përfshirë në dy ngjarje, që krijuan një impakt të madh në opinionin publik: vrasja e Elton Çiços dhe dhuna ndaj Xhisiela Malokut.
Andi Bushati:Nëse policia politike e Rilindjes ka kapur atentatorin e vërtetë…
Redjan Rraja është dënuar me 8 muaj burg nga Gjykata e Tiranës, pasi u akuzua për “veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës” në vrasjen e mikut të tij, Elton Çiço, më 1 maj 2016.
Në atë kohë, gjykata akuzoi Redjan Rrajën se kishte treguar veprimet e viktimës në shoqërinë e tij, para se ai të qëllohej për vdekje, në një lokal në zonën e ish-Bllokut, në Tiranë. Rraja ka qenë i ulur në tavolinë me Çiçon, kur ky i fundit është qëlluar me breshëri plumbash, duke mbetur i vdekur në vend.
Ndërkohë, emri i Redjan Rrajës del edhe në ngjarjen e bujshme të dhunës së ushtruar ndaj Xhisiela Malokut. Ishte ish-oficeri i Fushë Krujës, Emiljano Nuhu, që kallëzoi në komisariatin numër 6, në Tiranë, se është kërcënuar nga Redjan dhe Ramazan Rraja, për çështjen “Xhisiela”.
“Ne e shkrijmë të gjithë komisariatin dhe ty s’të kemi asgjë. Do të të zhdukim ty bashkë me familjen, po thirre më njeri nga fisi jonë ta marrësh në pyetje. Do të zhdukim ty bashkë më familjen tënde për 24 orë nëse vazhdon merresh me ne dhe mos të të shohim më në Fushë Krujë. Ligjin në Fushë Krujë e bëjmë ne dhe jo ti”, mësohet se i kishin thënë oficerit Redjan dhe Ramazan Rraja.
Por atëherë për denoncimin e ish oficerit të policisë ndaj Redjan Rajës nuk e vuri njeri ujin në zjarr. Nuhiu u shpall armik nga qeveria dhe u detyrua të mari rrugën e azilit. Ndërsa sot, deputeti socialist Rahman Raja e ka mohuar lidhjen e afërt me njeriun që kërcënonte në emër të të birit të tij. Ai ka deklaruar se kanë një lidhje të largët.
“Gjyshi i Redjanit me babain tim janë vëllezër prej babait. Ai është i afërm, në Nikël ne jemi mbi 170 persona që kemi një mbiemër Rraja, ku të gjithë kemi pasur një gjysh që e ka pasur emrin Ramazan.
Kushdo që të jetë duhet të përballet me drejtësinë dhe të marrë dënimin më maksimal. Nuk kam asnjë njohje, Redjani më shumë ka qëndruar jashtë se në Shqipëri. Ka pasur një profesion dentist që ka punuar dhe kaq”, tha Rraja për Ora News.
Ndërsa shefi i deputetit, kryeministri Rama, u mjaftua duke përshëndetur punën e policisë dhe u zotua si para gjashtë vitesh kur qe në opozitë se shumë shpejt: “Do t’i nxjerrim “ujë të zi” foleve të krimit të organizuar”.