Rada Trajkoviq: Para se të mbahen zgjedhjet në Veri duhet të ndalen bandat

0

Të hënën e 7 nëntorit, 10 deputetët e Listës Serbe dorëzuan mandatet e tyre në Kuvend në shenjë revolte për vendimin e Qeverisë së Kosovës për targat. Për zëvendësimin e tyre tashmë kanë nisur procedurat.

KQZ ka rekomanduar personat që do t’i zëvendësojnë deputetët e dorëhequr, 9 prej tyre janë nga Lista Srpska, ndërsa një është nga partia tjetër serbe GI-SPO. Në rast se deputetët e Listës Serbe refuzojnë të betohen, atëherë radha i shkon edhe Rada Trajkoviqit nga GI-SPO. Trajkoviq ka treguar se a do t’i bashkohet Kuvendit të Kosovës dhe cilat janë kushtet e saj, derisa ka një kritikë edhe për Kurtin e Vuçiqin.

Kundërshtarja e Vuçiqit, politikania serbe në Kosovë, Rada Trajkoviq, ka thënë se do të pranojë të hyjë në Kuvend si deputete në rast se të propozuarit e Listës Serbe e refuzojnë këtë post. Mirëpo Trakoviq, emri të cilës qe dy ditë po përmendet në Serbi( fashisti Vojislav Seselj tha se “atë do ta vrasin shqiptarët për t’ia lënë Serbisë), ka një kusht.

Në një bisedë për Gazetën Express, ajo kërkoi respektimin “e plotë” të marrëveshjes së Brukselit dhe implementimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për Manastirin e Deçanit.

“Nëse do të na kërkohet të ndërhyjmë dhe të ndihmojmë në stabilizimin e institucioneve, ne do të përgjigjemi pozitivisht dhe do t’i bashkohemi kuvendit – të paktën për një kohë të shkurt derisa të sigurohen kushtet për zgjedhje të sigurta dhe të drejta. Kushti ynë do të ishte respektimi i plotë i marrëveshjes së Brukselit dhe implementimi i vendimit të gjykatës kushtetuese për Manastirin e Deçanit”, deklaroi Trajkoviq.

Kandidatja për deputete në zgjedhjet e vitit 2021 foli edhe për situatën në veri, të cilën e konsideroi shqetësuese.

“Situata në veri është shumë shqetësuese, dhe kam frikë që nëse nuk i stabilizojmë urgjentisht institucionet, atëherë situata mund të shpërthej së shpejti”, u shpreh ajo.

Për shkak të dorëheqjeve të kryetarëve, pritet që në komunat veriore të shpallen zgjedhjet, për çka presidentja ka ftuar në takim edhe partitë politike. Mirëpo për Rada Trajkoviq, mbajtja e zgjedhjeve në këto rrethana është “rrezik masiv i sigurisë”.

“Mbajtja e zgjedhjeve në rrethanat aktuale – me institucione që de fakto janë inekzistente në veri – është një rrezik masiv i sigurisë. Ne nuk duhet të lejojmë që bandat kriminale të ndikojnë në procese dhe të provokojnë kriza të sigurisë. Ndikimi i tyre duhet të frenohet para se të mbahen zgjedhjet”, tha ajo për Express.

Për shkak të vendimit për targat, serbët janë larguar nga të gjitha institucionet e Kosovës, gjë që për Trajkoviq është “jashtëzakonisht shqetësuese”.

Një situatë e tillë e tensionuar, sipas Trajkoviqit, ishte e pritshme, për çka ajo fajëson kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq se nuk kanë bërë kompromis.

“Është jashtëzakonisht zhgënjyese të shohësh serbët në veri të braktisin institucionet për të cilat kemi luftuar shumë që t’i themelojmë dhe funksionalizojmë. Është trishtuese të shohim se marrëveshja e Brukselit është e minuar, pasi ajo solli stabilitetin në Kosovë pavarësisht mangësive të saj. Por ishte e qartë se ishim duke shkuar drejt një përshkallëzimi të tillë, pasi Kurti e Vuçiqi treguar mungesë të plotë të aftësisë për të bërë kompromis. Duket sikur ata janë dakorduar për t’u ngulitur kaq shumë në pozicionet e tyre për të shkaktuar këtë krizë dhe për ta destabilizuar Kosovës. Unë thjesht nuk mund të shohë ndonjë logjikë për veprimet e tyre, përveç provokimit të një konflikti”, tha ajo.

Në zgjedhjet e vitit 2021, Lista Srspka ka garuar me listën prej 20 kandidatësh, mirëpo deputeti Ivan Todosjeviq ishte dënuar me dy vite burgim, i cili më pas është zëvendësuar nga Dragana Antonijeviq. Prandaj, Listës Serbe i kanë mbetur 9 kandidatë, të cilët tashmë janë rekomanduar nga KQZ, ndërsa një është nga GI-SPO, Cvetka Veljkoviq. Në rast se kandidatët nga Lista Srpska nuk pranojnë të betohen si deputetë, atëherë KQZ vazhdon me rekomandimin e kandidatëve tjerë nga GI-SPO, që janë Rada Trajkoviq dhe Milan Dabiq. Më pas radha vazhdon edhe te partia tjetër serbe, SDS, e cila ka garuar me pesë deputetë.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu