Pse Ilir Meta tërbohet sa herë që Amerika flet për peshq

0

Shkruan Sokol Pepushaj

Sa e thjeshtë është të thuash se Ilir Meta nuk është figura, morali, kultura e shqipfolësve.

Pikërisht pse është kaq e thjeshtë, është po kaq e koklavitur sjellja banale e Presidentit të Republikës kundër perëndimorëve, veçmas kundër amerikanëve, sa herë përmënden peshqit.

Është nën akuzë për pasuri të pajustifikuara, është shëmbull arrogance dhe ironie deri në harbutllëk, presidenti ynë. Pak të nxehet debati për drejtësi, për testim të “ingranazheve” të shtetit drejt një ndarjeje me të shkuarën, duke marrë iniciativa konkrete në rrafshin politik, ekonomik dhe social, Meta, i trëmbur pikërisht nga sistemi i drejtësisë, bëhet bishë e gjuan sa andej -këndej, me akuza e kërcënime, deri në kufijtë ekstrem të banalitetit.

Të ngjan si papagall i Kim Jong Un-it sa herë “bisedon” për perëndimorët.

Në një politikë copa-copa, nën peshën e rëndë të akuzave dhe momenteve, ku gati gjithë shqiptarët nuk e duan për presidentin e tyre, ai e ka lëshuar pa frëna budallallëkun e tij prej mëkatari, që as nuk ka ku rrëfehet, as nuk ka kujt i kërkon ndihmë.

Ka aq mëkate, sa populli shpërthen haptas kundër tij në rrjetet sociale. Po kështu, ka vite që ndërkombëtarët lexueshëm as e duan, as e takojnë.

Si kurrë dhe si askund në Botë, qeveria e ka pengesë të fortë në reformat e drejtësisë dhe integritetit euro-atlantik, bash kreun e shtetit.

As opozita, nuk është e zonja ta ofrojë, pasi në heshtje ka frikë. Amerikanët dhe iniciativat e perëndimit që i kanë sytë katër e veshët pipëz për çdo lëvizje, në këtë pranverë ku është premtuar arrestimi i “peshqve të mëdhenj”, e kanë sulmuar aq rëndë, sa nuk ka logjikë të mos veprojë drejtësia.

Ajo që të grish logjikën, është sjellja me institucionin e Presidentit sikur ai e ka pronë private. Po kaq paradoksale shfaqet heshtja e të gjithë aktorëve, ku ngjan se zëmërimi i presidentit është zëmërimi i Perëndisë. Edhe kur Meta deklaroi botërisht se “nuk ka perëndi të më çojë përpara drejtësisë”, të gjithë heshtën, si me magji.

Në thellësi të logjikës dhe në respekt të së vërtetës, askush nuk e do dhe askush nuk e sulmon. Frika është ngritur në institucion, në kult.

As kur Presidenti lëshon “autokolonat e blinduara” kundër qeverisë, si me thënë kode sulmesh deri me armatim, apo thirrje popullore për të rrëzuar qeverinë e parlamentin, nuk ndihet asnjë zë.

Të gjithë tkurren, pasi Meta konsiderohet jo vetëm një i pasur deri në pabesuesmëri, por edhe një i “çmëndur” që nuk i dorëzohet i gjallë drejtësisë.

Sa herë afrohen pranga për “peshq të mëdhenj”, Ilir Meta tërbohet, merr zabitët e tij e kapërcen male, sa në Shqipëri sa në Kosovë. Nga atje bën ca si punë magjish prej dervishi që duhet t’i dëshifrojë Edi Rama.

Kur presidenti del me qen, Edi Rama duhet ta dijë pse, kur ka afër një maçok apo një dash, prapë Rama duhet të kuptojë mesazhin.

Nëse nuk ka ngjarë deri sot që të thyejë qafën nga shkëmbi një prift, një president apo kryeministër, këtu nuk e vë dorën në zjarr, se nuk mund të ndodhë me një dervish.

Presidenti ynë është i veçantë. Është trim, por edhe i ndjeshëm. Bëhet melankolik kur flet për kafshë e peshq. Peshqit sidomos i ka për zëmër, ndoshta sepse janë symbol i natyrës femërore. Peshku ka lidhje me perëndeshën nënë dhe në traditën e lashtë të greqisë është atribut i Afërditës, Perëndeshës së dashurisë.

Po sikur amerikanët të mos “gjuanin” peshq, por ujqër, si do reagonte presidenti ynë?

Asgjë nuk do ndryshonte.

Presidenti i do edhe kafshët. Pastaj, po të kapen ujqërit, kush do e mbronte livadhin, që të mos e kullotin delet?!

Pra, nuk ka faj presidenti që mbron ujkun, as që mbron peshkun.

As që presidenti të vëndosë helmetë apo gjoksore nuk është e panjohur. Rexhep Tajip Erdogan, sa herë dyshon në “armiq” të brëndshëm apo të jashtëm, thërret ndërgjegjen e popullit, në mbrojtje të kombit turk.

Presidenti ynë as ngacmon as duron. Mjafton të mos merret askush me peshqit.

Qyshse ambasadori amerikan Donal Lu përmëndi peshq, ka humbur qetësia e dashuria..

Kur ishte ambasador Aleksandër Arvizu, ndryshe ishte puna. Ai, ishte i thjeshtë, kërkonte më pak, si me thënë “krimba”.

Arvizu, në një takim me ca kalamaj të një kopshti në Elbasan, tregonte përralla me krimbat që u rritej barku, e nga ushqimi i tepërt u pëlciste. Fëmijët kënaqeshin duke qeshur.

Pra, që të arrestoheshin ca krimba, jo vetëm Ilir Meta, po të gjithë do të qeshnin, si fëmijët para Arvizusë.

Nëse ju kujtohet ajo kohë, kur Arvizu fliste për krimba barkfryrë, Meta ishte në krah të Berishës e kundër Edi Ramës.

Nuk ishte si sot jo, kishte një bark të madh, si krimb afër plasjes.Paksa lëvizën “krimbat. Disa hoqën orët e shtrenjta e futën makinat në garazhe, disa bënë ca operime të shtrenjta në stomak që të mos ngjanin me “krimba”. Meta e zhduku barkun, nuk dukej më si “krimb”, por si peshk qefull. Si për inat, sapo Meta hoqi barkun e u bë qefull, ambasadorit Donal Lu, nuk i shijuan më “krimbat”, por kërkoi peshq.

Kjo puna e peshqve, ngjan edhe si shije e Edi Ramës, ndaj fjalori rrugaç, anarkist, kanibal që ha peshk, qarkullon sa herë amerikanët kërkojnë peshk.

Peshqit pra janë të rrezikuar, sa kohë edhe ambasadorja e re Yuri Kim, shijon peshk, e jo krimba./Pamfleti

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu