Pse Amerika po i vjen rrotull selisë së SPAK?

0

Shkruan Frrok Çupi

Për nga mënyra se si më shfaqet në përfytyrim përfaqësuesi i superfuqisë botërore, duke i ardhur rrotull selisë së SPAK, mund të them se ngjasimi më çon te gjuetia e kunadheve. Që nga viti 2016 kur nisi punë Amerika që të ‘bëjë drejtësinë e re’ në Shqipëri, tani puna ka ardhur si etyd në gjueti ku ‘kunadhja’ është mbyllur në selinë e SPAK.

Pse po përdor fjalën ‘seli’, ndoshta për herë të parë, dhe jo përcaktuesin e rëndomtë ‘SPAK’?

Sepse kjo është njëra nga ‘faqet’ e kuptimit të librit të madh me emrin SPAK. Në selinë e SPAK ndodhen dy institucione të Drejtësisë, që nuk kanë distanca të mëdha kuptimore; por që në fakt duket se kanë mospërputhje dhe konflikte se si munden dhe si duan të japin drejtësi.

Këtu janë, e para, Gjykata e Posaçme e Korrupsionit dhe e Krimit të Organizuar (GJKKO) dhe, e dyta, Prokuroria e Posaçme (SPAK). Në perceptimin popullor, Prokuroria del në radhë të parë kur thuhet ‘SPAK’. Në fakt, përparësia dhe rëndesa e Drejtësisë ndodhet në Gjykatë. Por edhe renditja ‘jo korrekte’ e dy degëve brenda të njëjtës seli, nuk është një rastësi. Prokuroria SPAK mori përsipër, qysh para tre vjetësh, që të marrë rrugët cep më cep vendit dhe ndoshta Globit, në gjueti të ‘kunadhes’ shqiptare 30 vjet në krye të shtetit që rrënoi vendin, minoi demokracinë, gjeneroi konflikte e vrau civilë, aplikoi korrupsionin e madh për vete dhe familjen e  ngushtë politike dhe cenoi sigurinë e vendit.

Kjo është njëra pjesë e jehonës që mori Prokuroria SPAK. Ndoshta në momentin kur ‘kunadhet e mëdha’ do të dërgoheshin nga Prokuroria në SPAK, atëherë edhe mund të ndjehej pesha e Gjykatës. Por gjatë tre vjetëve SPAK nuk dërgoi asgjë në ‘strofkën’ e kunadhes.

Atëherë, çfarë po ndodh?

Në perceptimin më të dukshëm, Prokuroria e SPAK po kryen rolin e digës; ajo është vendosur aty dhe ka zënë rrugën e ‘ujërave’ që mbushin basenin e Gjyqit. Sa të jetë Prokuroria në rolin e digës, ne shqiptarët nuk do të shikojmë kurrë para gjyqit asnjë nga ata që na kanë poshtëruar.

Prandaj për SPAK perceptimi më i saktë është ‘selia SPAK’, aty ndodhet jo vetëm ‘diga’.

A do të mund të perceptohet Gjykata si ‘turbinë’ dhe jo si digë? Kjo gjë nuk është provuar ende deri më sot. Por shpresat, dhe ndoshta dukuritë, janë të tilla që Gjykata (GJKKO) të jetë tjetër gjë nga diga.

Të dyja ndodhen në të njëjtën seli. Zonja Yuri Kim, ambasadore e Shteteve të Bashkuara, e ngarkuar me barrën e rëndë të vendosjes së Drejtësisë në vendin tonë, prej disa kohësh po i vjen rrotull selisë. Vetëm brenda një muaji ka trokitur herë në dyert e digës, herë në dyert e turbinës së supozuar. Në të dy rastet ka folur në dy kuptime dhe në dy ngarkesa. Në 11 tetor, zonja Kim vizitoi Prokurorinë; aty mes prokurorësh lëshoi deklaratën se ‘prokurorët janë të joshur dhe të kërcënuar’. Shëno fjalën ‘joshur’ dhe ç’lidhje ka me metaforën ‘digë’!

Prapë zonja Kim u kthye te selia; por herën e dytë, nga dera tjetër, vetëm 12 ditë pas Prokurorisë. Para gjykatësve të SPAK, në 23 tetor, përfaqësuesja e Shteteve të Bashkuara dha deklaratën e një niveli shumë më të lartë: ‘Ju, gjykatësit, keni në dorë fatet e vendit’, tha në emër të qeverisë amerikane.

Pyetja që shtrohet është kjo: Gjykata dhe Prokuroria e SPAK ndodhen në të njëjtën seli, por a ndodhen në të njëjtën valë drejtësie? Aktualisht Prokuroria ndodhet në kolapsin ‘askush nuk pranon të zgjidhet kryetar’.

A ka ardhur puna përsëri në nivelin kur Amerika të shqetësohet se çfarë po ‘luhet’ në Drejtësinë e Shqipërisë?

Nëse kësaj here Drejtësia e re vonohet në kapjen dhe gjykimin e kriminelëve dhe të të korruptuarve të mëdhenj- kjo krahasohet me një ‘collateral damage’ mbi autoritetin e Shteteve të Bashkuara. Në Shqipëri, nisja e Reformës në Drejtësi zgjoi nga strofka shumë ‘kunadhe dhe ujqër’ të korrupsionit. Që nga ajo ditë nisi hakmarrja kundër Shteteve të Bashkuara; tani kemi çdo ditë para syve një skuadër politike anti- amerikane të prirë nga dy ish presidentë dhe dy ish- kryeministra.

A ka ‘konflikt’ mes Prokurorisë dhe Gjykatës së SPAK? Deri më sot kemi dëgjuar plot ‘tale’ se si kryeprokurori i SPAK ishte ndihmës i Ilir Metës dhe më parë militant i Partisë së Punës; por thëniet zhvillohen edhe për shkak të gjendjes së ‘qullët’ të hetimit. Prokuroria është zgjuar sa herë është lëshuar një thirrje nga ambasada e Shteteve të Bashkuara, dhe aq. Si sot, për shembull, kur prokurori Kraja pranoi se ‘kërcënohemi’, por nuk tha fjalën ‘joshemi’.

Vallë, a dimë gjë se si punon Gjykata e SPAK? Nuk kemi asnjë mundësi të dimë, në jetë të jetës, nëse Prokuroria e SPAK qëndron si digë dhe nuk lejon të vërshojë ujë në ‘turbinë’. Fakti që Prokuroria ka mbajtur statusin ‘ me qetësi’ (dhe dashuri), nuk ka lidhje me ‘sekretin hetimor’, por ka lidhje me qëllimin për ta futur hetimin në bunker. Më në fund, ne qytetarët, heronj dhe viktima të Drejtësisë, nuk dimë asgjë.

Ne shikojmë ‘Amerikën’ që vjen rrotull selisë së SPAK dhe mendojmë me trishtim: As Amerika nuk po ia del me këta?

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu