Presidentin, ose duhet ta burgosim ne, ose do na burgosë ai

0

Gati ligji i interrnimit!

Shkruan Sokol Pepushaj

Ilir Meta dekreton ligjin për ndryshimet në Kodin Penal. Kush del pa leje nga shtëpia, burg.

Dikush, që i beson politikës, shtetit, dhe don t’i besosh prapë, fërkon sytë e bërtet:

Jo, jo, jo, ky nuk është Presidenti im. Ky është mashtrues. Ky qe betuar në nderin e vet dhe te Kushtetutës për shpërndarjen e parlamentit hajdut dhe rrëzimin e kryeministrit hajdut.

Avash avash, se mos thyeni ndonjë vesh, ju që fërkoni sytë e çirreni, sikur ky nuk qënka presidenti juaj, por qënka kokrra e hajdutit.

Ky Ilir Meta që shihni, njësh me Edi Ramën, njësh me ligjin diktatorial, është qetësi e dashuri, është vetëm nisja.

Edhe ligji për internimin deri në të tretin brez, kush shan e shpif shtetin, i përshtshëm për të pabindurit, mund të mos jetë bitisja.

Po sa rrugë e kohë ka mbetë deri tek internimi?!

Ha ha ha, kjo nuk është as arsye, as mosarsye që presidentin, ose duhet ta burgosim ne, ose do na burgosë ai.

President është vetëm në orar të punës. Kur heq petkun, as prifti nuk është prift, jo më Ilir Meta Ilir Metë. Kështu pra, qetësia e dashuria, nuk janë as arsye as mosarsye për internime masive.

Normale mund të duket. Gjysma e dheut, si bagëtia e Ndreut. Gjysma, bile më shumë se gjysma, është me Edi Ramën, thotë një sondazh i Zaloshnjës. Një tjeter sondazh, nxjerr Bashën me 80% fitues!

Anipse kjo shifër realisht është gënjeshtër, ngjan si e vërtetë e bukur. Edhe Monika ka elektorat, Edhe Iliri ka elektorat, edhe Fatmiri e Fatmira kanë elektorat, edhe Patozat e Jozat kanë elektorat.

Ja pra, e bukura është, se të gjithë janë fitues. Të gjithë janë fitues dhe të fituar.

Kanë fituar shumë pasuri. E kanë fituar, jo vjedhur. Dikush ka gjysmën e Dibrës, dikush gjysmën e Kavajës, dikush gjysmën e Elbasanit, dikush gjysmën e Shkodrës, dikush gjysmën e Surrelit, të Gjirit të Lalzit, Kodrës së Diellit, Velipojës…

E drejta e pasurimit të Hierarkëve të Pushtetit, është njëra e vërtetë.

Këtë të vërtetë nuk e kundërshton askërkush. As kur ka debat të ashpër, as kur kërcët grushti, as kur ka sharje me rob shtëpie, as kur ka fushata elektorale.

Një e vërtetë tjetër ha diskutim

7×7=42, ç’është?

Po ndihma për bizneset, ku atij që Rama i jep 26 mijë lekë, i merr 3 fishin, ç’është? Dyqani sot është i mbyllur, fatura e nergjisë elektrike lexon konsumin e vitit të kaluar!

Pak më në thellësi, është edhe më e zezë pamja.

Po qeveria, parlamenti, 2 opozitat, Byroja Kombëtare e Hetimit, SPAK ose “Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar”, Këshilli i Lartë i Prokurorisë, ç’janë, apo edhe këto 7×7=42 janë?

Këto xhevahire përtypë përditë ky popull.

Se ky është filli i Arjanës.

Mungon buka e gojës, ndaj ka përtypje me dhëmbë bosh.

Në moment, nga të gjitha ekranet, kryeministri u lutet “pabuksave”: Vëllezër e motra, ju lutem shumë, mos hani shumë, hani njëherë në ditë, se jemi keq me lek.

Njerëzia hap veshët e mbyll gojën.

Pas pak minutash largohet Rama e shfaqet Meta. Me ligj burgu nëpër duar.

Njerëzia prapë reagon.

Hapë gojën e mbyllë veshët.

Po pse reagimet janë krejt të ndryshme, kur Meta dhe Rama në substance janë të njëjtë?

Se ndodh kjo, duhet ende punë. Duhet qetësi e dashuri, duhet të mos keni parë gjë akoma.

Se ndodh kjo, nuk ka asnjë faj qeveria, se ndodh kjo, populli e ka hallall Ligjin e Internimit./Pamfleti

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu