Pasi rrëmbyen shtetin me forcë, tani talebanët po krijojnë edhe qeverisjen e vendit. Lideri i talebanëve, Hibatullah Akhundzada, është njeriu që mund të kthehet në udhëheqësin e ri të Afganistanit.
Në vitet e para pas pushtimit të Afganistanit në 2001, Akhundzada rekrutonte aktivisht vullnetarë për sulme kamikaze, e për të dëshmuar se besonte dhe vetë në ato që i predikonte të tjerëve, bindi njërin prej djemve të tij të kthehej në një atentator vetëvrasës, në një shahid.
Akhundzada është kreu i talebanëve që prej vitit 2016. Kleriku i lartë islamik është autoriteti më i rëndësishëm në të gjitha çështjet politike, ushtarake dhe fetare. Ai mbështetet nga tre të deleguar dhe disa ministra që janë përgjegjës për ekonominë, ushtrinë dhe shërbimet sekrete. Instanca më e lartë këshilluese është “Rahbari Shura” me 26 anëtarë.






