Deputeti i zgjedhur i PS ka dësmuar sot në SPAK, për deklaratën e tij se trafikantët e kriminelët po fusin duart te tenderat në Fier.
Deputeti i zgjedhur deklaroi se bota e krimit në Fier është e lidhur me politikën, ku mes të tjerash, deklaroi se në marrëdhënie me LSI, ka ndikuar në zgjedhjet e fundit.
“Duart e krimit janë përfaqësues të botës së krimit. Në Fier është një botë goxha e konsoliduar. Unë kam guxuar e kam denoncuar shumë herë. Gjatë fushatës denoncova një gjyqtar për një shkarkim nga puna dhe mesa di ky gjyqtar është shkarkuar. Unë jam politikan dhe e ndjej që bota e krimit në Fier është goxha influente. Mendoj se sensibilizimi i SPAK është i nevojshëm.
Bota e krimit në Fier ka pasur lidhje të konsoliduar me politikën. Mund t’ju them që në marrëdhënie me LSI ndikuan në zgjedhjet e fundit. Kam një vullnet të palëkundur për të bashkëpunuar me organet e drejtësisë. Ka zyrtarë që janë lodhur nëpër zyra dhe i janë përkulur presionit të krimit.
SPAK është i lirë dhe i detyruar nga ligji të veprojë ndaj kujtdo që ka shkelur ligjin dhe bashkëpunon me krimin. Unë nuk jam as prokuror, as gjyqtar, dhe as në Policinë e Shtetit, por kam një përvojë si ish-ministër i Rendit dhe për të gjitha këto që fola jam shumë i bindur. Unë nuk jam hetues që të kërkoj dokumente konkrete dhe të jap emra. Fakti që njerëzit e kësaj bote hyjnë më kollaj në punë se njerëzit e thjeshtë, tregon se janë më influentë”, tha Petro Koçi.