Pështyjeni presidentin e ri, këtë kukull të Edi Ramës

0

Shkruan Andi Bushati

Ashtu sikurse pritej emri i presidentit të ri do të përzgjidhej, vendosej, madje dhe shpallej nga një njeri i vetëm, ai që kontrollon gjithçka në këtë vend. Dhe sapo Edi Rama, shqiptoi në mënyrë të beftë, emrin e Bajram Begës, si kreun e ardhshëm të shtetit, komentet pro dhe kundër vërshuan menjëherë.

Disa ngrinin atributet e një ushtaraku që kishte në xhep edhe diplomën e mjekut. Ata që shkonin më larg, flisinin për një zgjedhje të servirur nga përtej oqeanit, ku me cilësinë e Shefit të Shtabit të Përgjigjshëm, Bajram Begaj kishte vizituar vetëm pak ditë më parë Pentagonin.

Të tjerë shihnin krejtësisht të kundërtën. Për ata ai ishte thjesht gjenerali, që nuk i mbrojti dot territoret e shenjta të ushtrisë shqipëtare, nga grykësia e binomit qeveritarë- oligarkë, që shpesh në mënyrë të paligjshme kanë zaptuar pronat e repartave ushatrke dhe porteve, në heshtjen e plotë të shtabit të përgjithshëm, madje duke anashkaluar edhe nënshkrimin e detyrueshëm të atij që gjeneral Begaj do ti zërë pas disa ditësh vendin.

Ata që e mbronin këtë version, pra portretin e një kukulle, që vë pushtetin mbi ligjin, i frynë më tepër kësaj hipoteze, kur panë sjelljen e mëshirueshme të ushtarakut të lartë në zyrën e kryeministrit. Përunjësia me të cilën ai falenderonte bamirësin, gjuha e nënshtruar e trupit dhe qëndrimi si i një kadeti para eprorit, e përforcuan idenë fikse se në presidencë po ngjitej një vasal i Edi Ramës.

Në fakt, për të thënë të vërtetën është shumë shpejt të vësh bast për secilin nga versionet. Ata që mendojnë se Bajram Begaj është sot në lartësinë e postit që do të marë mund të përgënjeshtrohen. Historia ka treguar se pesha e pushtetit thyen edhe karaktere të forta, që më parë kanë ditur ti’a dalin me sukses sfidave të jetës që pak njerëz i përballojnë me lehtësi.

Por, po ashtu edhe e kundërta është e vërtetë, njerëz të destinuar për të qëndruar në hije dhe në dukje pa ambice të mëdha, lartësia e detyrës shpesh i ka sublimuar dhe i ka bërë të duken ashtu sikurse as vetë nuk e kishin imagjinuar të ishin.

Pra, në këtë kuptim, e shkuara e gjeneral Bajramit, nuk përbën një garanci për të imagjinuar presidentin e ardhshëm Begaj. Ai i ka premisat për një histori suksesi, po ashtu si edhe ato për një dështim spektakoar.

Ama një gjë e vetme është përcaktuar prej sot kur ai ende se ka marrrë ende detyrën. Ajo është njëherë e përgjithmonë e pakthyeshme. Dita kur ai tha “PO” nuk mund të zhbëhet më. Dhe kjo ditë e vuri atë në pozitë tejet të pakëndshme. Ai, jo vetëm që nuk do të jetë një president i zgjedhur në mënyrë konsensuale, çka që e bën shumë më të lehtë detyrën e një kryetari shteti mbi palët, por ai nuk do të jetë as një figurë e dalë në rrugë demokratike, nga ekuilibri i forcave dhe nga debati i brendëshëm i rrymave të ndryshme të një shumice politike.

Ai u bë produkti i një farse, që filloi me hedhjen në kuti të zarfave sekretë dhe u finalizua në një llozhë, pjestarët e së cilës duhet të dorëzonin jashtë mureve telefonat celularë. Emri i tij qe preferenca, kalkulimi, ndoshta kapriçoja e një njeriu të vetëm. Për të ka vendosur Edi Rama, tek pullë dhe këtë e di kushdo përfshirë edhe vetë presidentin e ardhshëm. Prandaj, në momentin që ka pranuar, bashkë me po-në që ka thënë, ndoshta me entuziazëm apo ndoshta me dyshim, ai i është përulur kësaj rruge aspak transparente dhe këtij procesi të denjë për vende autokratike.

Mund të merret me mend lehtësisht se ky nuk është një augur i mirë për të nesërmen, pasi fakti që gjeneral Bajrami ka vendosur të mbyllë sytë për mënyrën se si u përzgjodh, bën automatikisht kurban një pjesë të vlerave të rëndësishme që ai duhet të mbartë si president i vendit.

Pikërisht për këtë ai nuk do ta nisë dot detyrën në kushtet më të mira të mundshme. Ai nuk do të hyjë në zyrën e tij me këmbën e djathtë. Ai nuk do te jetë i besuar, por i paragjykuar dhe ky është minusi më i madh për dikë që e ka në përshkrimin e vendit të punës, të qenit përfaqësues i unitettit të ne të gjithëve.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu