Peshku ‘Luc’, si fenomen i pisqollave të pushtetit

0

Shkruan Gjergj Zefi

Një javë më parë, kur ministrja e qeverisë ‘Kurti’ doli në një konferencë shtypi në Prishtinë për çështjen e biznesit të vëllezërve Devolli, një pjesë e gazetarëve, morën mikrofonat e kamerat dhe u larguan demonstrativisht.

Ata e bënë këtë gjest si shenjë proteste, sepse gazetarët apo komuniteti mediatik e lidhi debatin e qeverisë së Kosovës me vëllezërit Devolli, me televizionin Klan Kosova.

E sipas një pjese të gazetarëve të Kosovës, qeveria po prek lirinë e shprehjes.

Mund ta kenë mire, mund ta kenë gabim, gjithsesi ai ishte një gjest lirie i disa gazetarëve, pasi nuk ishin të gjithë. Një pjesë e tyre qëndruan dhe nuk u atashuan në grupin protestues.

Komunitetit të gazetarëve që protestuan, nuk u erdhi mirë që disa prej kolegëve nuk ju bashkuan protestës, madje ndokush edhe përdori ndonjë metaforë të lehtë shpotitëse. Po askush nuk gjykoi, nuk sulmoi kolegët. Pasi në realitet, kufiri normal i asaj bashkëjetesës së kësaj lirie shprehjeje është që të paktën të mos sulmohet lajmësi. E kemi edhe në kanun!

Kurse këtu, tek ne në Shqipëri, ndodh krejt e kundërta. Mirë gomari, po nuk të lenë rehat as mizat.

Merrni rastin e Lucës, një fenomen tipik i propagandës së Edi Ramës.

Luca nuk është një sipërmarrës klasik, ai është një agjitprop i Edi Ramës, që ushqehet nga tenderët publikë të pushtetit, duke marrë pronat shtetërore badihava, dhe i propogandon si mrekulli të qeverisjes së Bablokut.

Aty qeveria bën zijafete, partia bën fushatë, dhe i gjithë shteti është i detyruar në vite të hajë e të pijë, derisa i kanë kthyer lokalet e Lucës në menza kolektive, ku njerëzit shkojnë për të takuar ndonjë njeri të pushtetit.

Luca nuk është një biznesmen, pasi një i tillë është i interesuar që të mos ketë konflikte, është i interesuar të ketë sa më shumë klientë, të ketë sa më shumë të ardhura e sa më pak, e mira do të ishte aspak armiq.

Ai është metafora e “njeriut të ri” të pushtetit të Edi Ramës, pra njerëzit që janë produkt i bamirësisë së “gjeniut”.

Si është një njeri i suksesshëm në epokën e Edi Ramës?

Si Luca!

Po jo si Luca sipërmarrës, pasi në fund të fundit, dystina e lekëve nuk i hyn asnjërit në xhep, përveç atij dhe shefave të tij.

Për njerëzit, publikun pra, Luca është një politikan në kuptimin real të fjalës, me pushtetin e kontratave qeveritare, ‘kartabjankën’ e përplasjes së derës në çdo zyrë të shtetit, siç e ka deklaruar vetë në intervistat televizive. Ai është përfaqësues politik që del në fushatat zgjedhore për PS-në, hedh fishekzjarre e derdh rakinë lumë kur fiton Babloku, dhe i hap mjediset e biznesit për zyra elektorale të partisë në pushtet.

E gjitha kjo është një deformim, pasi nuk mundet dikush që merr kontrata publike për biznes, pra pronat e qytetarëve, t’i kthejë më pas në zyra partie.

Nuk i ka private ato zyra, i janë dhënë për të qenë ambjente fabrike e mjedisi industrial të depolitizuar. Gjithsesi në këtë Shqipëri ku gjithçka është në duart e horrave e të mafies, nuk është qibar për shkelje të tilla.

Por që një ditë të bukur, Luca si përfaqësues i pushtetit shantazhon gazetarët, jo vetëm që nuk ka asnjë mobilizim nga komuniteti, por ka gazetarë që sulmojnë kolegët e tyre për llogari të njeriut të pushtetit.

Ky është realisht sinjali e dëshmia e një shoqërie që nuk funksionon. Që bazë ka vetëm klientelën. Pasi nëse Luca apo çdo kush ka një kontestim për një shkrim apo analizë ndërkombëtare, ku i përmendet emri si ortak me kriminelët më në zë në vend, janë të gjitha mundësitë për ta kontestuar. Duke shkruar një reagim, duke paraqitur një padi, duke bërë një konferencë shtypi. Por sulmi e shantazhi është banditizëm, që në fakt nuk është i individit që nuk është individ, por siç e thotë edhe vetë një përfaqësues i pushtetit. E si i tillë është edhe shantazhi. Sot ky pushtet e ka me Pamfletin, e nesër do ti marrë me radhë të tjerët. Siç thotë Brehti për Hitlerin, që një ditë e kishte me hebrenjtë e më pas me socialistët, e në fund me të gjithë. Kaq e thjeshtë është. Luca nuk është viktima këtu, por është çomange e dëshpëruar e një pushteti që ndodhet në çarkun final. / Pamfleti

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu