Përse na bëni ta kthejmë me zor kokën nga “Partizani”?!

0

Shkruan Skënder Minxhozi

Tym e flakë në Kuvend. Zjarr nga podiumi i partisë. Kercënime e shfryrje dufi nëpër mikrofona…, por qetësi nëpër rrugët e Shqipërisë. Stina vjeshtore e politikës ka hyrë më e gjallë se kurrë. Merita nuk i shkon askujt tjetër përveç…SPAKUT! Papritur hetimi i prokurorisë speciale mbi ish-kryeministrin Berisha ka elektrizuar ajrin e ndenjur të politikës shqiptare. Ashtu siç ka radikalizuar të djathtën që i qëndron pranë. Gjithcka ka vlerë në këtë luftë të re që ka shpërthyer habitshëm tani e jo më parë. Megjithatë diçka kërcet në këtë zell të rinovuar të Rithemelimit.

Opozita sot, përfshirë Rithemelimin, ka të gjithë të drejtën që i jep Kushtetuta, që të kërkojë komisione hetimore, që të reklamojë poltronat që i takojnë në komisionin e reformës zgjedhore, që të atakojë qeverinë dhe të kërkojë hetimin e parave publike që ajo menaxhon. Kjo duhet thënë sa herë komentohet rreth asaj që po ndodh këto orë në Parlament, ku Rithemelimi ka vendosur të pengojë më çdo kusht dhe mjet punimet normale të Kuvendit.
Vetëm se duke i hyrë kësaj lufte që kërkon etikë, pastërti dhe qëndrim parimor e të paqortueshëm, kjo opozitë sot po na bën të kemi brenda vetes një dyshim jo të vogël pikërisht në planin parimor dhe etik, për arsyet e vërteta të kësaj “ringjalljeje” të ashpër politike. Pse tani? Pse në këtë formë dhe mbi të gjitha pse në momentin kur SPAK shkel tabunë e shekullit, teksa nisi hetime për Sali Berishën?! Përse opozita pranë Berishës zgjodhi këtë moment si më të përshtatshmin për të thyer karrige e hedhur tymuese në Parlament? Pse nuk u radikalizua para, por vetëm pas nisjes së hetimeve ndaj familjes Berisha?!

Në planin taktik kjo është një vetëvrasje e vogël politike, përpos të drejtës për të reklamuar atë që jep ligji dhe Kushtetuta për një opozitë. Sepse nuk ka shqiptar sado indiferent në këtë vend, që të mos vërejë sot, mes retorikës së egër kërcënuese, tymit blu në Kuvend dhe poltronave të përmbysur, që e gjitha kjo Intifadë e re politike po vjen fiks pas hapit që hodhi Dumani me kolegët. E kjo e relativizon, e mpak dhe e paragjykon jo pak strategjinë e re të opozitës së Rithemelimit.

Edi Rama ka vite që përdor charter qeveritar. Mëse e drejtë të hetohet mbi ç’bazë ligjore i organizon ai dhe qeveria udhëtimet jashtë shtetit pasi charterat kushtojnë dhe paratë publike duhen mbrojtur. Shqiptaret gjithashtu kane vite qe vuajne per paga e pensione, pse nuk u dogj Kuvendi nje, dy apo pese vjet me pare?! Nëse keto kriza kane vite që konsumohen në sytë e shqiptarëve, është pak e kuptueshme përsë Berisha më i pari dhe të tjerët pas tij u kufizuan per shume e shume vjet me statuse Facebook-u ose ndonjë deklaratë të enjteve ne seancat plenare, pa bërë asgjë tjetër. Dhe shpërthyen tani papritur, kur kreu i grupimit pësoi një goditje direkte nga drejtësia. Kësaj i thonë të të bëjnë ta kthesh me zor kokën nga “Partizani”!

Ky zgjim me telekomandë i opozitës për të drejta që ka vite që i mohohen (asnjë dyshim për këtë), shënon në anë tjetër edhe një dështim faqe miletit të të gjithë atyre burrave në moshë apo edhe djemve të rinj që ulen në tryezat e Rithemelimit pa guxuar të gjenerojnë asgjë tjetër, përveç frazave të thëna vjedhurazi për hapje, ide të reja apo ndërrim brezash (mos o Zot Berishën!).

Këta zotërinj kanë dështuar në mënyrë spektakolare sepse pranuan të qëndrojnë pa asnjë kusht, asnjë kërkesë dhe asnjë strategji apo propozim të vetin, përballë Doktorit. Në të kundërt ata pritën derisa Berisha u godit nga drejtësia, që të zbatonin urdhërin e tij për t’ju sulur karrigeve të Kuvendit. Kjo që shohim konfirmon edhe një herë se sektori i Rithemelimit ka vetëm një shef suprem, vetëm një komandant historik. Të tjerët janë presje dhjetore që presin të marrin një mandat parlamentar kur të vijnë zgjedhjet.

Kjo sjellje kolektive e kushtëzuar nga një hall personal i kreut të grupimit, ka bërë sot që deputetët e Rithemelimit të jenë praktikisht vetëm përballë qeverisë, megjithëse kanë të drejtë në disa prej kërkesave të tyre. Një indiferencë shurdhuese popullore i rrethon dhe ata e ndjejnë këtë gjë sa herë që dalin para kamerave, pasi edhe e shprehin duke mallkuar aty-këtu shqiptarët. Një lexim tërësisht miop i asaj që po ndodh në të vërtetë sot në raportin madhor të popullit me politikanët e vet.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu