Eksperti i Sigurisë Fatjon Softa, duke folur për operacionin ‘Metamorfoza”, në kuadër të të cilit janë lëshuar deri tani 15 urdhërarreste, tha se dosja që ka në dorë SPAK, është në sajë të institucioneve të huaja ligjzbaruese, dhe mund të çojë në arrestime të tjera në nivel politikanësh, biznesmenësh apo drejtuesish të Policisë së Shtetit.
“Janë komunikime me interes, që janë në dorë të SPAK, nuk janë vetëm 15 persona, për të cilët janë lëshuar urdhërarrestet. Në përgjime dyshohet se kanë rënë 300 efektivë policie, por edhe politikanë të lartë dhe biznesmenë.
Janë materiale që vijnë nga të huajt, ky nivel i ndërthurjes është i frikshëm, pasi përfshihen prokurorë, bota e erët e biznesit, janë njerëz të përfshirë në shumë vrasje dhe atentate.
Priten arrestime të tjera të niveleve të larta, pasi ka rënë besueshmëria e institucioneve ligjzbatuese. Nuk ka më nevojë për rrokadë në polici, grupet kanë transferuar aktivitetin, ka nevojë për hetim dhe për organet që i ka emëruar këta drejtues të policisë së shtetit, pasi ka munguar filtri, ka munguar meritokracia”, tha Softa.
I pyetur se deri ku mund të shkojnë hetimet, Softa tha se publikimi i këtyre përgjimeve do të duhet të pasojë me një furtunë në radhët e Policisë së Shtetit.
“Unë nuk e di se deri ku mund të shkojnë hetimet, do të duhet të zbërthehet i gjithë informacioni i ardhur nga Franca, përveç hetimit dhe vënies para drejtësisë i këtyre personave, duhet të ketë një furtunë dhe valë shkarkimesh, duhet pastruar me themel Policia e Shtetit. Nuk duhet vetëm Vetingu, por edhe testi për përdorimin e drogës, si mund ta luftojë drogën një polic që drogohet vetë’, tha më tej Softa.