Shkruan Alba Kepi
Po ju tregoj rutinën e një dite të vertetë vere.
Gioele e Valerio, dy djemtë e mi që i kanë kaluar të 20- tat, u zgjuan më herët se ç’është rutina e një të diele, kur flejnë deri vonë.
Të dy si në këtë foto kur ishin të vegjël e simpatizonin Gjermaninë (në atë kampionat botëror të atyre ditëve), po kalojnë këtë dielë në plazh, me paratë që fituan pas një jave pune të qetë, me makinën e tyre e me miqtë e tyre.

Më dhanë një puthje e më thanë; “mamma se ti va vieni anche te e papa. Siamo al solito posto”.
Kanë lindur e janë rritur në Romë, por janë aq të lirë e të vërtetë sa dhe kur një ekip luan më mirë se skuadra e zemrës, nuk gënjejnë e as mashtrojnë për t’i bërë qejfin egos së tyre. Siç i sheh në këtë foto; Tifoza të Italisë e Shqipërisë, por bluzën e skuadrës më të mirë të botërorit insistuan t’ua blenim.
Për Rudat e xhungat që deformojnë të vërtetat
E bëra këtë metaforë krahasuese për të të thënë se nuk është e vështirë të rrëfesh të vërteta kur je njeri i lirë, por kur e vërteta deformohet nga profesionistë ka një problem e quhet mashtrim.
E kur përdoren mjete deontologjike të zanatit për këtë qëllim, problemi bëhet serioz.
Djemtë e mi nuk po pushojnë buzë Shalës as buzë Erzenit, janë në një plazh të lirë në breg të Tirrenit, ku shegzlloni kushton 5 euro, një panine 4 euro, një akullore 2 euro e një birrë e madhe 3 euro.
Nuk di sa kushton buzë Jonit e Adriatikut, por fotot e postimet e miqve më çojnë të dyshoj se të paktën 3 fish më shumë.
Ajo që ti e quan skllavëri moderne, djemtë e mi e quajnë demokraci zgjedhjeje.
Zgjedhje, fjalë e vështirë për t u kuptuar në vendin nga ti shkruan.
Zgjedhje për të fituar me meritokraci vendin e punës.
Zgjedhje për të ndërtuar qoftë dhe një ditë pushimi me punën e tyre.
Zgjedhje të plotësosh dëshirat e tua.
Zgjedhje për t’u formuar, për t’u përmirësuar, për t’u vlerësuar e realizuar pasione e qëllime.
Zgjedhje për të thënë të vërteta pa frikën se futesh në listën e zezë të punëdhënësit, të profesorit të Universitetit, politikës, diplomacisë, o të një rrethi rekomandues që se kanë njohur kurrë.
Si sot e kur ishin fëmijë, Gioele e Valerio nuk kanë mbetur verës të ngujuar se të njëjtën demokraci zgjedhje e jo skllavëri moderme jetojmë në këtë vend ne prindërit e tyre.
Nuk janë buzë Shalës se largësia gjeografike i limiton, por hall është se buzë këtij lumi, nuk gjej shumë fëmijë shqiptarë aty në vendin nga ku shkruan, mjaft janë të ngujuar në kullat e gjakmarrjes, të tjerë të braktisur rrugëve në lagjet e Tiranës, në fshatra e zona shqiptare ku prindërit kanë veç një zgjedhje, mbijetesën, fëmijë të tjetë janë rrugës në gomone me prindër shqiptarë që kanë veç një zgjedhje, jetën o vdekjen.
Shala o Erzeni që e dua kaq shumë janë mrekullia e natyrës shqiptare e fatkeqësia është se gënjeshtra e mashtrimi ka qelb vendin e limituar zgjedhjen.
Jo të vërteta thënë nga profesionistë janë puçrra qelbi më shumë.
Gioele e Valerio të tjerë shqiptarë në Gjermani, Greqi o Itali, sot këtë të dielë nuk janë buzë Shalës, por janë në mes të së vërtetës, ulur këmbëkryq mbi kolltukun e shtëpisë, mbi shezgllon o në një vend pune.
Në vendin e gënjeshtrave nga ku shkruajnë rudat e xhungat, e vërteta konsiderohet sëmundje e i vihet emri “skllavëri”, “ngujim”.
E në vendet e së vërtetës, meritokracisë, zgjedhjes e lirisë, gënjeshtarët quhet injorantë.






