Një nga një, kreut të Partisë Demokratike Enkelejd Alibeaj duket se po i “sosen” të gjithë kandidatët për zgjedhjet vendore të 14 majit. Pas tërheqjes së kandidatëve të bashkisë Vorë, Korçë, Kurbin dhe Lezhë, një tjetër është tërhequr sot nga gara.
Bëhet fjalë për kandidatin e Bashkisë Krujë, Sabah Sheta. Lajmi është komunikuar nga vetë ky i fundit, teksa përmes një mesazhi në rrjetet sociale shkruan se ka hequr dorë pasi nuk do të bëhet pjesë e farsës politike dhe përçarjes së demokratëve.
“Në Krujë, të gjithë e njohin përpjekjen time personale përpara Primareve, por edhe pas tyre, që të kishim një proces të përbashkët dhe gjithëpërfshirës. Kërkova të bashkohemi, por planet e zotit Berisha ishin të ndryshme.
Me tërheqjen time nga gara për kryetar bashkie dua të përcjell një mesazh për qytetarët e Krujës, Fushe Krujes, Nikles, Thumanes, Bubqit dhe Malesise në 14 Maj, votoni listën e këshilltarëve me logon e Partisë Demokratike. Ka mbaruar koha kur ne falim pushtet, qoftë Edi Ramës, qoftë Ilir Metës. Është koha për të forcuar Partinë Demokratike dhe për të siguruar të ardhmen e saj!”- shkruan Sheta.
PD zyrtare dështoi të dalë me 61 kandidatë, sidoqoftë diçka të tillë trashgimtari i Lulzim Bashës e justifikoi duke drejtuar gishtin nga Edi Rama dhe Sali Berisha. Sipas kryedemokratit, gjendja e kaosit që ka përfshirë partinë – me Berishën që ka zaptuar selitë, në qendër dhe rrethe – pati efektin e vet në mbarëvajtjen e procesit organizacional për zgjedhjet. Sakaq, Rama sipas tij është fajtor sepse zvarriti procesin gjyqësor për vulën e PD-së.