Deputeti demokrat Saimir Korreshi është kundër nismës së “Rithemelimit” për zgjedhjen e katër koordinatorëve, që do të merren me organizimin e kësaj force politike.
Gjatë emisionit Breaking me Dafina Hysën në Top News, Korreshi tha se demokratët po veprojnë në mënyrë kaotike, teksa baza bën thirrje për bashkim, për të ofruar një alternativë qeverisjeje.
“Nuk kemi pasur ftesë për mbledhjen e Kryesisë së “Rithemelimit”. Është koordinim i çorganizuar në parlament, por edhe në jetën partiake. Duhet koordinim në vijën e partisë.
Po veprojmë në mënyrë kaotike; njëri ikën në ShBA, një dënohet, tjetri në protestë, disa zgjedhin koordinatorë. Është bërë si një han pa porta. Demokratët e bazës na thonë, se nëse nuk bashkohemi, është e kotë t’i thërrasësh. Baza e Lushnjës është bërë çorap, me tre copëza”, tha ndër të tjera Korreshi.
Deputeti Korreshi i cili është ndër 19 të përjashtuarit e fundit, theksoi se ka ardhur koha për të përshkallëzuar qëndrimin duke propozuar ngujim ose grevë urie.