PD-ja, në kërkim të drejtimit

0

Shktuan Zef Ndreka

Për shumë përsona, bëri shumë përshtypje heqja e flamurit amerikan dhe shfaqja e flamurit gjerman në protestat e fundit të Partisë Demokratike të Shqipërisë.
Çfarë ka ndodhur?
Çfarë ka ndryshuar dhe po ndryshon?
Për t’iu përgjigjur këtyre pyetjeve, së pari duhet theksuar se kjo shfaqje e re e flamujve në.protestë, nuk ka asnjë lidhje me detaje estetike.
Por si mund të lexohet e të kuptohet kjo shfaqje e re?!
A është ndonjë sinjal politik që nënkupton diçka që po mbetet ende enigmë?
Të përpiqemi ta analizojmë.
Së pari, flamuri i Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka qenë për shumë dekada një simbol shumë i fortë legjitimiteti për opozitën shqiptare. Ai simbol lidhej drejtëpërdrejtë me mbështetjen historike amerikane për pluralizmin, për demokracinë dhe sidomos me periudhën pas viteve ’90.
Duke e ndjekur aktualisht këtë shfaqje të re politike të PD-së, distancimi nga ky simbol mund të shihet e të interpretohet si reflektim i marrëdhënieve mjaft të tensionuara mes një pjese të PD-së, konkretisht Berishës dhe institucioneve amerikane, sidomos pas shpalljes “non grata” të tij nga Departamenti i Shtetit të SHBA-së.
Së dyti, dalja në pah e flamurit të Gjermanisë mund të lexohet apo të interpretohet si përpjekje për të ridrejtuar mesazhin ndërkombëtar.
Dihet se Gjermania është një aktor kyç në Bashkimin Evropian dhe sigurisht ka ndikim të madh në proceset integruese të Shqipërisë. Në këtë kuptim, mund të jetë një tentativë për të treguar orientim europian, për të kërkuar legjitimitet dhe mbështetje në një tjetër bosht ndërkombëtar, pasi atë amerikan e ndjejnë se e kanë humbur për sa kohë është Berisha.
Por kjo sjellje mund të shihet edhe si një lëvizje taktike e brendshme, pra si një përpjekje për të shmangur simbole që mund të krijojnë kontradikta me realitetin aktual politik.
Kjo sjellje mund të shihet edhe si një sinjal për elektoratin se diçka po ndryshon, pra nga aleanca tradicionale drejt një ripozicionimi më pragmatik. Por mund të jetë edhe një improvizim pa asnjë strategji të qartë, që reflekton mungesën e një boshti të qëndrueshëm politik. Dhe ky është problemi më i rëndësishëm.
Po ta shikojmë më thellë, kjo sjellje e re e PD-së, tregon një krizë shumë të qartë identiteti, ku PD-ja historikisht është identifikuar si parti pro-perëndimore, por sot duket sikur po kërkon një “gjuhë” të re për tu lidhur me partnerët ndërkombëtarë, pa e pasur ende të qartë se ku qëndron.
Sidoqoftë, ndërrimi i flamujve në protestat e PD-së nuk është rastësi. Ai ndërrim është mesazh mashtrimi herë i menduar, herë i pavetëdijshëm, por gjithsesi shumë domethënës për mënyrën se si PD-ja tenton ti shfaqet opinionit brenda dhe jashtë vendit.
Mesazhi i PD-së duke përdorur flamurin gjerman duket i paqartë, për më tepër duket një lëvizje në kërkim të drejtimit që i ka humbur…

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu