Shkruan Zef Ndreka
Kjo është në thelb kriza e legjitimitetit dhe modeli i drejtimit brenda Partisë Demokratike të Shqipërisë.
1. “Gara e zhdukur”
Sot, është zhdukur plotësisht gara në PD. Nga kjo zhdukje, Partia Demokratike po përballet me humbjen e mekanizmit më të rëndësishëm të saj, konkurrencën e brendshme reale. Gara në këtë parti është zëvendësuar me emërime e me rikthime të imponuara klienteliste dhe ku partia po kalon nga një organizatë politike në një strukturë personale.
Sot në PD, është grisur statuti i partisë. Nuk ka më një të tillë! Pra mungon kontrata politike mes anëtarëve. Tashmë interpretimet baxuar në status, bëhen vetëm në teori dhe sipas interesit të liderit Berisha, duke humbur totalisht edhe kuptimi i institucioneve të brendshme. Kjo është pikërisht ajo që i atribuohet rolit të Berishës, Nokës, Bardhit etj. në këtë fazë.
Shpesh herë i referohemi nenit Basha, i cili më kot lidhet me përpjekjen e mëparshme për të vendosur kufizime apo rregulla mbi drejtimin dhe përgjegjësinë. Zhdukja e këtij neni simbolik tashmë, tregon rikthimin tek modeli i vjetër, që për PD-në do të thotë: lideri mbi rregullin.
Kështu, kryetari Berisha, e ka humbur rolin e liderit në një parti demokratike klasike, dhe është kthyer në institucion. Ky është në fakt thelbi i problemit të PD-së, ku Berisha synon me çdo mjet të mbetet figura qendrore e opozitës, me autoritet moral dhe politik.
Kjo sjellje e liderit dhe këto qëndrime të servilëve të Berishës që janë bërë deputetë pa vota të demokratëve, e mbajnë PD-në të bllokuar në të kaluarën e saj dhe pengojnë rinovimin e nevojshëm.
Cilat janë pasojat?
Nga ky bllokim, ndodh fragmentimi i elektoratit të PD-së, ka mungesë besimi tek votuesit gri, dobësohet opozita përballë qeverisë dhe krijohen vështirësi për të prodhuar alternativë të re bindëse e qeverisëse.
Kështu, ska më kuptim të pyesësh kush e drejton PD-në, por a do të mund të jetë PD-ja një parti me rregulla dhe rotacion, apo do të mbetet një strukturë e lidhur me një figurë të vetme, Berishën?
Kjo është dilema që duhet zgjidhur, ndryshe kriza nuk është sa për të kaluar radhën në këto zgjedhje, por është krizë shkatërruese strukturore.



