Pas zv.presidentes, prokurorët belgë marrin në pyetje dhe dy eurodeputetët e Parlamentit Europian

0

Nënpresidentja e Parlamentit Europian, Eva Kaili është arrestuar mbrëmjen e djeshme në Bruksel, pas një hetimi të nisur nga prokurorët belgë për korrupsion. Menjëherë, partia greke e PASOK ka njoftuar pezullimin e Kailit për t’i hapur rrugë hetimit të saj.

Mediat greke raportojnë se veç nënpresidentes, po merren në pyetje edhe eurodeputetët belgë të socialdemokratëve, Mark Tarabella dhe Marie Arena.

Më herët, siç u bë e ditur nga Brukseli, katër persona, mes tyre edhe një ish-deputet, u arrestuan në kuadër të një hetimi nga një gjyqtar financiar, të dyshuar për ryshfet nga një “vend i Gjirit”, brenda Parlamentit Europian, siç njoftoi Prokuroria Federale e Belgjikës. Vendi nuk u emërtua nga Prokuroria.

Sipas gazetës Le Soir, zyrtarët e Katarit ishin përpjekur gjithashtu të korruptonin një socialist të zgjedhur italian, i cili ishte anëtar i Parlamentit Evropian nga viti 2004 deri në vitin 2019. Hetimi ka të bëjë, ndër të tjera, për akte “korrupsioni” dhe ” pastrimit të parave” në kuadër të një bande të organizuar, thuhet në njoftimin për shtyp të Prokurorisë.

eurodeputetja socialiste greke, Eva Kaili
Eurodeputetja socialiste greke, Eva Kaili

Për muaj të tërë, hetuesit belgë “dyshonin se një vend i Gjirit po ndikonte në vendimet financiare dhe politike të Parlamentit Evropian duke paguar shuma të konsiderueshme parash ose duke ofruar dhurata të rëndësishme palëve të treta me një pozicion politik dhe/ose një pozicion të rëndësishëm strategjik” brenda atij organi.

Rreth orës 22.00 të së premtes, AFP raportoi se Eva Kaili është arrestuar, por ky lajm nuk është konfirmuar. Vlen të theksohet se e vetmja mënyrë për të arrestuar një eurodeputet (pasi kanë imunitet) është kapja në flagrancë.

Gazeta belge Le Soir shkruan konkretisht:

“Të premten u kryen më shumë se 15 hetime nga agjentët e Zyrës Qendrore për Luftimin e Korrupsionit në Bruksel dhe katër persona, të konsideruar si të dyshuar, u arrestuan.

Mes tyre, Luca Visentini, Sekretar i Përgjithshëm i sapozgjedhur i Konfederatës Ndërkombëtare të Sindikatave, ish-deputeti i S&D, Pier-Antonio Panzeri si dhe Francesco Giorgi, ish-asistent parlamentar i zotit Panzeri, partner aktual i grupit S&D dhe partner i Eva Kaili.

Eva Kaili, 44, një ish-prezantuese televizive greke dhe eurodeputete që nga viti 2014, ishte gjithashtu në shënjestër të hetuesve. Shtëpia e saj u kontrollua vonë të premten pasdite dhe ajo u dërgua në prokurori”.

Përveç katër arrestimeve, policia sekuestroi “rreth 600,000 euro para të gatshme” si dhe “pajisje kompjuterike dhe telefona celularë”, përmbajtja e të cilave do të ekzaminohet .

Zyra e bashkëshortit të Eva Kailit, i cili në të kaluarën ka qenë ortak i  Pier-Antonio Panzerit,  është vulosur nga mëngjesi i së premtes. Sipas burimeve në Bruksel, mbrëmjen e së premtes vonë, policia dyshohet se ka gjetur 100 mijë euro në një shtëpi të Francesco Giorgi. Hetimet janë kryer aty dhe në shtëpinë e Pantzerit, ku janë sekuestruar afro 500 mijë euro cash.

Eva Kaili, e cila është një nga nënkryetaret e Parlamentit Europian, kishte vizituar Katarin në fillim të nëntorit dhe më pas, duke folur në Parlamentin Europian, e kishte cilësuar vendin konkret si “pionier” në çështje e marrëdhënieve të punës, duke shkaktuar reagime të ndryshme.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu