Para se t’i fusësh duart në xhepat e qytetarëve, hap një herë thasët e pushtetarëve o beu im

0

 Shkruan Anri Bala

Mund të themi fare mirë se koherenca e beut të Surrelit, nuk është arma e tij më e fortë, sepse katundari më i ri m’qytet shfaq probleme të rënda me memorien, pasi sa herë i teket na ndryshon kërkesa, premtime e zotime. Madje kur e dëgjoi të flas si tallagjar, nuk e di a duhet të qesh a duhet të qaj. Unë qesh për vete me “oi”, kur dëgjoi kryeministrin që i kërkon çekanit të SPAK të mos godas vetëm nga një krahë e me një vrimë, ndërsa zotnia e tij na kërkon që qeveria të fus duart në xhepat e grisur të qytetarëve, pa hapur thesat e hajno-pushtetarëve.

Madje sipas disa kompetentëve: “Qeveria s’ka synim të hetojë stilin e jetës të gjithë shqiptarëve, por për ata që janë informalë. Ka disa persona të paktën nga hetimet dhe diskutimet, është vënë re një kontradiktë, që shumë persona me një makinë luksoze kanë paga më të vogla se 100 mijë lekë të reja në muaj.”

Tallja shkon më tutje kur guxojnë dhe e krahasojnë veten me standartin e vendeve skandinave, që e kanë praktikë t’i kenë publike të ardhurat për të gjithë: “Me hetimet për 100 biznese, 51% e punëtorëve kishin probleme me kontratat. Individi përballë biznesit shpesh herë është i pafuqishëm, ka frikë se do humbasë vendin e punës po informoj që ka abuzime në biznes”, u shpreh zv. ministri demokratosocialist.

E këta janë të “pafaj” që përrallisin, se për këtë punë paguhen, por dy pyetje duhet t’i a bëj beut tim.

A mund të më thuash beu im, se përse një ministër apo zëvëndës, drejtor apo drejtoreshë, apo ndonjë klloun “mut pas këpuce” partie mund të jetë investitor strategjik, kur dje nuk kishte para për të blerë as bicikletë?

A mund të na tregosh beu im se si ka mundësi, që pas çdo tenderi e PPP të fituar del emri i një zagari, pjesë e lukunisë së zgrapsve të milionave të qytetarëve dhe për ta nuk u ngrit asnjë hetim?

A mund të na sqarosh ti beu im, se përse të njëjtat kompani dalin fituese të tenderave milionëshe dhe të tjerat skualifikohen se nuk kanë “eksperiencë”, edhe pse vetë ti i ke licencuar? Kjo është njësoj si t’i japësh një drejtuesi patentën, por t’i thuash nuk e drejton dot makinën tënde deri pa patur 3 vite eksperiencë si shofer!

A mund të më shpjegosh ti beu im, se përse deputetë, ministra e zv. ministrat e tuaj jetojnë dhe gëzojnë prona, vila e apartamente të oligarkëve nga jugu në veri, nëse s’janë ortak në krim?

Jo nuk ke përgjigjie, sepse milionat e shqiptarëve nuk janë bëzhdila misri Beu im, ndaj shiko gardhin tënd, se ke kohë të merresh me tokën e punuar të të tjerëve dhe lopën që u prodhon pak më shumë qumësht, se sa mendojnë barinjt tuaj.

Xhepat e “mesatarëve” para thasëve të pushtetarëve dhe zagarëve, që qenkan të ndershëm, të vërbokan ty beu im! Ndaj ato as që i shikon dhe as që i kontrollon, sepse ata punojnë… për vete si miu, për shefat si ariu.

Të tregojnë pagat e mundit dhe djersës, kur të majmurit e politikës suaj të verbojnë sytë me maskarallëkun dhe fodullëkun e tyre, si bijë miliarderësh, kur nuk janë veçse ca kopila rrjepacakësh, që e bastisën këtë vend, nuk më duket drejt.

A e di pse nuk mund të tregohen pagat në Shqipëri…? Sepse ajkën e marrin taksidarët tuaj idiot e të pashkolluar, të babëzitur dhe të paturp në mediokritetin e tyre dhe natyrisht ti shikon ëndrra natën, sikur po të vjedhin lopën… jo tënden, por tonën. Lopën e ruajmë vetë megjithëse qumështin na e vjedhin përditë strukturat më të pakuptimta financiare të ngritura nga ti beu im, si tagrambledhësit e Tanzimatit.

Kush ta mbushi mendjen se ekonomia po ngadalësohet dhe shteti po falimenton nga tatimi mbi të ardhurat qoftë i bekuar, sepse të gjeti një punë për mandatin e tretë dhe një arsye për të futur qindra idiot të tjerë në administratë, që edhe sikur t’i japin të gjitha paratë ty biznesi i mesëm, artizanët dhe mjeshtrat, nuk do të dilnin as për gjysëm rroge mujore të këtyre piranjave. A dini pse ju quajnë hajdut ju beu im, sepse administrata juaj me kastravecë, që i paguajmë si parazitë, hajdutërinë e ka kthyer në modelin kryesor të qeverisë?

Nuk është keq ta bësh si verifikim për të vetëpunësuarit, të cilët i akuzon se në tatime figurojnë me paga minimale, ndërsa bëjnë jetë pasanikësh… por moralisht e ligjërisht, duhet ta nisni verifikimin nga vetja dhe nga ministrat, të cilët kanë paga të raportuara ordinere krahasuar me pasuritë e paluajtshme, makinat e jetën luksoze që kanë.

Ndaj mos harro premtimin që pate bërë dikur se: Nuk ka bir kurve të fus dorën në xhepin tim dhe të marrë lekët e veta! Ne po të sfidojmë, se nuk ka bir kurve të fus duart në thasët plot të ushtarëve tuaj, sepse duhet dorë shumë e gjatë për të arritur deri atje dhe ju edhe sikur ta keni, keni frikë… se mos ngatërroni thesin.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu