Gazetari Julian Hoxha, në emisionin “Kafe Shqeto”, deklaroi se qeveria po punon për të marrë pronat e banorëve vendas në Theth dhe Valbonë, përmes të ashtuquajturës “Paketa e Maleve”.
Sipas tij, kjo paketë synon të favorizojë oligarkët e lidhur me qeverinë Rama, duke i avantazhuar këta të fundit përmes procedurave ligjore arbitrare si “investitorë strategjikë” në këto zona.
Pjesë nga intervista:
Çfarë ndodhi në Theth? Çfarë deklaruan banorët atje?
Banorët e Thethit kishin marrë kredi sipas mundësive që kishin. Disa prej tyre kishin ardhur nga Italia, me kursimet e veta kishin investuar. Dikush kishte marrë 100 mijë euro borxh, dikush tjetër 300 mijë. Të gjithë këta banorë, duke i besuar fjalës së Kryeministrit dhe premtimeve për zhvillimin e turizmit, kishin investuar për të ndërtuar bujtina dhe vila të vogla që do të prisnin turistë.
Nëse qeveria do të kishte vërtet dashamirësi ndaj banorëve të Thethit, Valbonës apo zonave të tjera me potencial turistik, nuk do t’ua prishte ato ndërtime. Në fakt, nuk kishte pse t’u jepte as kredi shtesë – shteti mund të kursente 250 milionë dollarë. Investimi ishte bërë nga vetë banorët. Ajo që duhej të bënte shteti ishte t’i legjitimonte këto ndërtime dhe të paraqiste një plan të qartë zhvillimi.
Por kjo qeveri nuk ka asnjë plan për zhvillimin e zonës. Në hartat zyrtare, i gjithë veriu rezulton si zonë informale. Nuk është bërë as regjistrimi fillestar i pronave në kadastër. Territori i Alpeve të Shqipërisë, por edhe shumë zona të tjera malore që përfshijnë parqe kombëtare, janë ende të paregjistruara.
Pjesa me ngjyrë kafe në hartat zyrtare tregon zonat që qeveria synon t’i regjistrojë. Pas miratimit të ligjit në muajin mars, është hapur një tender prej 4 milionë eurosh nga Agjencia e Kadastrës për të bërë regjistrimin fillestar të këtyre zonave.
Këtu lind një pyetje shumë e rëndësishme: Si ka mundësi që janë bërë kaq shumë aplikime për legalizim kur nuk ekzistojnë harta kadastrale? Këto janë zona informale, të paregjistruara. Në veri nuk ka funksionuar ligji 7501. Banorët vetë kanë treguar tokat që kanë përdorur për dekada dhe e kanë provuar edhe në Theth: “Ne dimë ku janë tokat tona.”
Prona nuk është ndarë sipas ligjit 7501, dhe madje as vetë shteti nuk i ka regjistruar pronat publike, përfshirë parqet kombëtare. Ato nuk figurojnë në hartat kadastrale. Ndërkohë, shteti ka hapur tendera për kompani private topografike që do të shkojnë në terren për të bërë regjistrimin e pronave, ndërkohë që aplikimet për legalizim janë fiktive.
Pse nuk e ka bërë këtë shteti për 35 vjet?
Pse tani, papritur, hap një tender prej 4.1 milionë eurosh në prill, vetëm një muaj pas miratimit të paketës për zonat malore në Kuvend?
Ky tender po zbatohet në zona si Shkodra, Hasi, Puka, Dibra – të gjitha me potencial të madh për turizmin natyror. Kjo është thirrja e madhe që duhet të ngremë.
Unë dyshoj se, duke ditur që në veri nuk ka funksionuar ligji 7501, shteti tani po përgatitet që t’ua marrë tokën banorëve. Sepse banorët nuk kanë asnjë dokument pronësie. Me regjistrimin fillestar, shteti mund t’u thotë: “Jo, kjo nuk është prona juaj, kjo është pronë e shtetit.” Dhe më pas, mund t’ia japë dikujt tjetër – për shembull, një qytetari nga Saranda – për 1 euro, që të vijë të investojë.
Kjo është e ashtuquajtura “Paketa e Maleve”.
Shteti e ka bërë këtë sepse, për shkak të historikut të gjatë të qeverisjes së tij me skandale, e ka treguar se si funksionon kur dëshiron t’i marrë pronën publikut. Këtë herë, në vend të përplasjes, ka gjetur një zgjidhje propagandistike, por me pasoja të rënda për banorët.