Shkruan Qamil Gjyrezi
Hyrje
Shkodra e kulturës është qyteti ku kënga dhe humori ka djepin e vet. Në Shkodër ka patur shumë gaztorë, (hokatarë), të cilët kanë luajtur një rol shumë të rëndëishëm për jetën sociale të qytetit. Sot në botën moderne të duken “fenomene arkaike”, por njerëzit nuk kanë patur TV, kompjuter, magnetofon për të dëgjuar muzikë dhe humor. Në këtë kontekst këta personazhe si Osoja i Falltores, kanë qenë artistët urban të rrugës, media e rëndësishme që kanë ndikuar pozitivisht tek jeta e qytetit, lagjes së tyre. Osoja falë intelektit dhe talentit artistik të pa kultivuar ka kënduar dhe i ka rënë instrumentit, sazes. Prandaj këta personazhe të së kaluarës, kanë ndikuar në fillimet kulturore të qytetit të kulturës sic është Shkodra.
Secili komb, qytet, lagje ka gaztorët e vet të cilët nuk i harron, edhe mbasi ata të kenë mbyllur sytë. Populli i kujton bejtet dhe fjalët qesharake të tyre ndër argëtime, dasma e festime të ndryshme, me të cilat ata, kur ishin në jetë, argëtonin dhe ua bënin më të harmonishme kohën personave që kishin afër. Kështu, bie fjala, populli grek u kënaqte me Eposin; populli gjerman nuk i shlyen asnjëherë fjalët qesharake të Till Eulenspiegel; populli turk nuk e lë kurr në harresë Nasredin Hoxhën (Nastradini). Po Shkodra, e cilësuar ndër të tjera si “djepi i humorit shqiptar”, nuk e kishte Nastradinin e vet?! Osoja ishte lindur nga prindër të varfër, në lagjen Dërgut të Shkodrës, rreth muajit shtator të vitit 1838. Babai i tij, Selo, endej rrugëve pa punë ndërsa nëna, Hamide, hynte e dilte nëpër shtëpitë e agallarëve e të bejlerëve për t’iu hedhur fall Zonjave dhe Zonjushave të tyre; zeje me të cilën, Hamideja, fitonte ca të holla për veten, burrin dhe djalin. Dikur mbiemri nuk ka qenë i lidhur me emrin, dallimi i njerëzve nga njëri-tjetri bëhej vetëm nëpërmjet emrit. Me kalimin e kohës, kur shumë nga emrat nisën të shumëfishohen, u bë e domosdoshme gjetja e mënyrave të tjera për identifikimin e personave. Ato nisën të dalloheshin nëpërmjet tyre duke shtuar pas emrit fshatin apo qytetin e prejardhjes, emrin e babait apo të nënës, emrin e profesionit të vet ose atë të zanatit të babait apo të nënës. E për këtë arsye Osoja ynë u quajt “Osja i Falltores”. Fëmijërinë Osoja e kaloi rrugëve. Një bamirës e regjistroi bashkë me fëmijët e vet në mejtep te Fusha e Teqes në Pazar, por aty Osoja qëndroi pak kohë.
Njëherë Hoxha i mejtepit ia kishte ngreh veshin Osos, sepse ky nuk kishte mësuar. Osoja, si fëmi i pa hair që ishte e që nuk mendonte tjetër veçse të trillonte gjëra të çuditshme, hypi një ditë prej ditësh në tavan të mejtepit e prej aty, me majë të ibrikut përmes hapësirës së dërrasave, e lagu hoxhën me ca pika ujë curril. Hoxha, kur kuptoi që ishte Osja ai që e kishte lagur, e rrahu me thupër deri sa ia fshiku mishin e këmbëve. Pra për këtë arsye Osja u nda prej mejtepit e kapë rrasë-buqin, lojë që atij i pëlqente më shumë. Osoja u burrërua e si gaztor i lindur, ishte qejfli i ahengut dhe i mjedisit shoqëror. Shpesh ndodhte që netët e gjata të dimrit i kalonte duke qitë bejte, deri në të zbardhur. Merrte pjesë ndër ahengje jo vetëm për të dëgjuar ose me qitë fjalë gazi sa për të qeshur njerëzit, por edhe i binte vetë sazes. Kështu, nisi t’i dalë nami Osos në Shkodër e nuk ishte dasmë, aheng a piknik, që Osja i Falltores mos të ndodhte aty. Osoja pati krijuar edhe një grup ahengëxhinjësh që përbëhej nga: Ndrekë Teneqja, Ndrekë Biruca (Prekula) dhe Simon Shpori. Alfred Von Rappaport-Arbengau; vice-konsull pranë konsullatës së përgjithshme Austro-Hungareze të Shkodrës prej vitit 1893 deri në 1897, i cili dha edhe një kontribut të vlefshëm që të përparonte sa më shumë mësimi në gjuhë shqipe ndër të vetmet shkolla katolike që në atë kohë ekzistonin; në kujtimet e tij personale, ndër të tjera shkruan: “… mblodha nga goja e këngëtarit popullor, Osja i Falltores, nji sasi këngësh kombëtare, të cilat ndoshta do të ishin humbë. Këto këngë bashkë me fjalë ari (fjalë të urta) shqiptare, të mbledhura nga unë, u botuan në vëllimin e gjashtë të “Albanesische Studien” të albanologut Gustav Meyer”. Kësisoj, Osja i Falltores kapërceu pragun e ahengjeve shkodrane, për t’u kthyer në burim të lëndës shkencore. Ky ishte Osja i Falltores: bejtexhi, ahengxhi dhe instrumentist. U rrit në mjerim por me dhuntitë e tij u bëri më të lulëzuar kohën familjeve shkodrane, shumë nga të cilat e kujtojnë edhe sot, sidomos Kazazët e Dragushët, të cilat e kishin si mysafir thuajse për çdo rast familjar. Më të vjetrit, e kujtojnë portretin e tij në një skaj të “Dritëshkrojes Marubi”; burrë fryçalak, ndejë këmbë-turqisht, me saze në dorë e me një gotë përpara.
Për nder të Osjes, një rrugë e qytetit të Shkodrës sot mban emrin e tij. Shenim: Në foto: Kel Marubi (majtas) dhe Emilio Sunmi (djathtas). Fotografi e Kel Marubit. Foto: AQSh. Referenca Shkodranews.