“Nobel”-i në Fizikë ndahet mes 3 shkencëtarëve për studimet e tyre mbi Klimën

0

Çmimi Nobel në Fizikë i vitit 2021 iu dha tre shkencëtarëve për punën e tyre për të kuptuar sisteme komplekse, siç është klima e Tokës.

Në eventin e organizuar në Stokholm, u shpallën fitues: Syukuro Manabe, Klaus Hasselmann dhe Giorgio Parisi.

Fituesit do të ndajnë paratë e shpërblimit prej 10 milion krona, ose 842,611 pound.

Siç shkruan BBC, puna e tyre çoi në modele kompjuterike të klimës së Tokës që mund të parashikonin ndikimin e ngrohjes globale. Është shumë e vështirë të parashikohet sjellja afatgjatë e sistemeve komplekse fizike siç është klima e planetit tonë. Por modelet kompjuterike që mund të parashikojnë se si i përgjigjet emetimeve të gazrave serrë kanë qenë vendimtare për të kuptuarit tonë të ngrohjes globale.

Syukuro Manabe, i cili është 90 vjeç, demonstroi sesi nivelet e rritura të dioksidit të karbonit në atmosferë mund të çojnë në rritje të temperaturave në sipërfaqen e Tokës. Në vitet 1960, ai drejtoi zhvillimin e modeleve fizike të klimës.

Afërsisht një dekadë më vonë, Klaus Hasselmann, 89 vjeç, krijoi një model kompjuteri që lidhte së bashku motin dhe klimën. Puna e tij iu përgjigj pyetjes pse modelet e klimës mund të jenë të besueshme pavarësisht se moti është i ndryshueshëm dhe kaotik.

Komiteti tha se zbulimet e Giorgio Parisi bënë të mundur “kuptimin dhe përshkrimin e shumë materialeve dhe fenomeneve të ndryshme dhe në dukje krejtësisht të rastësishme”. Kjo përfshinte sjelljen e sistemeve komplekse në nivel mikroskopik.

Puna e tij ka aplikime jo vetëm në fizikë, por edhe në fusha të tjera shumë të ndryshme, të tilla si matematika, biologjia, neuroshkenca dhe mësimi i makinerisë (një fushë e inteligjencës artificiale).

Çmimi për përparimet në të kuptuarit e ngrohjes planetare vjen në një kohë kur udhëheqësit botërorë po përgatiten për konferencën e OKB -së për klimën, që do të mbahet në nëntor.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu