Ditën e sotme në gjykatën e Apelit, do të zhvillohet seanca gjyqësore për çështjen ‘Babale’ ndaj deputetit demokrat Ervin Salianji, pas shtyrjes së seancës me 4 korrik.
Seanca e parë u zhvillua më 4 korrik, ku avokatët e deputetit të PD-së Ledio Braho dhe Indrit Sefa, kërkuan që seanca të shtyhet me argumentin se janë në bojkot. Megjithatë seanca u shty pasi nuk plotësohej trupa gjykuese, sepse mungonte gjyqtarja Elona Tora, e cila dyshohet se ishte me Covid.
Salianji u shpall fajtor për veprën penale kallëzim i rremë në lidhje me çështjen “Babale” dhe u dënua me një vit burg nga gjykata e Shkallës së Parë. Në apel e ka çuar çështjen dhe gazetari Jetmir Olldashi, i cili u dënua me 6 muaj burg të konvertuar në 100 orë shërbim komuniteti. Nëse Apeli do të konfirmojë vendimin e Shkallës së Parë atëherë deputeti Salianji, rrezikon burgun.
Salianji pas seancës së 4 korrikut për mediat tha se në rast se gjykata merr vendim për ta dënuar, nuk do largohet nga vendi por do t’i drejtohet dyerve të qelisë.
“Çfarë do bëj? Do të hidhem përpjetë? Çdo vendim do të respektohem. Po them me fakte e me prova që s’ka gjykatë që s’e merr parasysh. Sot ata nuk janë në sistemin gjyqësor që i bën të paragjykuar në vendimmarrje. Çështja do të shkojë në të gjitha instancat ligjore. Nuk mund të ketë dënim për denoncim publik. Kam bërë detyrën time si politikan…”, tha ai për mediat.
Salianji gjithashtu tha se ndaj tij drejtësia nuk ka zbatuar detyrat e saj duke mos vepruar në mënyrë të barabartë.
“Manipuluan procesin me një dëshmitar të rremë , një Agron Hyseni prokuroria dhe policia donin ta fusnin për dëshmitar të rremë, nuk kishte asgjë të ngjashme, ai është I ngjashëm me zërin e të denoncuarit të PD, të denoncuarit prej meje, të nesërmen i akuzuarit vëllai shkoi për të kryer dënimin, institucionet nuk bënë punën e tyre, por duke u marrë me denoncuesit. Ne jo vetëm i qëndrojmë, por ish prok e rënda fakton ato që denonconim. OFL nuk ka ende një hetim pasuror si vëllai I një subjekti të OFL, ligji nuk është I barabartë për të gjithë , mjafton të kesh lidhje me PS. Çdo vendim do të zbatohet unë jam duke thënë atë me fakte dhe prova që nuk ka një gjykatë që e merr parasysh. Ata që janë marrë me çështjen ose janë larguar ose kanë dhënë dorëheqjen. Sot ata nuk janë në sistemin gjyqësor, por padyshim që kjo çështje do të shkojë në të gjitha instancat gjyqësore, jam I bindur që do të ketë. Detyrën time e kam bërë. Edhe një milionë herë të më vinte një milion do ta denoncoja.”, tha Saliaji.
Në mbështetje të Salianjit në sallën e gjyqit në seancën e kaluar ishin edhe deputetët Sajmir Korreshi, Luan Baçi, Elda Hoti, Flamur Noka, Luçiano Boçi, Belind Këlliçi, Selaudin Jakupllari, Kasem Mahmutaj, Bledion Nallbati.
Çështja ‘Babale’ ishte një ndër temat më të nxehta politike në vitet 2017-2019 gjatë kohës kur Fatmir Xhafaj ishte ministër i Brendshëm.
Ish ministri Xhafaj u akuzua nga Salianji dhe Partia Demokratike se favorizoi vëllanë e tij Agron Xhafaj, të dënuar në Itali me 7 vjet e 4 muaj burg.
Pas daljes së përgjimeve, Agron Xhafaj u dorëzua tek autoritetet italiane duke shlyer dënimin e tij dhe tashmë është rikthyer në Shqipëri i lirë.
Deputeti Salianji u shpall fajtor për veprën penale kallëzim i rremë në lidhje me çështjen “Babale” dhe gjykata kërkoi 1 vit burg për të.
Në vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë, thuhet se Salianji u përfshi në kallëzim të rremë për interesa politike të tij dhe të PD-së.
Sipas Gjykatës biseda e stimuluar mes Albert Veliut dhe Fredi Alizotit është regjistruar në janar 2018 në një mjet përgjimi stilolaps të cilin Albert Veliua ia ka dorëzuar Ervin Salianjit, ndërsa të dy bashkë janë takuar që një vit më parë.