Shkruan Sokol Pepushaj
Ministri i Brendshëm vjen direkt nga krimi, pasi është i përgjuar edhe nga shërbimet e vendeve aleate. Ngjan kjo, si e vetmja manovër t’i shpëtojë, normalisht dhe përkohësisht, përballjes me drejtësinë dhe transparencës pasurore.
Përtej demagogjisë, është kjo strategjia e Bablokut për të demonstruar publikisht antiamerikanizëm potent, apo nuk ka të tjerë nga radhët e Rilindjes që po vdes jo veç demokracinë, por edhe pritshmëritë e shqiptarëve, ngelet dilemë kokteji i detyrueshëm, para se të aludosh.
Më thjeshtë, pa përzierës, si njëra si tjetra, janë tablo të zeza.
Ja, Taulant Balla, jo vetëm është më i akuzuari në veprimtari kriminale, por edhe i sanksionuari për takimet me përfaqësues të ambasadës amerikane, që në momentin e mbylljes së dosjes së vrasjes së avokatit Ravik Gurra në Elbasan, në formën më demonstrative të pritshmërive të shqiptarëve për drejtësi mbi të gjithë.
Sot, si shqiptarët, si ndërkombëtarët e dinë se cilido që futet në Kështjellën e Shtetit, duhet të plotësojë disa kushte.
Ministri i ekonomisë, duhet të ketë vjedhur ca çanta me dollarë, ndryshe nuk i drejton dot financat; ai i arsimit të jetë i dobët edhe në shkrim e këndim, por të ketë blerë titull shkencor; i brendshmi të vijë nga zemra e mafies; i jashtmi të ketë para edhe jashtë, në parajsat fiskale. Kështu me tërë aparatin e shtetit, deri tek ministri pa portofol që patjetër duhet të ketë ca valixhe plot dollarë dhe të mos kursehet kur blihen vota për të tjetërsuar vullnetin e sovranit.
Për vjedhje votash dallon Taulanti.
Pas dhjetëra skandaleve që nga lidhjet me bandat, videot për vjedhje votash, bizneset e dyshimta, pastrimi i parave, drogërat e gjithë të zezat për të cilat duhej të ishte në burg, çuditërisht do të jetë në krye të Ministrisë së Brendshme.
Dëshmitë e të penduarve të drejtësisë Nuredin Dumani dhe Adrian Çapja, se vrasja e avokatit është porositur nga politikani i lartë me emrin Taulant, u retushuan me plumba mbi avokatin që kishte përgjimet.
Kështu pra, për të mbajtur pushtetin kriminal, aq agresiv janë këta, sa edhe në buzëqeshjen e një vegimi, arrestimit të peshqve të mëdhenj, ngrijnë stalagmite antiamerikane nën përkujdesje të një banditi që nuk ka ditë deri sot të mos ketë prodhuar skandale.
Mjekër bardhi zemërzi, simbolizon modelin që shtrëngon e shtrydh ashpër taksat, pasuritë publike, liritë dhe të drejtat njerëzore, duke ecur ballëlart në rrugën e çmendurisë antiamerikane, deri në paradoksin e fundit sa, në shtetin e Rrajave banditi bëhet Ministër!/Pamfleti