Në Shqipëri, mungon Pallati i Drejtësisë!

0

Shkruan Zef Ndreka

Të gjithë janë dëshmitarë të një bum-i të pa parë ndërtimesh në Shqipëri. Sidomos bregdetit nga Saranda në Velipojë dhe në qytetet kryesore, veçanërisht në Tiranë, Durrës Vlorë etj.
Shumë kulla e gradaçela që prekin qiellin, flitet se ndërtohen duke pastruar para. Një pjesë e tyre janë ndërtuar e ndërtohen me paratë e krimit, të drogës apo të korrupsionit 30 vjeçarë.
Pallate pa fund. Pallate të pa shitura. Pallate që po i blejnë vetë padronët. Apartamente dhe ambiente bisnesi që shkojnë me çmime marramendëse deri në 5000€/m2.
Çmendurira pa fund.
Të gjitha këto, bëhen nën hundët dhe lejet e pushtetit, me “liçensen” e tyre. Me korrupsionin dhe krimin që ia porcjellin njeri-tjetrit natën, ndërkohë që shahen e ofendohen ditën në sy të publikut.
Steka e korrupsionit është ngritur shumë lart. Gara e çmendur e pasurimeve të paligjshme ska të ndalur.
Por kjo nuk është politikë.
Politika, ndryshe nga “liçensat” e ndërtimit të pallateve, të kullave, hoteleve luksoze, resorteve, bujtinave etj, duhej ta linte të lirë ekonominë e tregut me rregullat e saja, dhe të ndërtonte së pari për të mirën e vendit dhe të popullit Pallatin e Drejtësisë.
Jo në kuptimin e thjeshtë të konstruksionit se ato nuk mungojnë, por të rëndësisë që ka realisht drejtësia në një shoqëri demokratike.
Por historikisht drejtësia është e manipuluar nga përsonalitet e posteve më të rëndësishme të shtetit. Drejtësia në këto 34 vite, më së shumti është nëpërkëmbur nga ish Presidenti Berisha dhe ish Kryeministri Berisha, nga Presidenti Meta dhe ish Kryeministri Meta.
Janë raste të njohura në ndikimin e politikës në drejtësi, duke i trembur, shantazhuar, goditur, pse jo edhe duke i vrarë.
Këta dy non grat-a kanë instrumentalizuar plot nëpunës të lartë të drejtêsisë, konkretisht të sistemit prokurorial dhe atij gjyqësor.
Përdorimi nga ana e tyre ndër vite ka patur qëllim eliminimin e kundërshtarëve politik, duke përdorur drejtësinë e nënshtruar.
Qytetarët vuajnë pikërisht nga ky sistem i drejtësisë së manipuluar dhe e kanë të pamundur të mbrohen nga krimi e korrupsioni që lulëzon ende nga mungesa e drejtësisë.
Departamenti i Shtetit Amerikan, pasi konstatoi me keqardhje se Shqipëria është kryesisht pasojë e shtetformimit të dobët, e krimit dhe korrupsionit, e agjenturave sllavo-ruso komuniste, e fundamentalistëve, islamikëve etj, ku kryesisht drejtësia ka qenë zotërim i Berishës@compani, e shpallën non grat-a edhe si rrezik për vetë shtetin amerikan.
Është çudi e madhe kur pas gjithë kësaj ndërhyrje amerikane, pas gjithë asaj mbështetje në sistemin e drejtësisë, padrejtësia nuk do duhej të sundonte më dhe nuk do të duhej të heshte!
Për fat të keq, sot shikon edhe pse një shtresë njerëzish gëzojnë pasuri e privilegje të pamerituara tashmë, ngrejnë zërin e akuzojnë, siç ndodh me rastin Berisha i cili e dinte mirë se degjenerimin e shoqërisë tonë e bënte lehtësisht sistemi i shkatërruar i drejtësisë, nisur nga postulati që: një vend pa ligj nuk ka kurrë liri.
Për këtë, amerikanët ngritën dhe financuan SPAK-un, i cili ka si mision hetimin e krimit të organizuar dhe korrupsionin. Por deri më sot, ende nuk kanë arritur të fusin në rrjetë peshkun e madh. Madje, duke e parë e duke e anashkaluar, duke e lëne të rritet përsëri.
Pyetja më e thjeshtë:
Pse nuk i kapin e ndëshkojnë këta gjyqtarë e prokurorë, që si çdo keqbërës tjetër që ka shkelur ligjin, ka shpërdoruar detyrën, ka përvetësuar dhe është pasuruar, duke futur duart në xhepat e qytetarëve dhe në prona publike?!
Kaq të rrafinuar paskan qënë agjentët e modifikuar apo ende ka frikë drejtësia prej tyre?!
Shqipëria, ndryshe nga vëndet kryesisht europiane e euroatllantike ka një lloj drejtësie që nuk funksionon, ndaj ne të gjithë, jemi një shtet me qytetarë që nuk gëzojmë liri, siç e meritojmë. Dhe klasa politike iu ka imponuar shqiptarëve me pa të drejtë, zgjidhjen më të shpejtë ku shohin braktisjen e vendit, emigrimin.
A nuk do ishte më mirë për të gjithë ngritja e një Pallati të munguar Drejtësie?!
Kjo duhej të ishte kryefjala e forcave politike që synojnë pushtetin, jo çrrenjosja e drejtësisë per interesa përsonale e familjare të disa përsonave…

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu