Shkruan Zef Ndreka
Ka një javë që situata politike në Shqipëri ka hyrë në një fazë të re, ku ndërthurën kryesisht ndërhyrjet politike të qeverisë në punët dhe mbarëvajtjen e pushtetit lokal, si dhe të shfaqjes së shtetit me një vendosmëri maksimale për zbatimin e ligjeve, sidomos me shkatërrimin e ndërtimeve pa leje në Parkun Kombëtarë të Thethit.
Sjellja e Kryeministrit Edi Rama, sidomos pas zgjedhjeve të 11-Majit, por ende pa u çertifikuar zyrtarisht rezultati i tyre, po shfaq shënja të qarta autokracie, që iu shkon për shtat vetëm autoritarizmit si formë e totalitarizmit.
Rezultati rekord i zgjedhjeve të 11-Majit, sigurisht që Kryeministrin socialist Edi Rama e vë përpara një detyre me ambicie për të arritur objektivat e premtuara në fushatë dhe për të cilat ai dhe forca e tij u votua, në mungesë reale të një alternative opozitare.
Çfarë e shtyn Edi Ramën të ndëshkojë arbitrarisht apo më tej e më saktë, të urdhërojë paradoksalisht dorëheqjet e gjithë drejtuesve të bashkive dhe administratorëve?!
A janë bërë mirë llogaritë, apo emërimi i opozitarëve të deklaruar deri më tani do të përkthehej në një formë të re bashkëqeverisëse me opozitën?!
Kryeministri Edi Rama mund të ketë motive, por edhe arësye konkrete për “ndëshkimin” që ka marrë përsipër. Por a nuk do të ishte më mirë tē bëheshin më parë analiza e diskutime në çdo njësi vendore dhe nqs do ishte e udhës të realizoheshin dorëheqjet e pritshme, por së pari si ndjenjë e brëndshme e drejtuesve nga vetë drejtuesit, që mund të mos ecnin me hapat e pritshme që pretendon Kryeministri?!
Sot, askush nuk e di qartë se në çfarë situatash të ngushtësuara gjenden të urdhëruarit drejtues për tu dorëhequr!
Mbase koha apo momenti pas zgjedhjeve të 11-Majit për të ushtruar këtë presion mbi pushtetin lokal, ka kohë të amortizohet deri në zgjedhjet parlamentare të 2029-tës. Por, pasojat që mund të ketë për zgjedhjet e pushtetit lokal pas dy vitësh, nuk mund të injorohen.
Objektivi kryesor i PS-së dhe qeverisë, pra Integrimi në BE, sigurisht kërkon reforma, kërkon njerëz të aftë e aktivë, kërkon bashkëpunim me opozitën. Por, një nga drejtimet kryesore që do ishte përcaktuese për integrimin tonë në BE, është kultura, bujqësia dhe ushqimi.
Ne, në BE nuk futemi as me ekonomi, as me industri, madje as me turizëm! Ndaj më duket se shumë urdhëra janë të nxituara, si nga Rama dhe drejtues të policisë, për më tepër me ndëshkime të tilla kolektive.