Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi nga tryeza e opozitës për Reformën Territoriale se qeveria e drejtuar nga Edi Rama ka si qëllim shpopullimin e vendit dhe përvetësimin e pasurive publike.
Ai akuzoi kryeministrin se, si në kohën kur drejtonte Bashkinë e Tiranës, ashtu edhe tani në krye të qeverisë, ka ndjekur të njëjtën linjë, duke synuar sipas tij grabitjen e fondeve dhe duke lënë pas dore veçanërisht zonat veriore të vendit për shkak të bindjeve politike të banorëve.
Berisha solli edhe një shembull konkret, duke pretenduar se përfitimet e një individi të lidhur me mazhorancën janë më të larta se investimet në zona të tëra të veriut.
Ai u ndal edhe te organizimi i sistemit të kadastrës, duke e cilësuar Shqipërinë si një rast unik me një zyrë të vetme në gjithë territorin, gjë që sipas tij lidhet me kontrollin dhe menaxhimin e pasurive publike.
“Vendi unik në Botë me një zyrë të vetme Kadastrale në të gjithë vendin. E merrni vesh ju sepse grabitja dhe plaçkitja e pasurive publike të popullit është përparësi absolute e këtij regjimi. Ndaj dhe u ndala në këtë hyrje jo për të bërë politikë por për të theksuar se si u braktisën qytetarët nga kjo reformë. Cila qe një nga sukseset më të mëdha që arriti qeveria e PD-së në zhvillimin e Shqipërisë rurale në të cilën janë investuar mbi 3 miliardë euro me Thesar? Ishte prania e qeverive vendore kudo. Parimi ishte: Ju projektet, Qeveria fondet! Kjo është një çështje shumë themelore, nuk është paraja kryesore, jo absolutisht, më kryesore për një qeveri janë projektet. Dhe një qeveri s’i përballon dot, në asnjë vend të botës, nuk ka qeveri në botë që përballon projektet, por ndryshe nuk zhvillohet”, u shpreh kreu i selisë blu.
Në vijim, ai krahasoi nivelin e investimeve në të kaluarën me situatën aktuale, duke pretenduar se zonat rurale janë lënë pas dore dhe projektet janë ndalur.
“Agim Xhafa shtroi 49 km rrugë në komunë për një mandat, kurse Rama në Tiranë 12 km rrugë, sepse Xhafa nuk i vidhte paratë, kurse Rama kishte qëllim grabitjen e parave. Shkoni në komuna, nuk ka më investime. Kanë përfunduar projektet vetëm që ishin të nisura dhe projektet e investimet në Shqipërinë rurale nuk ekzistojnë. Nuk ekzistonte për Erjon Veliajn Tirana Rurale, vetëm se të Shpella e Pëllumbave se ku është një vend turistik andej”, tha Berisha.
Kreu i PD-së vijoi me akuza për mënyrën e shpërndarjes së investimeve, duke theksuar se sipas tij ekziston një pabarazi e theksuar mes zonave të ndryshme të vendit.
“Iu dha goditje fatale procesit të zhvillimit të vendit, përveç kësaj, ky, që është kryeministri më i mirë i Serbisë pas Pashicit, e trajtoi Veriun më keq se çdo pushtues tjetër në histori. Po, dispoporcioni i investimeve nga Fushë-Kruja gjer në Vermosh të marra së bashku investime totale janë të barabrata me ato që ka fituar motra e Tërmet Peçit në Tepelenë”, vijoi kryedemokrati.
Në fund, ai theksoi se sipas tij qeveria ka mbajtur një qëndrim përjashtues ndaj zonave që nuk e mbështesin politikisht, ndërsa paraqiti edhe qëndrimin e PD për reformën territoriale, duke e lidhur atë me standardet evropiane dhe modelin e rajoneve.
“Imagjinoni ju se me çfarë urrejtje e trajtoi ky popullatën që nuk votonte për të. Nuk e fshehu, fushata ishte e hapur, po s’më votuat mua, investime nuk do keni u tha. Urrejtje, braktisje nga qeveria pas kësaj pseudoreforme që ka kryer këto vite ai. Ku qëndrojmë ne? Duhet t’i japim përgjigjen e shkëlqyer dy çështjeve themelore: Interesave dhe shërbimeve të qytetarëve shqiptarë. Së dyti përsshtatja me të gjitha kriteret e BE-së. pasi siç dihet Evropa e Bashkuar është edhe Evropa e Rajoneve, pikërisht është projekti që BE synon që t ëketë zhvillim në të gjitha rajonet e hapësirës evropiane”, u shpreh Berisha.



