Dhuna ndaj Adriatik Doçit është një akt i rëndë kriminal, për të cilin policia e shtetit duhet urgjentisht të veprojë.
Çdo vonesë, apo lojë për të bërë të mundur largimin e tij, nuk është gjë tjetër veçse një bashkëpunim i hapur me kriminelët që kanë dhunuar në banesën e tij gazetarin Adriatik Doçi.
Dhuna ndaj gazetarëve, është një hap i qartë se shoqëria dhe shteti shqiptar po shkon drejt një përshkallëzimi të rrezikshëm dhe dramatik për qytetarët e këtij vendi.
Gazetarët janë ndërmjetës e dëshmitarë të atyre që ndodhin lart në kupolën e pushtetit dhe në nëntokë, aty ku fshihet krimi, i cili prej kohësh ka marrë ashensorin dhe është ngjitur në krye të vendit.
Asnjë gazetar as nuk mund të dhunohet, as nuk mund të bullizohet, e as të shantazhohet. Në një shtet normal, qoftë edhe parademokraci, pakënaqësitë apo konfliktet që lindin prej artikujve apo raportimeve të gazetarëve i zgjidh vetëm gjykata.
Në diktaturat gjakatare e të errëta dhunohen e gjakosen gazetarët, kjo është shenja më e qartë dhe e pakthyeshme e rrëshqitjes së vendit në autokraci.
Sulmin ndaj Adriatik Doçit e ka ushqyer sjellja arrogante e Kryeministrit Edi Rama ndaj gazetarëve dhe mediave gjithë këto vite. E ka forcuar injorimi që institucionet në këtë vend i kanë bërë çdo sulmi, çdo intimidimi, çdo shantazhi ndaj njerëzve të shtypit në këtë vend.
Gazetarët dhe reporterët që shkruajnë për ngjarje dhe fenomene të errëta si krimi a korrupsioni, shantazhohen çdo ditë nga njerëz me pushtet që dërgojnë halabakët e tyre për të kërcënuar fizikisht, familjarisht dhe natyrisht nëpërmjet gjyqeve pa fund, që janë kthyer në një torturë për çdo gazetar.
Opozita shqiptare duhet të dalë menjëherë e të dënojë çdo dhunë e sulm ndaj gazetarëve, edhe pse ai mund të jetë njëri prej atyre që ka kritikuar Sali Berishën apo Ilir Metën; ndryshe nuk është opozitë por pjesë e enturazhit të bashibozukëve të korruptuar.
Ata që e quajnë veten “gazetarë të mëdhenj”, duhet që të flasin tani, sot, menjëherë dhe çdo ditë kur ndonjë koleg i tyre dhunohet.
Organizatat e gazetarëve, duke filluar nga Unioni i Gazetarëve Shqiptarë, duhet të nisë urgjent një aksion të fortë që të ndalet dora e këtyre kriminelëve ndaj gazetarëve. Jo vetëm deklarata facebook-u, e dalje në televizion, por protesta e aksione të përshkallëzuara për të bashkuar zërin e të gjithëve në vend e në botë.
Së fundmi, por jo të fundit, duhet që ambasadorja e SHBA, ajo e BE-së, por edhe ambasadorët e Perëndimit, duhet që të mbrojnë gazetarët që kanë mbrojtur gjithë këto vite reformën në Drejtësi, kanë kërkuar e kërkojnë me ngulm dhënien fund të pandëshkueshmërinë, e t’i lënë qokat me ata pjesëtarë të komunitetit tonë që janë shërbëtorë të politikanëve më të korruptuar që ka pasur historia e Shqipërisë.