Molla e ndaluar

0

Zenepja (Sevda Erginci/Sevda Erginxhi) dhe Jëlldëzi (Eda Ece/Eda Exhe) janë dy motra që bëjnë shumë për njëra-tjetrën, por që kanë ëndrra krejt të kundërta. Zenepja është një vajzë e bukur, që u përmbahet vlerave etike dhe punon si asistente menaxheri. Kur kompania e saj blihet nga një kompani tjetër, ajo fillon të punojë për një biznesmen të ri, Alihanin. Alihani është një biznesmen i pasur, kryelartë dhe tepër arrogant, i cili nuk e ka problem të lëndojë njeri. Alihani dhe Zenepja shkojnë si macja me miun. Asnjëri nuk tërhiqet. Alihanit i pëlqen sjellja e Zenepes dhe fillon të ndiejë për të.

Nga ana tjetër, Jëlldëzi ëndërron një jetë të pasur. Me qëllim që të njihet me njerëz të kamur, ajo fillon punë si kameriere në një restorant të njohur. Ndërkohë, është e lidhur me një djalë të pasur, me të cilin ka për qëllim të martohet, që të shpëtojë nga jeta e varfër. Megjithatë, më në fund e kupton se i dashuri i saj nuk ka ndër mend të martohet me të. Jeta e Jëlldëzit ndryshon plotësisht kur njihet me mbretëreshën e shoqërisë së lartë, Ender Argunin (Şevval Sam/Sheval Sam).

Enderi është një grua e bukur, e martuar me biznesmenin e njohur, Halit Argun (Talat Bulut). Ajo është gruaja e tretë e Halitit dhe jeton në një shtëpi luksoze, së bashku me të birin dhe dy thjeshtrat. Enderi dhe Haliti luajnë rolin e çiftit të lumtur, por në të vërtetë nuk e duan njëri-tjetrin. Kur janë vetëm, sillen ashpër dhe vetëm debatojnë. Enderi do që të divorcohet nga i shoqi, pa e humbur statusin shoqëror dhe financiar. Ajo e di që ai është tepër i zgjuar dhe nuk vepron pa plane. Haliti është martuar dy herë, dhe është divorcuar nga gratë pa u dhënë kompensim. Enderi nuk dëshiron të përjetojë të njëjtën gjë si ish-gratë e Halitit. Kështu, ajo thur një plan dinak dhe punëson Jëlldëzin.

Sipas planit të Enderit, Jëlldëzi do të punojë si asistente në kompaninë e Halitit. Ajo duhet të bëjë të pamundurën që ta bëjë për vete Halitin dhe të fillojë një lidhje me të. Në këtë mënyrë, Enderi do të fajësojë Halitin dhe do të arrijë t’i marrë një kompensim të majmë në gjyq. Jëlldëzi pranon, por edhe ajo ka planet e veta. Vendimi i saj nuk do të ndikojë vetëm atë, por edhe të motrën, Zenepen.

Në telenovelën “Mollë e ndaluar” do të shikoni se si do të ndryshojë jeta e dy motrave. A do të arrijë Jëlldëzi ta realizojë ëndrrën dhe të bëjë një jetë të pasur? Do t’ia dalë Enderi të divorcohet nga Haliti dhe të marrë një kompensim të lartë? Po Zenepja, a do të mundet ta ruajë pafajësinë dhe të gjejë dashurinë e vërtetë?

Kasta e aktorëve

Halit Argun është një nga biznesmenët më të pasur të Turqisë, njeri i mirë, punëtor dhe i respektuar. Problemi i tij i vetëm është shthurja. Është shumë i dhënë pas bukurisë dhe rinisë. Është mësuar të ketë në krah një grua të bukur dhe të mbajtur. Kur është divorcuar, nuk u ka dhënë grave asnjë qindarkë; madje edhe bizhuteritë i ka ruajtur gjithmonë në kasafortën personale. Ai nuk jeton dot pa praninë e një gruaje dhe dëshiron që ato ta duan dhe ta pëlqejnë.

Talat Bulluti

Aktori i kinemasë dhe teatrit, Talat Bulut, ka lindur më 23 Mars 1956 në Sarëmësh, të Karsit. Pasi ndërpreu studimet e larta në degën e inxhinierisë elektronike, pranë universitetit “Haxhettepe” në Ankara, në vitin e dytë, Talat Bullut nisi karrierën artistike në vitin 1975 me një rol në pjesën teatrale “Dimitrov”.

Pas një eksperience të gjatë në teatër, me inkurajimin e Tyrkan Shorajit, bëri daljen e parë në kinema me filmin “Hazall”. Gjatë kohës kur kinemaja turke po kalonte një periudhë jo shumë produktive, Bulluti e ndërpreu veprimtarinë kinematografike. Pavarësisht nga preferenca për filma cilësorë, Talat Bullut, krahas roleve në kinema dhe seriale, bën edhe role dubluese. Filmi që e ka bërë më të njohur për publikun është “Tarzani i Manisës”.

Ender Argun, me kuptimin e plotë të fjalës një grua superiore dhe aktive në shoqëri. Në kulmin e bukurisë, arrin të fillojë punë si sekretare pranë një biznesmeni të hedhur, të martuar dhe miliarder si Halit Arguni. Pasi mbetet shtatzënë me Halitin dhe e mban të fshehtë për njëfarë kohe, arrin të bëjë jetën që kishte ëndërruar me bukurinë, aftësinë, punën dhe feminitetin e saj. Adhuron pasurinë dhe pushtetin.

Kush është Sheval Sam?

Ka lindur më 11 nëntor 1973 në Stamboll. E ëma është këngëtarja Leman Sam dhe i ati Selim Sam. Arsimin fillor dhe 9-vjeçar i ka përfunduar në shkollën “Hasan Ali Jyxhel”, në lagjen “Etiler” në Stamboll. Arsimin e mesëm e kreu në shkollën profesionale teknike të ndërtimit dhe restaurimit në Zinxhirlikuju. Studimet e larta i kreu Grafikë, në fakultetin e arteve të universitetit Marmara. Me një rol në serialin “Super babai” të viteve 1993-1998 ka fituar shumë popullaritet. Me albumin “Sek” në vitin 2006 ka bërë edhe daljen e parë në karrierën muzikore. Në vitin 2007 nxjerr albumin e dytë “Istanbul’s secrets” (Sekretet e Stambollit) dhe në vitin 2008 albumin e tretë “Karadeniz” (Deti i Zi). Në vitin 2010, Sam nxjerr albumin “Has Arabesk”, me  interpretimin e saj të veçantë të këngëve arabeske të viteve ’70. I përgatitur me stilin e veçantë arabesk, pa shoqërimin e instrumenteve elektronike, albumi përfshin këngë të këngëtarëve si Orhan Genxhebaj, Ferdi Tajfur, Gylden Karabëxhek, Esengyl, dhe deri te Myslym Gyrsesi, që kanë lënë gjurmë në historinë e muzikës arabeske. Përveç roleve në seriale të shumtë, Sheval Sam ka marrë pjesë edhe në shumë reklama televizive.

Alihan Tashdemir

Beqari më simpatik dhe më i dëshiruar i Stambollit. Ngado që shkon tërheq vëmendjen e gjithkujt. Femrat i vijnë rrotull. Është perfeksionist dhe nuk i toleron gabimet. Në punë është i pamëshirshëm. Nuk ta jep kurrë një mundësi të dytë. Janë të paktë njerëzit të cilëve u beson dhe i vlerëson. I pëlqen të duket i pamëshirshëm dhe do që njerëzit ta kenë frikë.

Kush është Onur Tuna?

Ka lindur më 16 Korrik 1988 në Çanakkale. Studimet e larta i kreu në fakultetin e ekonomisë. Gjithashtu, ka marrë leksione për trajnimin e zërit në muzikën tradicionale turke (Sanat Müziği ) në Konservatorin e Universitetit Ege. Përveç këngëve “Aci Verdin” dhe “Tipki Sen”, Onur Tuna, i cili i bie edhe kitarës, ka realizuar afërsisht 70 këngë. Me një gjatësi 1.95, Onur Tuna ka luajtur basketboll dhe volejboll profesionist që në shkollë 9-vjeçare. Krahas roleve në teatër, si në shkollë të mesme dhe në nëntëvjeçare, gjatë studimeve universitare në Izmir, Tuna ka qenë fotomodel profesionist për 4 vjet. Ka marrë mësime aktrimi në qendrën e artit “Mujdat Gezen”. Në filmin e vitit 2011 “Jeta Vazhdon”, me skenar të Mahsun Kërmëzëgylit, luajti rolin e Sërat Bakërcësë. Në vitin 2014 ka luajtur në filmin artistik “Një çështje e vogël tetori”, me aktorë kryesorë Farah Zejnep Adullah dhe Engin Akjyrek. Në serialin policesk të periudhës osmane “Filinta”, i cili filloi transmetimet në 23 Dhjetor 2014, luan rolin e Filinta Mustafait.

Jëlldëz Jëllmaz, edhe pse shumë e re në moshë, është mërzitur nga jeta. Për të, çelësi i lumturisë është të martohesh me një burrë të pasur dhe të jetosh një jetë luksoze. Është simpatizante e shoqërisë së lartë. Pasi kupton se me propozimin e Enderit mund t’i ndryshojë jeta, do të mendojë vetëm se si t’i tërheqë vëmendjen Halitit dhe të bëhet gruaja e tij.

Kush është Eda Exhe?

Ka lindur në Stamboll më 20 qershor 1994. Pasi mbaroi shkollën e mesme “Terakki” në Shishli dhe studimet e larta për psikologji në universitetin Istanbul Bilgi, studioi histori arti dhe filloi punë në një galeri. Pjesëtare e klubeve të teatrit gjatë viteve të shkollës, pas një roli në teatër, i tërheq vëmendjen manaxherit Tymaj Ëzokur dhe merr propozime për role të ndryshme.

Zejnepe Jëllmaz

Është 2 vjet më e vogël se motra e saj, Jëlldëzi. Nuk do që të bjerë në sy dhe ta mbajë veten si Jëlldëzi. Është më natyrale, dhe siç ia do mosha. Gjëja që i bën përshtypje te njerëzit, është karakteri. Është e drejtë, punëtore, e mençur dhe idealiste. Nuk i duron dot padrejtësitë. Nëse dikush bën padrejtësi, e thotë hapur, kushdo që të jetë. Nuk i kursen fjalët dhe nuk ka frikë. Është e zgjuar dhe e aftë.

Kush është Sevda Ergenxhi?

Sevda Ergenxhi

Ka lindur më 3 tetor 1993 në Stamboll. Ka filluar të merret me teatër dhe aktrim që në moshën 15-vjeçare dhe rolin e parë në teatër e ka pasur në pjesën për fëmijë “Paki dhe lulet e dashurisë”. Ka studiuar për aktrim 1 vit e gjysmë.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu