Mjerë ne se kush na gjykon, gjyqtarë manipulatorë dhe një “KLGJ” që mashtron me vulë zyrtare

0

Shkruan Arben Llangozi

Para dy ditësh, KLGJ doli me një deklaratë që në pamje të parë duket si një shaka e keqe, gjyqtarët, sipas tyre, qenkan viktima të pafajshme, ndërsa fajtorë për zvarritjen e proceseve qenkan… avokatët! Nëse nuk do të ishte tragjike, do të ishte për të qeshur me lot. Po kush na gjykon, more zotërinj të KLGJ-së, që keni guximin të përmbysni realitetin e ditës?

Mjer ne kush na gjykon! Kur gënjeshtra vishet me petkun e së vërtetës dhe mashtrimi na shitet si transparencë, drejtësia është kthyer në një teatër grotesk ku spektatorët janë qytetarët e lodhur nga pritja, dhe aktorët kryesorë janë gjyqtarët që gishtin e drejtojnë gjithmonë tek të tjerët.

-Avokatët nuk kanë interes të zvarrisin, ne kemi klientë që çdo ditë kërkojnë shpejtësi, që pyesin pse nuk ka lëvizje, pse procesi nuk mbyllet. Shumë prej tyre na kanë shprehur pakënaqësi pikërisht për vonesat që nuk varen nga ne. Po ja pra, sipas gjyqtarëve, qenkemi ne pengesa.

-Gjykatat civile caktojnë seanca një herë në 7 muaj, po e themi hapur, kjo nuk është drejtësi, është tallje. Në një vend normal, kjo do të quhej mohim i aksesit në drejtësi. Tek ne, quhet “procedurë normale”. Dhe fajin, sigurisht, nuk e ka gjyqtari, por avokati!

-Seancat mund të nxirren edhe me “miq”. Kush nuk e di që shpesh dosjet nxirren sipas qejfit dhe interesit? Për të marrë një datë gjykimi, shpesh duhet ndërhyrja e “mikut të duhur”. Por kjo, sipas gjyqtarëve, nuk ekziston, është thjesht imagjinatë. Por fatkeqësisht provat janë lënë rrugës. Ja pra, edhe ky realitet, si shumë të tjera, fshihet nën qilim, ndërsa përgjegjësia hidhet mbi ne.

Pra, KLGJ del e na shpjegon me gjakftohtësi se fajtorët jemi ne avokatët, ndërkohë që qytetarët presin me vite për drejtësi. Kjo është një manipulim publik, një alibi qesharake për të larë duart e sistemit gjyqësor nga dështimet e veta.

Në vend që të merren me rritjen e eficiencës, me kontrollin e disiplinës gjyqësore, me ndëshkimin e abuzimeve, KLGJ ka zgjedhur rrugën më të lehtë, të shpallë avokatët armiqtë e drejtësisë.

Por e vërteta është e thjeshtë, avokatët nuk zvarrisin, avokatët kërkojnë, insistojnë, luftojnë që gjykimi të ecë. Zvarritja është produkt i një sistemi të kalbur, ku mungon përgjegjësia, ku gjyqtari mbron karrigen, jo ligjin.

Mjer ne se kush na gjykon, kur disa gjyqtarë manipulatorë dhe një KLGJ që duhet të garantojë drejtësinë, zgjedhin të mashtrojnë publikun duke hedhur fajin mbi avokatët për zvarritjen e proceseve, ndërkohë që e vërteta e hidhur është se gjykatat vetë caktojnë seanca pas 6-7 muajsh, dosjet lëvizin me “mik” dhe qytetarët presin me vite për një vendim që shpesh nuk vlen më asgjë.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu