Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja në një konferencë për mediat këtë të martë ka bërë me dije se njësia Antikorrupsion ka thelluar hetimet në 2 bashki për abuzime me pronat. Manja ka thënë se hetimi kërkon një kohë të caktuar pasi duhen administruar të gjitha praktikat dhe dokumentat që dyshohen se janë të natyrës abuzive.
“Antikorrupsioni ka hetime për pronat në të gjithë bregdetin. Hetimi do kohën e vet sepse duhen administruar të gjithë praktikat dhe dokumentat që dyshojmë se janë të natyrës abuzive. Kemi në 3 zyra vendore të Kadastrës por edhe në 2 bashki ku njësia antikorrupsion ka thelluar hetimet dhe shumë shpejt do kemi rezultatet. Do jua bëjmë me dije nëse janë shkelje administrative apo penale. Abuzimet që po hetojmë janë penale”, tha Manja.
Po ashtu gjatë fjalës së tij, Manja deklaroi se nuk ka asnjë mundësi që të zhduken provat pasi koordinatorët antikorrupsion i kanë sekuestruar të gjitha dokumentet shkresore.
“Mundësi që të zhdukin provat është zero sepse koordinatorët antikorrupsion i ka sekuestruar të gjitha dokumentet shkresore. E dyta, për ecurinë e kallëzimeve që kemi depozitar në prokurori dhe SPAK, marrin informacion për ecurinë e kallëzimeve tona, për një pjesë hetimet penale janë në fazën e fundit, madje ka zyrtarë me masë sigurimi dhe këtu i referohem Sarandës dhe Fierit ndërsa një pjesë e zyrtarëve po hetohen në gjendje të lirë. Kur kontaktoni me Agjensitë e Zbatimit të Ligjit mund të pyesni sepse janë hetime administrative dhe i referohen abuzimeve në administratën publike. Të gjitha këllëzimet po hetohen si vepra penale”, tha Manja.