Partia Demokratike Socialiste (PDS) e presidentit aktual Milo Gjukanoviq, të dielën bëri të ditur se qeveria e pakicës e kryeministrit Dritan Abazoviq e ka humbur mbështetjen e kësaj partie për shkak të votimit pro-marrëveshjes bazë me Kishën Ortodokse Serbe.
“Qeveria ka humbur mbështetjen tonë për shkak të braktisjes së agjendës evropiane. Mbetemi absolutisht të përkushtuar ndaj proceseve politike që çojnë në anëtarësimin e Malit të Zi në Bashkimin Evropian”, njoftoi Partia Demokratike e Socialistëve pas seancës së kryesisë.
PDS-ja u shpreh se qeveria kishte ndryshuar kursin politik dhe “me nxitim, në mënyrë të papërgjegjshme dhe pa konsultim me publikun profesionist lidhi kontratën me Kishën Ortodokse Serbe, gjë që i shkaktoi dëme të pallogaritshme interesave shtetërore të Mali i Zi “.
Partia e cila numëron 30 deputetë në Parlamentin e Malit të Zi dhe nga mbështetje e së cilës u bë e mundur qeveria e pakicës e drejtuar nga zotit Abazoviq, tha se çështja e marrëveshjes është e një rëndësie kombëtare dhe nuk mund të kalohet pa një “përgjigje adekuate dhe të qartë politike”.
Kryeministri Dritan Abazoviq, reagoi, duke vlerësuar se qëndrimi i shumicës do të jetë përcaktuese për të ardhmen e qeverisë.
“E mirëpres vendimin e kryesisë së PDS-së. Do të shohim se cili do të jetë qëndrimi i shumicës së deputetëve. Mali i Zi duhet të ecë përpara . Krimi, korrupsioni dhe nacionalizmi nuk janë opsione. E ardhmja evropiane do të fitojë”, tha Abazoviq në një postim në Twitter.
Shumica e ministrave të pranishëm në mbledhjen e qeverisë të premten votoi pro marrëveshjes së propozuar për marrëveshjen bazë me Kishën Ortodokse Serbe.
Trembëdhjetë ministra votuan pro, pesë kundër, kurse tre ministra tjerë nuk morën pjesë në mbledhjen e qeverisë.
Mosmarrëveshjet mes shtetit të Malit të Zi dhe Kishës Ortodokse Serbe filluan që në vitin 2006 me pavarësinë e këtij shteti. Kisha Ortodokse Serbe, sipas analistëve, mbetet nën ndikimin e politikës së Beogradit dhe të Moskës.
Përveç çështjeve të pazgjidhura rreth pronës , analistët thonë se kisha serbe është përzier disa herë edhe politikisht në çështjet malazeze, përfshirë organizimin e protestave përpara zgjedhjeve që rrëzuan aleatët qeverisës të Gjukanoviqit në vitin 2020.
Presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviq, hodhi poshtë mundësinë e një marrëveshjeje të afërt mes qeverisë në Podgoricë dhe Kishës Ortodokse Serbe, duke u munduar kështu të ulë disi tensionet që përsëri e kanë përfshirë shtetin e vogël ballkanik.
Në anën tjetër kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, u shpreh më 29 qershor se pavarësisht fërkimeve në koalicion, qeveria e tij do të nënshkruante një “marrëveshje bazë” që do të përmirësonte marrëdhëniet e ndjeshme me Kishën Ortodokse Serbe.
Qeveria e pakicës e kryesuar nga Dritan Abazoviqit u formua më 28 prill të këtij viti, pasi në shkurt të po këtij viti u rrëzua qeveria e mëparshme e Zdravko Krivokapiqit me nismën e Abazoviqit, i cili ishte zëvendëskryeministër në atë ekzekutiv.
Partia e presidentit Gjukanoviq në parlamentin e Malit të Zi ka 30 deputetë dhe është forca kryesore politike që ka mbështetur Qeverinë e pakicës pa pjesëmarrjen në të.