Familjarët e gjithë atyre që vuajnë nga depresioni le të ndihmojnë në proçesin e shërimit, duke mos i konsideruar kurrë aktorë të sëmundjes për interesa rehatie, por t’i vlerësojnë, t’i dëgjojnë, t’i kuptojnë dhe t’u japin zemër!
Përktheu: Nikolin Sh. Lëmezhi
Ngushëlloje shpirtin tënd me këtë lutje, që ka lindur nga devocioni që, Shenjtja Terezë e Jezusit Fëmijë, ka pasur për Virgjërën e Buzëqeshjes!
Shenjtja Terezë e Jezusit Fëmijë, ka treguar se është shëruar, kur ishte vogëlushe, nga ajo që sot me gjasë do të diagnostikohej si një sindromë e sulmeve të panikut. Qe kuruar nga buzëqeshja e Virgjërës.
Shenjtja shkroi: “13 maj 1883, festa e Rrëshajëve (Pentekostit). Nga shtrati, kam kthyer vështrimin drejt imazhit të Zojës Sonë dhe… Papritmas, Virgjëra Tejet e Shenjtë, më është dukur e bukur, kaq e bukur, saqë nuk kisha parë kurrë një gjë të ngjashme, fytyra e saj përhapte një mirësi dhe një butësi të pashprehshme, por ajo që ka zbritur thellësisht në shpirtin tim, ka qenë ‘buzëqeshja e magjishme e Virgjërës Tejet të Shenjtë’.
Në atë moment, të gjitha mundimet e mia janë zhdukur, dy lotë të mëdhenj kanë buruar nga qepallat e mia dhe më kanë rrëshqitur mbi fytyrë. Ishin lotë të një gëzimi të vërtetë… Ah, kam menduar, Virgjëra Tejet e Shenjtë më ka buzëqeshur, jam e lumtur… (…) … kam marrë hirin e buzëqeshjes së Mbretëreshës së Qiellit…”. E quajti këtë imazh “Virgjëra e Buzëqeshjes”, dhe filloi ta thërriste me familjarët e saj. Shumë vetë janë shëruar nga depresioni dhe nga sëmundje të tjera të shpirtit, si Tereza e vogël, nëpërmjet këtij devocioni.
Ja lutja drejtuar Virgjërës së Buzëqeshjes:
O Mari, Nënë e Jezusit dhe Nëna jonë, që me një buzëqeshje të kthjellët jeni denjuar të ngushëlloni dhe të kuroni bijën tuaj Shenjten Terezë të Jezusit Fëmijë nga depresioni, duke i kthyer gëzimin për të jetuar dhe kuptimin e jetës së saj, në Krishtin e Ringjallur, shikoni me përzemërsi amënore shumë bij dhe bija që vuajnë nga depresioni, shqetësimet dhe sindromat psikiatrike e të këqijat psikosomatike! Jezu Krishti kuroftë dhe i dhashtë kuptim jetës së shumë personave, ekzistenca e të cilëve është prishur!
O Mari, buzëqeshja juaj e bukur, mos lejoftë që vështirësitë e jetës të errësojnë shpirtin tonë! E dimë se vetëm biri juaj Jezusi mund të mbushë ankthet më të thella të zemrës sonë. O Mari, nëpërmjet dritës që shpërthen nga fytyra juaj, shfaqet mëshira e Hyjit. Shikimi juaj na përkëdheltë e na dhashtë bindjen se Hyji na do e nuk na braktis kurrë, dhe butësia juaj ripërtëriftë në ne vetëvlerësimin, besimin në aftësitë tona, interesin për të ardhmen dhe dëshirën për të jetuar të lumtur!
Familjarët e gjithë atyre që vuajnë nga depresioni le të ndihmojnë në proçesin e shërimit, duke mos i konsideruar kurrë aktorë të sëmundjes për interesa rehatie, por t’i vlerësojnë, t’i dëgjojnë, t’i kuptojnë dhe t’u japin zemër! O Virgjër e Buzëqeshjes, nxirrni për ne nga Jezusi, kurën e vërtetë dhe na lironi nga lehtësimet e përkohshme dhe të rreme! Të kuruar, angazhohemi për t’i shërbyer me gëzim, gatishmëri dhe entuziazëm Jezusit si dishepuj misionarë, me dëshminë tonë të jetës së ripërtërirë. Amen!
(Të thuhen 2 Të Falemi Mari në nder të dy lotëve të gëzimit, që kanë rrëshqitur mbi fytyrën e Shenjtes Terezë të Jezusit Fëmijë kur qe prekur nga Buzëqeshja e Virgjërës).