Kreu i opozitës, Lulzim Basha, i ka bërë thirrje të drejtëpërdrejt, kryetarit të SPAK, Arben Kraja, të informojë publikun lidhur me hetimet për aferën e inceneratorëve dhe të shpjegojë se kur do të thirren për t’u marrë në pyetje, Edi Rama dhe Arben Ahmetaj për këtë aferë korruptive.
Basha tha se gazetarët kanë investiguar ndër vite këtë aferë korruptive, por se nga ana e drejtësisë dhe SPAK, ka patur heshtje të plotë.
“Kryetarit të SPAK, prokurorit Arben Kraja, i kërkoj të prononcohet publikisht, në cilin stad ndodhen hetimet për aferën e inceneratorëve të Fierit, të Elbasanit, të Tiranës.
Është e pafalshme që gazetarë kurajozë, si Rrjeti Investigativ BIRN, apo “Të Paekspozuarit”, kanë bërë prej muajsh dhe vitesh transparencë, natyrisht edhe ekspertët e Partisë Demokratike që e nisën që në vitin 2014, bëmë betejë edhe në parlament dhe struktura e posaçme anti-korrupsion të heshtë njësoj siç hesht Edi Rama, është e pafalshme, siç heshtin Arben Ahmetaj, Erion Veliaj, Klodian Zoto. Kjo ju vendos në anën e gabuar të kësaj afere. Ju kërkoj sot, të bëni detyrën, e keni për detyrim edhe sikur të isha taksapaguesi i fundit i Republikës, jo më kryetari i opozitës” tha Basha.
Kreu i PD-së, e pyeti publikisht drejtuesin e SPAK, Arben Kraja, se kur do të thërrasë Edi Ramën dhe Arben Ahmetajn, për t’i marrë në pyetje.
“Kur do të pyeten Edi Rama dhe Arben Ahmetaj, që brenda një dite të vetme përfshinë nëntë institucione të shtetit dhe morën 17 vendime, për t’i dhënë një personi me një mijë euro kapital, kontrata që shkojnë në 400 milionë euro. Kush qëndron pas inceneratorëve dhe përse janë regjistruar në parajsa fiskale?
Edi Rama, Arben Ahmetaj, Erion Veliaj, Mirel Mërtiri, Klodian Zoto. Këta pesë emra i kanë investiguar gazetarët kurajozë, por jo prokuroria! Ndaj i bëj thirrje SPAK dhe Arben Krajës, të informojë se në çfarë faze janë hetimet. Nëse ka presione mafioze, të dalë të deklarojë, sepse ka mbrojtje speciale dhe ne do t’i dalim në krah“, u shpreh Basha.
/TPZ.al/
VIDEO: