Loja “ngriva-shkriva” e Kushtetuesës në Kosovë

0

Shkruan Zef Ndreka

Vendimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, lidhur me zgjedhjen e presidentit apo zgjedhjeve të reja parlamentare, as më shumë.e as më pak është një lojë e fortë por jo e pazakonshme, “ngriva–shkriva”!
Tingëllon si një metaforë në realitetin juridik dhe politik ku gjendet Kosova sot, ku Gjykata Kushtetuese e Kosovës jep dy vendime që në fakt duken shumë kontradiktore në raport me dekretet e Vjosa Osmanit për zgjedhje të parakohshme, të cilat krijojnë një paqartësi institucionale, që praktikisht shkon përtej një çështjeje teknike.
Këto situata, lindin zakonisht nga interpretimi juridik i ndryshëm në kohë të ndryshme.
Gjykata Kushtetuese nuk është e detyruar të mbajë gjithmonë të njëjtin qëndrim nëse rrethanat ndryshojnë, por kur ndryshimi nuk argumentohet qartë, atëherë duket se po bëhet një “lojë”. Ne e dijmë shumë mirë se Kosova si shtet i ri, jurisprudencën e ka ende në ndërtim dhe mund të mungojë konsistenca e fortë. Gjithashtu, ka presion të fortë politik në kontekstin institucional.
Gjithnjë, zgjedhjet e parakohshme janë një çështje e ndjeshme, sepse preken drejtpërdrejt balancat e pushtetit. Dhe çdo vendim që lidhet me dekretet presidenciale interpretohet jo vetëm juridikisht, por edhe politikisht.
Pse vëndimi i Kushtetuesës duket si “ngriva–shkriva”?
Sepse, si çdo qytetarë, e shohim si një vendim që mund të pretendojë kufizimin e kompetencave të presidentes, që mund ti njohë apo zgjeroje ato, apo që mund ti lidh të dyja këto pa asnjë vijë të qartë llogjike.
Kështu, është krijuar ideja se shumë rregulla “ndryshojnë gjatë lojës”.
A ka pasoja kjo loja “ngriva-shkriva”?!
Sigurisht, sepse dobëson besimin publik tek drejtësia kushtetuese në Kosovë, rrit tensionin e brëndshëm politik pasi palët kundërshtare i interpretojnë vendimet sipas interesit partiak.
Kështu në Kosovë po krijohet precedenti i rrezikshëm, ku çdo krizë mund të zgjidhet me interpretime të reja.
Megjithatë, për të qënë të kujdesshëm, duhet pranuar se jo çdo ndryshim është kontradiktë domosdo.
Por problemi kryesor në Kosovë sot mbetët pyetja:
A i është shpjeguar opinionit publik mjaftueshëm ky ndryshim?
Pasi në një shtet ligjor, Gjykata Kushtetuese duhet të jetë busulla, jo loja vetë. Kështu, nëse perceptohet ky vendim si “ngriva–shkriva”, atëherë në Kosovë ka më shumë një krizë besimi sesa debat juridik.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu